Paralajmërimi i frikshëm i Davosit: 2018-a do të sjellë një krizë financiare si ajo e 2008-ës

Ndërsa Davosi pret Donald Trump-in për të folur për vizionin e tij global mbi ekonominë botërore, dy gratë më të fuqishme të Europës, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrja britanike Theresa May, kanë goditur vizionin e presidentit të SHBA-së për ekonominë.

Merkel ka folur hapur dhe prerë kundër proteksionizmit të Trump, kurse Theresa May, në mënyrë indirekte ka kundërshtuar tezat e Trump.

“Rregullat e tregut janë ato që kanë qenë dhe ne duhet t’i respektojmë”, ka deklaruar May, duke rrëzuar qëndrimin për të vendosur kuota dhe detyrim mbi prodhimin apo shitjen.

Ndërkaq, dy nga ekspertët më të njohur të ekonomisë, në një nga panelet e Davosit kanë paralajmëruar një rrezik të një shpërthimi të një krize financiare, si ajo e tmerrshmja e vitit 2008.

Michael Bolton, një nga njohësit më të mirë të lëvizjeve makroekonomike në botë, duke trajtuar rastin e vitit e para 10 viteve, theksoi se “në vitin 2008, 5 bankat më të fuqishme në SHBA, ndër të cilat edhe Leman Brothers ndodheshin në një situatë të përqëndrimit të madh të borxhit.  Edhe sot, 5 bankat më të fuqishme në botë janë në të njëjtin nivel dhe ky është rrezik potencial”.

Kurse Helen Ray nga London Scohols of Economics, u shpreh e alarmuar me përqëndrimin e borxheve jo vetëm nga bankat apo kompanitë, por edhe nga shtetet të mëdha.

“Përqëndrimi i borxhit është një minë që mund të aktivizohet me çdo detonator të vogël. Duket sikur jetojmë pranë një depo nje të madhe baruti, që mjafton thjesht një shkëndijë për të shpërthyer shumë fort”, tha Ray, e cila duke e shpjeguar vizionin e saj theksoi se përqëndrimi i madh i pasurive dhe investimeve në vetëm pak duar ka çuar që këta monopole të kenë në duart e tyre fatet e botës, pasi pasuria nuk është shpërndarë. Klasa e mesme vazhdon të jetë përdhe.

“Shikoni ekonominë e re teknologjike, është në pak duar, tregtia online gjithashtu, fitojnë para aq sa ne i numërojmë me gishta. Ç’do të thotë kjo? Ky është rreziku pra që na solli në tmerrin e 2008-s”, tha profesoresha Ray.

Kurse Bolton shkoi më tej duke e vënë gishtin tek mosdalja e industrisë amerikane nga ngërçi i kompetivitetit në treg.

“Duket se nuk kemi mësuar asgjë nga kriza e vitit 2008. Ajo shpërtheu pasi prodhimet nuk shiteshin, kishin bllokim të konsumit që çoi në papunësi dhe kjo çoi më pas në krizën e shtëpive. Pra njerëzit nuk paguanin dot kreditë. Po ndodh e njëjta gjë në Kinë dhe nëse shpërthen është bombë atomike. Por baza e tyre është se politikat nuk ndihmojnë rritjen që mbetet shumë, shumë e limituar. Klasa e mesme po zvarritet për 10 vjet dhe nuk po ngre krye. Rrogat nuk mjaftojnë për të rritur gjendjen ekonomike, kurse përqëndrimi në pak duar ka çuar edhe në politika jo realiste të Bankave Qendrore, që nuk merren me tregun por me grupe të vogla. Si mund të rritemi nëse nuk e shpërndajmë pasurinë në mënyrë sa më të studiuar në të gjithë hapësirën globale? A e kuptoni se çmimet e shtëpive në SHBA janë rritur ekzaktësisht si në vitin 2008? Është çmenduri, ku po shkojmë kështu? A i shohim se këto janë sinjale të frikshme”, tha Bolton.

Kurse Matthew Allen, një nga kritikët më të mëdhenj të elitës botërore, thekson se “grupet drejtuese nuk po i përgjigjen evolucioni i shpejtë që po ndodh në shoqëri, pasi punësimi, emigracioni dhe mirëqenia po shqetëson gjithnjë e më shumë popullsinë”.

Sipas tij, klasa drejtuese nuk e kupton mesazhin e popullit që kërkon të ndryshojë dhe po kërkon të njëjtën gjë prej 10 vjetësh. “Jemi në prag të një revolte të madhe”, tha Allen. /tesheshi.com/

 

Related posts