Pas fotos së publikuar nga Balla, reagon Basha: një selfie është, nuk bëj pakt me krimin…

Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS-së, publikoi në sallën e Kuvendit një foto të Lulzim Bashës, me një qytetar, për të cilin tha se ishte i dënuar për përgatitje minash. Reagimi i Ballës, edrdhi pasi më herët kreu demokrat publikoi një foto të ministrit Blendi Klosi nën shoqërinë e një personi të arrestuar pak ditë më parë nga policia.

Balla tha se nuk duhet që debati të përfundojë tek fotot, e në replikë me këtë Basha bëri ndryshimin mes fotos së tij dhe të ministrit Klosi.

“Nuk është çështje fotosh. Pa dyshim që dikush mund të kapë një politikanë për xhakete të bëjë selfie. Por kjo nuk është darkë. Fajin nuk e ka Blendi, madje as Vangjush Dako. Arkitekt i kësaj pune është Edi Rama, që bashkoi të gjithë qelbësirat, mori çdo kriminel dhe i dha pushtet, janë njerëzit që kanë sot në dorë çelësat e vendit dhe këtë e ka bërë Edi Rama për pushtetin e tij.  Kurrë s’kam bërë asnjë pakt me krimin për pushtet, me qytetarët ne do të shporrim kriminelin, bashkë me shërbëtorët e krimit”, tha Basha. /tesheshi.com/