728 x 90 Leaderboard

Opozita: ja pse nuk e votojmë Ligjin për Magjistraturën…Vasilikë!

PD ka paralajmëruar se nuk do e votojë Ligjin për Magjistraturën. Edhe aty, si te e gjithë reforma në drejtësi, opozita sheh një komplot politik. Njeriu i betejave ligjorë në PD, Oerd Bylykbashi, është shprehur sa me ashpërsi e po aq me ironi, ndaj dyshes së mazhorancës Ulsi Manja – Vasilika Hysi, duke u thënë se:

“Vasilikë, nuk mund t’i kërkosh opozitës të jetë e përgjegjshme e të votojë që të kompletojë sistemin e kapjes politike të drejtësisë prej jush, e të bëhet palë. Meqë nuk ju funksionoi mekanizmi i kapjes afatgjatë tek Magjistratura, kërkoni që t’ju ndihmojë opozita?! A je e përgjegjshme për këtë kërkesë Vasilikë?!”, u shpreh deputeti demokrat në një deklaratë publike.

Sipas tij, shumë problem që po shfaqen përgjatë impementimit të reformës në drejtësi, opozita i kishte parashikuar me kohë.

“Më 21 korrik, para dy viteve, ne t’i patëm thënë e stërthënë këto konkluzione për reformën në drejtësi, gjatë mbledhjeve të komisionit. Ty, Vasilikë t’u deshën dy vite që bashkë me Ulsiun, t’i kuptonit këto. Ti dhe kolegët e tu, duhet të merrni përgjegjësinë për rrëmujën katastrofale në drejtësi, që keni shkaktuar me mendjelehtësinë tuaj dhe duke injoruar paralajmërimet e opozitës”, u shpreh Bylykbashi, duke theksuar se “Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE, që nuk ka as Gjykatë të Lartë, as Gjykatë Kushtetuese dhe asnjë institucion kushtetues”. /tesheshi.com/

 

Related posts