Pasi ia hoqi nga duart EULEX-it, drejtësia kosovare liron Azem Sylën: a po triumfon përfundimisht “Daja”?

Nga Blendi Gashi

Më pak se një muaj, pasi EULEX-i transferoi rastin e ish-deputetit Azem Syla tek drejtësia vendore, kjo e fundit e ka liruar ish-deputetin e PDK-së.

Një vendim të tillë e mori të hënën Gjykata Themelore në Prishtinë e cila refuzoi kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit, duke ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për lirim të menjëhershëm.

Sot, Gjykata Themelore ne Prishtine ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit kundër z. Azem Syla dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për lirim të menjëhershëm nga masa e paraburgimit. Z. Syla do të mbrohet nga liria”, shkruan avokati i tij, Besnik Berisha në Facebook.

Por lirimin e Sylës tërthorazi javë më pare e paralajmëroi një prej gjyqtarëve të EULEX-it i cili reagoi ashpër pas vendimit që me këtë rast të merren vendorët.

Transferimi i këtij rasti tek vendorët domethënë që është përfundim i rastit dhe të gjithë e dimë se pse”, tha prokurori Danilo Cecarreli.

 

Si u plotësua kërkesa e “Dajës”…

Azem Syla, i njohur në luftë si “Daja”, qysh në janar të 2018-tës nisi të kërkojë që me rastin e tij të merren vendorët. Sipas mbrojtjes, kjo kërkesë është për të siguruar gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, ashtu siç përcakton Kushtetuta, dhe se gjykimi nuk mund të kryhet për 5 muaj, deri kur përfundon mandati i misionit evropian.

Këtë kërkesë, përvec Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Azem Syla ia dërgoi edhe edhe ish-bashkëpartiakut të tij, tani presidentit, Hashim Thaçi.

Dhe pas pak javësh kërkesa e Sylës u përmbush. Pra “Daja” u “ lirua” së pari nga EULEX-i pasi ia transferoi lëndën vendorëve, dhe këta të fundit tashmë e larguan nga paraburgimi.

 

Beqir Kalludra, “gjykatësi” i Vetëvendosjes do merret me rastin e Sylës

Sipas Kodit të Procedurës Penale, në momentin që ndryshon trupi gjykues, rasti kthehet në fillim dhe ashtu do të ndodhë.

Tashmë “Daja”, do përballet me drejtësinë kosovare dhe rasti i tij do të udhëhiqet nga gjykatësi Beqir Kalludra, i cili dënoi me mbi 20 vjet burg aktivistët e Vetëvendosjes si të dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, të cilët së fundmi u liruan nga paraburgimi dhe rasti do kthehet në rigjykim.

Azem Syla dhe 39 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës, për cka Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë më 25 tetor të vitit 2016.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla u deklarua i pafajshëm. /tesheshi.com/

 

Related posts