Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

PASKUINTË/ Edhe njëherë mbi pikëpyetjen e madhe: pse është shpërfytyruar Ilir Meta?

Ilir Meta, në pozitën e një presidenti, vijon të ofrojë skena, deklarime, qëndrime, sjellje, lëvizje gjithashtu, të cilat janë të papara në performancën e tij politike qyshse nisi të njihej në publik. Dhe njohja ka qenë po ashtu një krizë, një zhvillim, ku PD i hoqi atij imunitetin e deputetit (viti 1993), duke e akuzuar se qëndronte pas një rebelimi socio-politik në Poliçan. Vitet që pasuan, si i tillë u njoh, si brenda PS-së ashtu dhe në raport me kundërshtarët politikë klasikë, por më shumë në të parën. E megjithatë, ai gjithëherë ka ruajtur staturën e një të vetëpërmbajturi, plot vetëkontroll në komunikimin publik, madje deri në mërzi. Por prej kohësh nuk është i tillë. Një ëëëëë e tij pas çdo fjalie kur flet, parazitare dhe e bezdisshme, në një të folur të shtruar, pa ekspresivitet, e gjithsesi e varfër në ngjyrime gjuhësore, përgjithësisht bosh e dogmatike, është zëvëndësuar me një zjarrmi frazash nervoze në deklarime, shoqëruar nga gjeste e paraqitje publike që e kanë kthyer në personazh anekdodik. Ai nuk e ka më “qetësinë e dashurinë”, të cilën e promovonte kur bashkëqeveriste me Ramën, duke e humbur, si artikulim e sjellje, gjë që daton me nisjen e Reformës në Drejtësi.

Sot i është pothuasje i shpërfyturuar. Deri aty sa është e vështirë të pikëgjesh një hapësirë sadopak logjike, për të ndërtuar me të një komunikim logjik. Dy a shumëstandartësh në qëndrime, kundrathënës, kontravers dhe me tejkalime etike shqetësuese, ai është bërë gjithnjë e më i paparashikueshëm, pasi po shfaqet pa vetëkufizime, së paku diktuar nga pozita e një presidenti.

Pra, ç’po ndodh me të?

Politikisht, ai nuk ka asnjë arsye për të “dalë mendsh”, pasi ka avantazhe të cilat nuk ia rrezikojnë rolin, pozitën, të qënit faktor, deri dhe mundësinë për të vijuar në pushtet. Një ikje e tij nga Presidenca, me shkarkim ose vetëlargim, gjë që këtë të fundit duhet ta bënte me kohë – që kur i është kundërvënë mazhorancës që e zgjodhi në krye të shtetit – do e çonte sërish në krye të LSI-së. E prej aty, në aleancë me PD-në, pas dy vitesh mund ta sfidonte Ramën në përballjen elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme. Me kauzat e tanishme, duke pretenduar se ka popullin me vete e se Rama po humb përkrahje nga keqqeverisja, ai fort mirë mund të rikthehej në pushtet, dhe prej aty ta implementonte vizionin e tij politik, të bënte dhe Reformën e tij në Drejtësi po të donte. Pra, thjesht të zbatojë një ligjësi normale politike. Por jo. Kjo është gati  e paimagjinueshme, ndonëse do ishte më normalja.

Po pse atëherë i shmanget kësaj?

Përgjigja mund të gjendet te premtimi i ndërkombëtarëve se shumë shpejt do mund të ndihen frytet e Reformës në Drejtësi. E këto fryte, nuk janë gjë tjetër veçse ato që do që i përgjigjen sensitetit më të madh publik, pritshmërisë më të madhe të reformës: ndëshkimi i të paprekurve në rangjet e larta të politikës. Eshtë në nevojën e investuesve të reformës, që provën e suksesit të saj ta ofrojnë pikërisht aty ku i dhemb më shumë publikut. Eshtë pikërisht kjo që i ka shkaktuar një tërmet psiko-etik kreut të shtetit. Me gjasë, e gjitha çfarë po kërkon Meta, është ajo që njihet si praktikë politike nga të pushtetshmit në vende me standarte të ulëta demokratike; pakti, pakti i mosprekjes.

Mosfunksonimi i një pazari okult, me sinjale që nuk do jetë i mundur, janë të vetmet shpjegime të një xhindosjeje, me të cilën Meta do ruhet më së shumti në kujtesën e brezave, sido që të jetë fati i tij politik në të ardhmen. /tesheshi.com/                          

              

 

auto pjese dak

Related posts