PARALAJMËRIMI/ Arsyeja e mosarsyes për djegien e mandateve dhe kur PD fitonte me votë ndaj “krimit”

Kreu demokrat Basha ka paralajmëruar djegien e mandateve – pra një vettërheqje në grup nga jeta parlamentare, duke braktisur edhe pagën mbi një-milionëshe, që në fakt është dhe pika më delikate e kësaj ndërmarrjeje politike ekstreme. Deputetët janë njëherësh dhe konsumatore si të gjithë ne, me hallet, kërkesat, nevojat dhe llogaritë e tyre utilitare.

Është ky i pari rast i një vendimi politik në këto përmasa, pasi gjer më sot, që nga ’92 e këtej është luajtur vetëm kartën e bojkotit.

Por është i përligjur ky akt?

Dy janë “qarravitjet” klasike të një opozite në Shqipëri: keqqeverisja dhe sjellja e pushtetit ndaj saj, duke ia marrë të drejtat e nëpërkëmbura. Në të parën është mëse normale të jetë ankimtare e akuzuese. E përmbajnë rregullat e lojës. Për një opozitë nuk ndodh kurrë që qeveria të mirëqeveris. Por po këto rregulla loje e kanë përcaktuar se si e kur ajo mund ta ndryshojë realitetin e gjëra. Klasikisht, PD ka tentuar t’i sfidojë gjithnjë rregullat e lojës. Dhe ky është një tjetër handikap i saj historik.

Në të dytën, nuk ka të krahasuar sot sjellja e mazhorancës ndaj opozitës me atë të djeshmen.

Dhe, nëse ngacmohet pak kujtesa e opinionit, bojkotet apo protestat e opozitës së djeshme, kanë qenë të fokusuara te pika e dytë, ajo e sjelljes së pushtetit ndaj saj, ku veçohet kauza e kutive si dhe rrëmbimi i mandatit të Ramës nga Basha në zgjedhjet lokale të 2001-it, me anë të trukeve të Ristanit në KQZ e më pas vendimarrjes gjyqsore Tom-Sashenkë, ku mandati iu la Bashës me procedurë.

Ndërkohë, as vrasja e një deputeti – Fatmir Xhindit, apo e një kryetari socialist komune në Kukës – Remzi Veselit, përfshirë dhe atë më tragjiken – vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011, nuk janë bërë shkak për një ekstremizim situate siç po e dikton PD sot me ligjërimin e ashpër deri në parazitizëm e bezdi, e tani dhe me akte politike, ku përfshihet kjo e djegies së mandateve.

Madje as bojkoti i parlamentit nuk dihet ende se për ç’arsye konkrete ndodh; pra, nëse opozita ka një kërkesë dhe asaj nuk po i plotësohet, e për këtë arsye vendos që të përdorë kartën e bojkotit. E kjo, siç ndodhi me ligjin e dekriminalizimit, ku bojkoti ishte tërësisht i përligjur dhe në fund dha një rezultat.

E tani me mandatet, përse? Ç’kërkesa ka opozita? Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Pse qeveri teknike? Sepse me Ramën nuk ka zgjedhje. E pse me Ramën nuk ka zgjedhje ndërkohë që bukurmirë pati me Berishën po aq të demonizuar në raport me votën? Pastaj, opozita ka përpara zgjedhjet lokale, e fare mirë mund t’i trajtojë ato si politike. Të njëjtën gjë bëri opozita e djeshme socialiste në dy raste, në 2007 dhe 2011, pra nën qeverisjen e PD-së dhe i fitoi. Pra, nën Berishën.

Ndërkohë, ky është rasti për të sjellë në kujtesë se si PD ka fituar me votë ndaj krimit. Po po, krimit, atij pra që e gogolizoi në vitet e opozitës 2001 – 2005, “Dukës së krimit”, që dhe ky sot i bën temenara PD-së me Laço-partinë e tij Agrare, pa ia sqaruar më parë opinionit nëse ishte apo jo një kriminel siç e akuzonte lidershipi demokrat.

E pra, në zgjedhjet e vitit 2005, ky “Duka i krimit”, klani i tij i Zemunit që bënte ligjin në segmentin Durrës – Shijak, madje duke e patur si bastion këtë të fundit, humbi me votë përballë të ndjerit Sokol Olldashi.

Pra, mundet që dhe Gjushi të mundet me votë, paçka lidhjeve të pretenduara me krimin, e jo vetëm për këtë arsye. Vangjush Dako, ashtu siç partia e tij, ka fituar dy zgjedhje lokale në kulmin e pushtetit të PD-së, 2007 – 2011. Sillet në kujtesë ky fakt, pasi ndër pretendimet e PD-së për “zgjedhje pa Edi Ramën”, na përfshihen si arsye edhe përgjimet e Gjushit, që në fakt janë indicie për të shkuar drejt një blerje të mundshme vote e jo provë definitive me verdikt gjyqësor. Së paku, rezultatet elektorale të Gjushit, kurrë të kontestuara nga PD, nuk e përligjin pretendimin e blerjes së votave.

Edhe kjo një pikë që kurrë nuk merret në konsideratë te analizat që kanë në qendër votën. Nëse merren parasysh të gjithë trendet e lëvizjes ose moslëvizjes së votës në vite, rezultatet e sotme elektorale janë plotësisht logjike. PS ka arritur fitore të bujshme ndaj PD-së edhe në kulmin e pushtetit të kësaj të fundit. Sekreti: PS ka gjithnjë një elektorat stabël afro rreth 35-40 përqind, ku i lëvishmi endet në 10 përqind. PD, elektoratin stabël e ka 10 përqind më poshtë se PS, dhe atë të lëvizshëm gati 5 përqind. Prova: në 2005 PD fiton pa votë popullore, por me yçkla të kodit zgjedhor. Në 2007, në kulmin e pushtetit humb zgjedhjet lokale. Në 2009, sërish në kulmin e pushtetit, del barazim me PS-në dhe vijon të qeverisë me katër mandate të LSI-së. Në 2011, sërish në kulmet e veta, humb zgjedhjet lokale. E pra kjo nuk është çështje përgjimesh…/tesheshi.com/

 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts