728 x 90 Leaderboard

Pasiguri për të ardhmen në BE: zviceranët duan referendum kundër lëvizjes së lirë

Zvicra i është përafruar edhe më shumë pozicionit për mbajtjen e një referendum për prishjen e marrëveshjes me Bashkimin Europian për lëvizjen e lirë të njerëzve në kufijtë e saj, duke kërcënuar me pasiguri të reja marrëdhënien me bllokun.

Partia ultra-konservatore, Partia e Popullit Zviceran mori konfirmimin zyrtar për të vazhduar mbledhjen e firmave për mbajtjen e votimit që do të sjellë ndryshimin kushtetues sipas të cilit do të jenë vetëm politikanët zviceranë ata që do të jenë përgjegjës për politikën e emigracionit.

Fushata do të kulmojë një debat të gjatë brenda këtij vendi në lidhje me marrëdhëniet me Brukselin. “Më në fund po lëvizim drejt një vendimmarrjeje”, thotë eksperti politik në universitetin e St Gallen, Patrick Emmenegger.

Sidoqoftë, deri në momentin e votimit mund të kalojë kohë, pasi partia SVP ka 18 muaj në dispozicion për të mbledhur 100 mijë firmat e domosdoshme. Propozimi do të merret në konsideratë nga qeveria dhe parlamenti në Bernë përpara se të hidhet në votim, mundësisht shoqëruar edhe me kundër-propozime alternative.

Edhe pse e rrethuar gjeografikisht me vende anëtare të Bashkimit Europian, Zvicra ka refuzuar të bashkohet me bllokun, por të huajt përbëjnë pothuajse çerekun e popullsisë së saj 8 milionëshe dhe çdo ditë, më shumë se 300 mijë shtetas nga Gjermania, Franca, Italia dhe Austria e vende të tjera kalojnë kufirin për të punuar në Zvicër.

Tregtia dhe marrëdhëniet e tjera qeverisen nga më shumë se 120 traktate dypalëshe. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes së njerëzve – konsideruar si një nga parimet themelore të tregut të përbashkët europian-  u miratua në një paketë traktatesh të nënshkruar në vitin 1999.

Në mënyrë domethënëse, paketa e vitit 1999 përfshinte edhe një klauzolë “gijotinë” me anë të së cilës të gjitha marrëveshjet, përfshirë ato të bujqësisë dhe aviacionit, do të anuloheshin nëse ndonjë prej pjesëve të paketës përfundonte.

Lëvizja e lirë e njerëzve kundërshtohet fuqishëm nga ana e partisë nacionaliste SVP, që drejtohet nga biznesmeni miliarder, Christoph Blocher. SVP është partia më popullore në Zvicër. Sidoqoftë, ndikimi i saj kufizohet për shkak të sistemit politik të decentralizuar të vendit, që bazohet mbi konsensusin.

Propozimi i kësaj partie për të anuluar marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve kundërshtohet po ashtu edhe nga partitë e tjera kryesore zvicerane. “Pranimi i këtij propozimi do të ishte Brexit për Zvicrën”, thotë social-demokrati Eric Nussbaumer.

Pavarësisht gjithçkaje, kundërshtarët në SVP dhe analistët e shohin referendumin si një mundësi për votuesit zviceranë që të bëjnë një zgjedhje midis vazhdimësisë së marrëdhënies ekzistuese me Bashkimin Europian  dhe shfuqizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve. “Eshtë e bardhë ose e zezë – ose qëndrojmë ose ikim”, thotë

Emmenegger, i cili shton se sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e votuesve zviceranë preferojnë të ruajnë traktatet dypalëshe.

Përkundrejt negociatave Brexit që janë shumë më tepër të profilit të lartë dhe në vëmendjen e publikut, dhe marrëdhëniet e Zvicrës me BE tashmë kanë hyrë në fokus për t’u rishikuar. Brukseli po refuzon të arrijë marrëveshje të reja me Zvicrën, për shembull në lidhje me shërbimet financiare. Por ashtu, Brukseli po nxit Bernën të unifikojë tërësinë e marrëveshjeve dypalëshe që lejojnë Zvicrën të ketë akses në tregun e përbashkët, në mënyrë që të ketë bashkërendim me ndryshimet në ligjin europian.

Në vitin 2014, marrëdhëniet e Bernës me BE u minuan kur zviceranët votuan në favor të kufizimit dhe vendosjes së kuotave për emigracionin – dukshëm në shkelje të marrëveshjes së liris së lëvizjes së njerëzve.

Por, Zvicra e shmangu suksesshëm një përfundim të marrëdhënies me Brukselin në dhjetor 2016 duke njoftuar se thjesht do të detyronte punonjësit në rajonet apo sektorët me papunësi të lartë të njoftonin qendrat e punës për vendet bosh përpara se të rekrutonin jashtë Zvicrës apo të intervistonin aplikantët lokalë.

Nisma më e fundit e SVP-së, në rast se pranohet, do t’i jepte qeverisë zvicerane 12 muaj për të negociuar me BE-në shfuqizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve – përndryshe kjo lëvizje do të anulohet në mënyrë të njëanshme.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts