Opozita fals e LSI-së: si po “ia vjedh” PD-së akuzat anti-qeveri

LSI po bën një opozitë bajagi të zëshme, por krejt pa sens. Ajo ka adoptuar fraza të gatshme dhe të rrumbullakosura nga PD-ja, ku nuk ka asnjë diferencë mes tyre, ndërkohë që duhej të kishte, dhe shumë madje.

Mjaft të sjellim si shembull këtë frazë: “Edi Rama ka nevojë për t’u vizituar tek mjeku”. E ka thënë Sali Berisha, do thoni ju. Patjetër. Por e ka thënë së fundi dhe Monika Kryemadhi.

Opozita e LSI-së, është tipikisht opozitë në funksion të të bërit opozitë, meqe nuk ka çfarë të bëjë tjetër gjersa ka rënë në opozitë. Por e gjitha kjo është ngushtuar brenda një grumbulli frazash – të cilat tentojnë t’u japin dhe pak letraritet për të kolorizuar; shih Petrit Vasilin – të marra të gatshme nga PD-ja dhe aplikuar në kushte të reja, gjëme duhet thënë, për një parti që i kishte rënë dy herë pushteti “nga qielli”.

 

Por si duhet të ishte opozita e LSI-së?

Ajo isha gjysma e pushtetit dhe e shtetit të deridjeshëm. Dhe si avantazh, duhet të posedonte me prova të gjitha të pabërat e Ramës të cilët t’jua servirte shqiptarëve. Pos kësaj, të proklamonte suksesin e njerëzve të saj apo të institucioneve që drejtonte në shtet. Kjo po që do ishte opozitë. Por nuk e bën; dhe nuk ka si ta bëjë për aspekte lehtësisht të kuptueshme.

 

Morali opozitar

“Opozita nuk është çështje numrash, por çështje morali”, u shpreh fill pas marrjes së protagonizmit të opozitares së vërtetë, Monika Kryemadhi. Dhe sërish vjen pyetja: po sa qëndron kjo shprehje për LSI-në e Kryemadhit? A ka moral një parti që ka qenë 4 vite në bashkëqeverisje, ku ministritë apo drejtoritë e drejtuara prej saj kanë rezultuar më korruptivet, që të bëjë opozitaren e pastër?

Para se t’a merrte këtë rol, LSI do të duhej të paktën të bënte një “mea culpa” për zullumet e qeverisë “Rama”, ku gati gjysmën e “tepsisë” e kishte ajo, që nga kabineti deri tek pastrueset nëpër institucione.

Morali opozitar nuk mund të fitohet duke dalë kundër importit të plehrave pasi e ke propozuar (Ministria e Mjedisit drejtur nga Lefter Koka i LSI-së) dhe e ke votuar ligjin për importin e plehrave në parlament.

As më pak duke kundërshtuar reformën në arsim, pasi e ke miratuar me votat e tua, dhe një prej autoreve të kësaj reforme është zyrtarja e LSI-së si zv/ministre, Nora Malaj.

Emërtimi i LSI-së nga zonja Kryemadhi si “opozita reale”, apo “opozita me moral”, mund të tentojë të luajë me psikologjinë e turmave për t’i marrë më shumë vota e mbështetës PD-së që për pasojë nënkuptohen si “opozita falso” apo “opozita pa moral” (sidomos pas marrëveshjes Basha-Rama), por nuk mund të krijojnë në të vërtetë opozitën për të cilën ka nevojë çdo vend dhe çdo qeveri në demokraci. /tesheshi.com/