Paradoksi i një klubi ndër vite: yjet që Inter “i përzuri” e që shkëlqyen me klube të tjera

Shitja e bujshme e Coutinho tek Barcelona, ka lënë një “shije të hidhur” edhe tek klubi i Interit. Kjo për faktin se për të disatën herë, skautët zikaltër arrijnë të gjuajnë talente, të cilët më pas nuk vlerësohen nga klubi e largohen, për të shkëlqyer në skuadra të tjera.

Mediat në Itali nuk e kanë lënë pa ia përmendur klubit të Interit diçka të tillë, duke formuar madje edhe një 11-she me lojtarë që nuk janë pëlqyer nga klubi, e janë shitur “lirë” në skuadra të tjera, për t’u shndërruar në yje botërorë.

Francezi Sebastian Frey është portieri që përfshihet në këtë formacion, i cili nuk pati shkëlqim tek Inter dhe u largua për t’u shndërruar në gardianin fiks të Fiorentinës, si edhe në portierin e kombëtares së Francës.

Po kështu përmenden emrat e Matias Sammer e Fabio Canavaro, secili yll më vete tek skuadrat ku luajtën, përkatësisht Borusia Dordmund dhe Juventus, si edhe shtylla të kombëtareve respektive.

Nuk mund të lihet pa përmendur Roberto Carlos, një prej mbrojtësve të majtë më të mirë të të gjitha kohërave, i cili gjeti veten tek Reali i Madridit e kombëtarja braziliane.

Mbrojtja plotësohet nga francezi tjetër Miackeal Silvestre, i cili kaloi direkt tek Manchester United. Në mesfushë Inter ka bërë “gafa” të mëdha, duke mos konsideruar yje botërorë si Pirlo e Seedorf, të cilët shkëlqyen më pas të dy tek Milan, e Pirlo edhe tek Juventus.

Tek mesfushorët sulmues e sulmesit e krahut, u dhanë si të dështuar yje si Coutinho, Bergkamp e Robie Kane, e në sulm, Kanu. Bergkamp u shndërrua në yll e kapiten tek Arsenali e kombëtarja holandeze, e po kështu u shndërrua në goleador nigeriani Kanu, ndërsa Keane, shënoi 126 gola në Premier League, e dhjetra të tjerë në kampionatin amerikan e në kombëtare.

Mbase mediat në Itali e vënë në dukje dicka të tillë, për t’i bërë zikaltërit t’i thërrasin mendjes, e të kenë besim tek lojtarët që sugjerojnë personat që kërkojnë talente në të gjithë botën. Në të kundërt, do të vazhdojnë të furnizojnë botën me yje, ndërsa vetë do të “përpëliten” me lojtarë mediokër. /tesheshi.com/

Related posts