728 x 90 Leaderboard

Pas fasadës: “Nizhny Novgorod”, impianti i Botërorit që la “pa bukë” 100 punëtorë rusë

Kupa e Botës në Rusi, së bashku me stadiumet e saj, pati një shkëlqim që në disa raste fsheh dhe skandale. Një prej tyre ka të bëjë me Nizhny Novgorod-in e ndërtuar aty ku bashkohet Vollga me Oka-n, me 45 mije vende. Sipas të dhënave zyrtare ruse, ndërtimi kushtoi 268 milion dollarë.

Megjithatë, rreth 100 punëtorë që punuan në ndërtimin e kompleksit gjigand, duan që kjo shumë të rritet edhe me 50 milionë rubla. Ata ia kërkojnë këtë kontraktuesit ASP, pasi shumë prej pagesave të vonuara çuan në borxhe, indinjatë dhe në rrethana të vështira jetese.

“ASP ka shkatërruar jetën time”, thotë Stanislav Sukhoparov, një punonjës i atyshëm për Radrio Free Europe. “Për shkak të pagave të prapambetura, u divorcova pasi nuk kisha asgjë për të mbajtur familjen time”.

Dhe si ai janë rreth 100 sosh që e qajnë me lot punën e papaguar.

Prokurorët e rastit të Nizhny Novgorod-it u thanë punëtorëve se duart e tyre ishin të lidhura, sepse kompania të cilën ata e akuzonin nuk ishte e regjistruar në qytet. Rasti thuhet se u dërgua në Moskë.

“Vonesa në pagesë filloi në janar”, thotë ndërtuesi Stanislav Sukhoparov, i cili filloi të punojë për ASP në shkurt 2017. “Fillimisht, ishte tre javë dhe pastaj një muaj, e në fund mbërritëm te fakti se ASP nuk na pagoi katër muaj. Deri më sot nuk kemi marrë paratë e punës”.

Ai thotë se nuk merr ndonjë përgjigje kur përpiqet ta thërrasë personin që e ka punësuar.

RSE foli me këtë njeri, Alessandro Machiev, i cili thotë se ende punon për ASP, edhe pse kompania e tij i detyrohet para. “Nuk paguaj paga”, thotë ai. “Unë jam përgjegjës vetëm për punën në front. Unë, ashtu si të gjithë të tjerët, rri këtu, pres, nuk jam paguar që nga prilli”.

Ndërkohë, ASP rezulton në pronësi të një burri të quajtur Aleksandr Afinogenov, i cili sipas dokumentave zyrtare është pronar i tre kompanive të tjera. Askush nuk iu përgjigj numrave të telefonit në të katër kompanitë.

Megjithatë, punëtorët mendojnë se përgjeëgjës për gjithçka është Alessandro Machiev, pasi marrëveshjet e punësimit janë bërë me të.

Kështu pra, rasti i Nizhny Novgorod-it është prej atyre që tregojnë se jo gjithçka rrezaton shkëlqim nga Botërori. /tesheshi.com/

 

Related posts