728 x 90 Leaderboard

Paralajmërimet e një diplomati, Lulzim Peci: pasojat për Kosovën nëse Demarkacioni nuk ratifikohet brenda dy muajsh

Ndërsa nuk dihet kur do ketë një epilog final për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, pasi nuk ka një datë kur do procedohet në Kuvend për t’u hedhur në votim, ish-ambasadori Lulzim Peci, njëherit drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED paralajmëron se nëse kjo marrëveshje nuk ratifikohet në dy muajt e parë të 2018-tës, vendi do përballet me pasoja jo të vogla.

Peci përveç kësaj çështjeje, në një intervistë për tesheshi.com ai flet edhe për 100-ditëshin e Haradinajt, mocionin e mosbesimit të paralajmëruar nga LDK për rrëzimin e qeverisë, gjendjen në diplomacinë kosovare, për përçarjet në Vetëvendosje dhe tema tjera…

 

Intervistoi: Blendi Gashi

Si e vlerësoni 100-ditëshin e qeverisë “Haradinaj”? Cilat janë sukseset dhe ngecjet sipas jush?

Gjatë kësaj kohe, qeverisja “Haradinaj” më tepër ka qenë e përkushtuar në zgjedhjet lokale se në qeverisjen qendrore, për çka edhe partia e tij ka arritur një sukses shumë të madh në zgjedhjet lokale. Kurse ndër të arritura në qeverisjen qendrore që mund të përmenden gjatë kësaj kohe, është kontrata me kompaninë “Contur Global” që ka të bëjë me ndërtimin e termocentralit të ri si dhe pajtimi me Maqedoninë për hetimin ndërkombëtarë të rastit “Kumanova”.

Porka ngecje me çështjet që lidhen me integrimet evropiane, dhe kjo si pasojë e krijimit të koalicionit të tanishëm qeveritar me një elefant të madh në dhomë – gjegjësisht me mospajtimet për Marrëveshjen e Demarkacionit e kufirit me Malin e Zi, që në të njëjtën kohë krijon jostabilitet dhe mungesë të kohezionit jo vetëm në mes të partnerëve të koalicionit, por edhe në raportet Qeveri – Presidencë.

Kryeministri është zotuar se më 2018 do bëhet liberalizimi i vizave. Do mbetet ky veç një premtim apo mund të realizohet?

Deklarata të tilla ka pasur në vazhdimësi që nga viti 2012, ku të gjithë kryeministrat kanë dhënë premtime të ngjashme. Mirëpo, është e qartë se liberalizimi i vizave nuk mund të bëhet pa e kaluar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe pa e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Për më tepër, këto kushte të BE-së nuk mund të ndryshohen. Prandaj, deklaratat e tilla nuk besoj se janë realiste, nëse nuk kalohet Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

DK ka paralajmëruar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë aktuale. Cilat janë gjasat që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme vitin e ardhshëm?

Mendoj se ky synim i tyre ka qenë i realizueshëm deri sa ka qenë Vetëvendosje e bashkuar dhe kohezive. Pas rrethanave të reja në këtë parti, nuk besoj se ky më është një opsion, pasi tani VV nuk e ka luksin të hyjë në zgjedhje, kur i ka ndasitë aq të mëdha brenda vetvetes, të cilat padyshim se mund të reflektohen edhe në rezultatin zgjedhor. Ky mocion mund të ketë sukses, dhe qeveria mund të rrëzohet, vetëm nëse atë e përkrahë PDK-ja.

E përmendet Demarkacionin, cilat janë gjasat që të ratifikohet kjo marrëveshje?

Unë nuk mund të flasë për gjasa, pasi kjo është çështje e qëndrimeve të partive politike që kundërshtojnë marrëveshjen e Demarkacionit. Në njërën anë kemi AAK-në, NISMA-n dhe Lëvizjen Vetëvendosje që e kundërshtojnë këtë marrëveshje, dhe e kemi Listën Serbe e kundërshton marrëveshjen jo për shkak të përmbajtjes së saj, por për arsye se demarkacioni i kufijve bëhet mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane. Përkrahja e marrëveshjes nga Lista Serbe do nënkuptonte njohje të shtetësisë së Kosovës, dhe pikërisht për këtë arsye edhe ju  është sugjeruar nga Rusia mos-përkrahja e saj, e cila brenda vetes ngërthen edhe përpjekjen për të dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës me Malin e Zi.

Ju keni propozuar kjo marrëveshje të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para se të procedohet në Kuvend për propozim. Ç’zgjidhje mund të del nga kjo?

Marrëveshja nuk mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese sepse kjo gjykatë nuk i trajton marrëveshjet ndërkombëtare, mirëpo Presidenti mund të kërkojë interpretim nga Kushtetuesja për mënyrën se si bëhet definimi i kufijve shtetëror të Kosovës në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të tanishme. Kjo ka qenë ideja ime për të dale nga ky qorrsokak, duke u përdorur edhe ky instrument kushtetues nga ana e presidentit.

Pala kosovare ka thënë se nuk do vazhdojë bisedimet me Serbinë pa u përfshirë edhe Amerika. Si e shihni këtë kushtëzim?

Kosova nuk mund të vendos kushte nëse bisedimet me Serbinë do të vazhdohen me apo prezencën amerikane. Amerika çdo herë e ka ndihmuar procesin e bisedimeve por duhet shikuar edhe vullnetin politik të saj që të jetë në linjën e parë të negociatave, dhe kjo çështje rregullohet në relacionin Uashington-Bruksel dhe jo Prishtinë-Bruksel.

Poashtu, duhet të kemi parasysh edhe Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të shtatorit të vitit 2010, në të cilën qartësohet se facilitimi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, nga ombrella e OKB-së kalon nën atë BE-së. Mirëpo me ndryshimin e rrethanave mund të ndryshon edhe formati i dialogut, kështu që formati i bisedimeve të përcaktuar nga kjo rezolutë të OKB-së, nuk është e thënë që të mos ndryshohet në praktikë në të ardhmen.

A do jetë edhe kryeministri Haradinaj akterë në këto bisedime apo Thaçi do të vazhdojë t’i udhëheq i vetëm?

Kjo është çështje e marrëveshjes politike. Meqenëse negociatat nga pjesa serbe janë duke u udhëhequr nga presidenti Vuçiç, pres që i njëjti format të përcillet edhe nga ana e Kosovës, por kjo nuk e detyron palën kosovare të veprojë njëjtë. Mirëpo, në anën tjetër nuk ka asnjë pengesë kushtetuese apo ligjore që Presidenti t’i udhëheq këto bisedime.

Ju keni mbajtur për një kohë postin e ambasadorit. Në ç’gjendje është diplomacia kosovare? A ka nevojë për një reformatim të thellë?

Sa i përket diplomacisë kosovare normalisht ka nevojë që të ndryshohet dhe t’i përshtatet rrethanave të reja ndërkombëtare. Kur është shpallë pavarësia, situata ndërkombëtare ka qenë krejt ndryshe prej asaj që është sot. Në ditët e sotme, diplomacia e vendeve të vogla, siç është Kosova, duhet të jetë shumë më operative, dhe në hap me rrjedhat ndërkombëtare. Prandaj, që kjo diplomaci të jetë e suksesshme duhet të lexohet drejt situata ndërkombëtare dhe si ajo ndikon në  vendin e caktuar, këtë rast Kosovën. Unë kam frikë që nga diplomacia dhe vet politika jonë e jashtme, nuk është duke u kuptuar mirë fakti që ritmi i zhvillimeve në Kosovë dhe dinamika e zhvillimeve ndërkombëtare janë në deskrepancë të madhe me njëra-tjetrën.

Me këtë dua të them se janë bërë hapa të vegjël të brendshëm, në raport me ndryshimet e mëdha  që janë duke ndodhur në politikën ndërkombëtare. Prandaj, duhet pasur kujdes në shfrytëzimin e mundësive, pasi ato mund të humben dhe vështirë se mund të kthehen prapa, nëse nuk shfrytëzohen me kohë. Këtë mund ta ilustrojmë me çështjen e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me ç’rast kam frikë se nëse nuk ajo nuk ratifikohet deri në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, atëherë Kosova do të hyjë në një rrugë të cilës nuk do i dihet fundi për sa i përket të ardhmes së saj evropiane.

Pra a duhet në fillim të vitit të ardhshëm të këndellet diplomacia kosovare, të shikohet puna e secilit ambasador?

Nuk qëndron puna te shikimi i punës së ambasadorëve por tek shikimi i punës së Ministrisë së Jashtme dhe qeverisë së Kosovës, pasi ambasadorët veprojnë në bazë të instruksioneve që i marrin nga kjo ministri. Kosova duhet të prodhojë lajme të mira, të tregohet e suksesshme në reformat e brendshme, të rregulloj punët me fqinjët e saj, dhe që politika e jashtme të jetë në kohezion me zhvillimet ndërkombëtare.

Mirëpo, nuk duhet harruar edhe faktin që sidomos në katër – pesë vitet e fundit ka pasur një politizim masiv të shërbimit të jashtëm, që është përcjell me parregullsi në emërimin e stafit diplomatik, por jo edhe të ambasadorëve. Nuk duhet harruar se me ligjin në fuqi për shërbimin e jashtëm të Kosovës, më së paku 50 % të ambasadorëve duhet të jenë profesional, pra të karrierës, ndërsa deri 50 % mund të jenë politik. Mirëpo, në anën tjetër, pikërisht për shkak të kalimit të kësaj kuote, dhe mungesës së vullnetit politik për të emëruar ambasadorë të karrierës, shtetet si Shqipëria e Çekia kanë mbetur të pambuluar me ambasadorë nga Kosova.

Të kalojmë në një temë krejt tjetër. Së fundmi në partinë e parë opozitare Vetëvendosje kanë plasur përçarjet. A pritni që të ndahet në dysh edhe ky subjekt?

Një prej faktorëve që çon në shkaktimin e përplasjeve brenda partive është aspekti i vendimmarrjes formale dhe joformale. Nëse ka deskrepancë të madhe në mes këtyre dy lloj vendimmarrjeve atëherë përplasjet janë të gatshme. Si do shkojnë rrjedhat në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e di, por mendoj se me ndodhitë e fundit kjo Lëvizje ka humbur shumë në autoritetin që e ka gëzuar deri në momentin që ndasitë e tyre kanë dalë në publik. Si do shkojnë rrjedhat më tutje kjo do të varet prej vetë akterëve kryesorë të VV-së.

Këtu janë dy senario. Njëra është që një linjë ta merr komplet udhëheqjen dhe të mos pranoj kompromis, dhe nëse kjo ndodh,  pres që një numër i deputetëve dhe aktivistëve do të largohen, pasi nuk do të kenë më vend për ata në VV. Opsioni tjerët është që të gjendet një kompromis mes dy krahëve, çka nuk mendoj se është fort i mundshëm. Por, nëse kjo ndodh, atëherë VV-ja do të fillon të transformohet nga brenda dhe do të funksionojë si një parti, në të cilën do të kohabitojnë dy krahë të mendimit politik, apo ambicieve politike që me kohë edhe mund të shkrihen, pra të unifikohen. Megjithatë as kjo nuk është garancë, sepse në të ardhmen prej këtij kohabiticioni që mund fillon në mënyrë artificiale, dhe që nuk shndërrohet në diçka natyrale, përsëri mund vije deri tek përçarjet. Kështu, nuk mund të them një mendim përfundimtar se çka mund të ndodh në Vetëvendosje, dhe besoj se këtë nuk e dine as njerëzit që janë brenda saj.

Për fund ç’pritni të ndodh në politikën kosovare më 2018-tën? Do bëhet ushtria, do heqen vizat…?

Kosova nëse nuk tregon rezultate për demarkacionin brenda dy muajve të parë të vitit të ardhshëm do të hyjë në rrethana izoluese për sa i përket raporteve me BE-në, por kjo do të reflektohet edhe me raportet me Malin e Zi. Rrethanat e tilla, mund t’i krijojnë pozicion më të dobët edhe në raport me dialogun me Serbinë, sidomos kur kemi parasysh edhe qëndrimin e Uashingtonit dhe Brukselit për sa i përket marrëveshjes së Demarkacionit.

Poashtu, Kosova ballafaqohet edhe me një problem të brendshëm për sa i përket njohjeve, pasi partia më e madhe në vend, VV-ja, kërkon bashkimin me Shqipërinë dhe kjo i shkakton dëm vendit. Përfaqësues zyrtar dhe jo zyrtarë të vende që nuk e kanë njohur me të cilat më ka rënë të kem kontakt, më kanë shtruar pyetjen se pse ta njohim Kosovën, kur një pjesë e rëndësishme e spektrit saj politik nuk po dëshiron që Kosova të jetë shtet, dhe pse me njohtë si shtet një vend që një pjesë e konsiderueshme e popullatës së saj po e konsideron shtetësinë e saj gjendje kalimtare? Mendoj se këtu duhet ketë kujdes dhe të kihet parasysh dhe në ç’situatë gjendemi.

Në bazë të mendimit tim, prioriteti numër një i gjeneratës së tanishme politike, duhet të jetë forcimi i shtetësisë së Kosovës, gjërat e tjera nuk do të duhej të jenë prioritete të saja. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në rrethanat e tanishme, gjegjësisht me këtë rend botëror është i pamundur. Një vend që është pjesë e NATO-s, si Shqipëria, për t’u bashkuar me një shtet tjetër, duhet ta marrë aprovimin e të gjitha shteteve që janë pjesë e kësaj organizate, për shkak të zgjerimit të garancive të mbrojtjes kolektive që rrjedhin nga Neni V-të i Traktatit të Uashingtonit.

Precedenti në NATO për raste të tilla është vendosur me bashkimin gjerman, me ç’rast është dashur që të gjitha vendet e NATO-s të pajtohen me këtë bashkim, dhe që Gjermania e bashkuar të jetë pjesë e NATO-s. Prandaj mendoj se tendencat e tilla nuk sjellin asgjë të mirë në rrethanat e tanishme, përveç një popullizmi irracional që shkakton dëme me pasoja në çdo aspekt. /tesheshi.com/

 

Related posts