728 x 90 Leaderboard

Paradoksi i aktorit: Robert Ndrenika, më i madhi i aktrimit shqiptar…në rolin e një naivi!

Ç’prej muajsh, Robert Ndrenika, një prej ikonave të aktrimit shqiptar, është në qendër të vëmendjes për protagonizmin e tij publik në mbrojtje të godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar. Dhe kur është fjala për qëndrime publike artistësh me emër, ndaj të cilëve zotëron shija unike e të qënit të mëdhenj, është e vështirë të ndash produktin e tyre ekstra artistik, nga qëndrime publike apo çështje të personalitetit privat, të cilat jo gjithnjë janë në sinkron me artin që dhurojnë. Të prirur për t’u shndërruar në idhuj, ata që e bëjnë këtë gjë e kanë të vështirë më pas që t’i zbresin me këmbë në tokë, duke jua vështirësuar dhe atyre vetë këtë gjë, idhujve prej mishi e shpirti. Historia njerëzore është përplot me shembuj të tillë, e gjithashtu dhe ajo shqiptare. Do mjaftonte rasti Kadare, ku shkrimtari – padyshim i madh për nga talenti e aftësia letrare – në disa gjëra njerëzore rezulton i vogël.

Robert Ndrenika, është pa asnjë diskutim aktori më i madh shqiptar, shumë më tepër se dy big-ët e tjerë, Sandër Prosi e Kadri Roshi. Kjo për një arsye të thjeshtë: është i vetmi që ka lëvruar të gjitha gjinitë e aktrimit, përfshirë dhe pantomimën. Askush si ai nuk e ka këtë rekord. Fjala vjen, Sandër Prosi nuk e ka lëvruar komedinë, as Kadri Roshi. Ndërsa Ndrenika, kur e sheh të luajë komedi, thua se ky është i lindur për të qenë aktor komedie, e kur e sheh të luajë dramë, po kështu mendon. E gjithnjë pa llogaritur pra pantomimën, i vetmi lëvrues i saj me dy filma, “Odise e tifozëve” dhe “Duke kërkuar 5-orëshin”.

Dhe tani, në muzg të moshës, ai ka dalë paksa në rolet për të luajtur në jetë rolin e njeriut që nuk do të prishet ajo strehë ku ai e të tjerë si ai, kanë bërë art në vite, pra godina e Teatrit Kombëtar.

Dhe mënyra se si i qaset çështjes, të kujton “Paradoksin e aktorit” të Deni Didero, kryeveprën e mendimtarit të madh francez, ku ai, sikur ta kishte ditur që do ndodhte kjo përplasje në Shqipëri me protagonistë njerëzit e emocioneve të mëdha, mbronte qëndrimin se aktori duhet të jetë i ftohtë e jo peng emocionesh të nxehta. Madje ai, aftësinë e  madhe të një aktori, e shikonte mu tek fakti i kontrollit dhe i frenimit që ai u bënte vrundujve emocionalë, pa e cënuar aspak cilësinë artistike të rolit. Sepse kështu mendonte Didero, aktori do kursente më së pari shëndetin e vet mental. Pra, ishte për të kundërtën e Stanislavskit, kolona bazë e shkollës së aktrimit shqiptar. Dhe sot, Ndrenika ka rënë pikërisht në këto pozita paradoksale, ai dhe të tjerë, të cilët e mbrojnë kauzën e tyre me argumenta nga më pa-artistiket, por dhe jo-logjiket gjithashtu.

Së fundi, aktori i madh ka ngatërruar dhe vetë Erdoganin në meselene e teatrit. Ai e ka krahasuar kryeministrin Rama me presidentin turk, në një tentativë për ta çnderuar politikisht, por që nuk ka asnjë lidhje me vetë cështjen e teatrit. Ditë më parë, ai e lidhi ndërtimin e një teatri të ri edhe me përvojën e hidhur personale të një prone të humbur. Ndërkohë, nuk rresht së kundërshtuari skemën PPP, edhe pse kjo e fundit nuk ka asnjë lidhje me produktin e mirëfilltë artistik dhe kushtet për ta garantuar këtë produkt.

Përgjithësisht, fjalimet tij janë në nivel fjalosjesh, pa strukturim të bukur, as logjik e as letrar. Në kaq kohë që flet në publik, e ke të vështirë t’i veçosh diçka me vlerë aksiomatike.

Por fenomeni Ndrenika si “paradoks aktori” nuk është i vetmi në ambientin teatror shqiptare. Me imazhin e ngulitur të roleve në opinion, sigurisht të arrira, ky i fundit, opinioni, e ka të vështirë t’i perceptojë ndryshe, si njerëz jashtëskenikë, e për më tepër plot vese e probleme të natyrave të ndryshme. A nuk mjafton që kolegu i thotë kolegut “qyrrash”, e kjo nën petkun e artistit!

Për të gjithë ata që nuk e njohin këtë dimension, duhet ta dijnë se prapaskena vërtet ndahet vetëm me një perde me skenën, por mes tyre është një mal diferencash.

Ajo çfarë ndodh këto kohë në Teatrin Kombëtar, e shpërfaq këtë…. /tesheshi.com/

 

 

Related posts