728 x 90 Leaderboard

Patatja bukë dhe gjellë/ Kosova, sa shumë e prodhon, po aq e importon

Nga Shkëlzen Rrecaj

Kosova ka shtuar prodhimin e shumë produkteve bujqësore, e po ashtu ka zgjeruar rrjetin e përpunimit për të plotësuar nevojat e konsumit vendor; por kjo nuk e ka zvogëluar importin e produkteve bujqësore, ku veçon patatja.

Sipas Anketës së Ekonomive Bujqësore për vitin  2017, në Kosovë janë kultivuar rreth 4.2 hektarë me patate, duke prodhuar 118.24 ton që arrin rendimentin 27.6 ton për hektarë.

Komuna e Vushtrrisë, është e njohur në Kosovë dhe në rajon për kultivimin e patates.

Kjo nuk ka mjaftuar që Kosova të mos importojë patate. Për vitin 2016 janë importuar 1,8 ton patate, vlera e së cilës arrin në 577,9 mijë euro.

Ndërsa në vitin 2017, janë importuar rreth 2,6 ton, vlera e së cilës arrinë në 682,4 mijë euro.

Në Shqipëri, prodhimi i patates llogaritet në rreth 245 mijë ton në vit. Në krahasim me rajonin, Shqipëria lë pas Maqedoninë, Kosovën, dhe Malin e Zi, duke u renditur në vendin e 26-të në Evropë, ndër 37 shtete të marra në analizë nga Eurostat sa i përket prodhimit të patates.

Sipas njohësve të fushës së bujqësisë, në Shqipëri, patatja ka filluar të kultivohet mbas vitit 1850. Fermerët e Shishtavecit në veri të vendit, por edhe ato në qarkun e Korçës, (juglindje) vijojnë të kryesojnë me kultivarët kryesorë, të patates në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë, gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë eksportuar 1303.4 tonë patate nga 627.8 tonë që janë eksportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa rritja në vlerë monetare është regjistruar në 57.9 milionë lekë në krahasim me 27.9 milionë lekë që është regjistruar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Sot, patatja është një ndër artikujt kryesorë të çdo kuzhine botërore, e përdoret si ushqim në shumë forma.

Statistikat e Bashkimit Evropian (BE) evidentojnë se në nivel evropian, Gjermania mban vendin e parë me 10 milionë ton prodhim në vit, duke zënë 19 për qind të totalit të prodhimit të vendeve të BE-së. Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia ndërkohë prodhojnë 351 dhe 639 mijë tonë patate në vit.

Shqipëria është importuesi kryesor i patates në Kosovë, ndërsa kjo e fundit edhe pse eksporton patate në drejtim të Shqipërisë, shpeshherë has në probleme me çmimet në doganën shqiptare.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, dërguar tesheshi.com, për vitin 2016 Kosova ka importuar patate nga Shqipëria 1.21 milionë kilogramë, që kap vlerën e 377.3 mijë eurove. Ndërsa në vitin 2017 nga Shqipëria janë importuar 1.35 milionë kilogramë patate, që arrinë vlerën e 338.8 mijë eurove.

Ndërkaq, nga Serbia për vitin 2016 janë importuar 192,3 mijë kilogramë patate, që arrinë vlerën 38.3 mijë eurove. Kurse në vitin 2017 janë importuar 423,4 mijë kilogramë patate, që kapin vlerën e 73.7 mijë eurove.

Ndërsa nga Maqedonia për vitin 2016, Kosova ka importuar patate 128,2 mijë kilogramë, që kap vlerën e 43.2 mijë eurove. Në vitin 2017 nga Maqedonia janë importuar 36.5 mijë kilogramë patate, përkthyer në vlerë e 9 mijë eurove.

Për kultivuesit e patates, importi i madh nga vendet e rajonit nuk është i mirëpritur pasi produktin që e kultivojnë shpeshherë iu shkon dëm. /tesheshi.com/

 

Related posts