728 x 90 Leaderboard

Olti Rrumbullaku: Përse jam pro aksionit (dhe kuponit) tatimor

Oltion Rrumbullaku, Pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë, në UT, është ndër zërat më konsekuentë sa i përket domosdoshmërisë urgjente që në Shqipëri të vendoset përfundimisht “rendi fiskal”, nëse mund të shprehemi kështu. Në intervistën  e mëposhtme, ai shtjellon për të disatën herë argumentat se përse duhet përkrahur operacioni i saponisur për ‘kuponin tatimor’, për të cilin këshillon që të mos bëhet politikë, e aq më pak gallatë….       

Bisedoi: Ermir Hoxha 

Z. Rrumbullaku, a qëndron argument i situatës së rëndë ekonomike (në terma sociale thuhet se njerëzit nuk po kanë bukë të hanë), në një përpjekje për ta kundërshtuar këtë operacion fiskal të saponisur?

Shqipëria është një ekonomi që ka vite që ka mbështetur rritjen ekonomike kryesisht në ndërhyrjen e shtetit nëpërmjet investimeve publike, edhe në ato raste kur ato nuk kanë qenë të paguara në kohë. Megjithatë ky impuls që shteti i ka dhënë ekonomisë nuk ka ardhur pothuajse asnjëhërë nga mirëadministrimi fiskal, por nga një rritje graduale në vite e borxhit publik, të paktën për dhjetë vitet e fundit. Borxhi publik nuk mund të rritet më tej, kështu që çdo qeveri që do ishte do kthente vështrimin nga mirëadministrimi fiskal, tashmë me seriozisht dhe jo si në pesëmbëdhjetë vitet e fundit.

Sidoqoftë, operacioni për formalizimin e bizneseve është në thelb një tentativë për të vendosur një drejtësi tatimore në mes të gjithë bizneseve. Sot, nën ombrellën e bizneseve të vogla operojnë mijëra e mijëra biznese që s`janë më të vegjël në raport me të tjerët, u takon një detyrim tatimor shumëfish më i lartë dhe rritja e detyrimeve tatimore për to nuk është aspak një problem social, por thjesht

Ju jeni ndër zërat e rrallë pa “konflikt interesi” në raport me pushtetin, që e përkrahni fuqimisht disiplinimin fiskal, faktin që shqiptarët duhet ta bëjnë edukatë marrjen dhe dhënien e kupnit tatimor. Nga ju buron kjo konsekuencë?

Personalisht kam mbi dhjetë vite që jap mësim në Universitetin e Tiranës në lidhje me sistemin tatimor, dhe jam përpjekur vazhdimisht që informacioni dhe njohuritë për sistemin fiskal të përhapen sa më shumë në Shqipëri. Padiskutim mund të bëja edhe më shumë për sensibilizimin duke filluar që nga rreth 500 studentë në vit me të cilët diskutoj në leksione për sistemin tatimor, ashtu edhe në media me mundësitë që kam pasur. Kam qenë gjithmonë një kundërshtar i rreptë i drejtimit primitiv që i është bërë administratës tatimore në Shqipëri, sikundër pavarësisht se është thuajse e njëjta administratë, jam në këtë rast ndër të parët që e mbështes për të kryer një detyrë vërtetë patriotike që do i shërbejë shumë të ardhmes së vendit.

 Në këtë “rezistencë shqiptare” për të mos pranuar disa reforma qeveritare, apo disa aksione, siç qe dhe ai për pagesën e energjisë elektrike, a mos vallë ngre krye një handikap i yni genetik antiligj e antishtet, që më pas përligjet me arsyetime të tipit: “por jo kështu”, “jo tani”, “pak më butë”…?

Unë nuk besoj shumë në këtë perceptim. Edhe gjatë tri peridhave të mëparshme të një strukture solide shtetërore në Shqipëri (Periudha Osmane, e Zogut dhe gjatë diktaturës) ka pasur një përmbushje shumë më të rregullt të detyrimeve ligjore, duke përfshirë edhe ato tatimore. Ajo që ka munguar këto njëzet vite ka qenë një qeverisje e bindur për të tejkaluar këto që janë kthyer në probleme dhe thyerje të mëdha strukturore në ekonomi si edhe në sjelljet e qytetarëve apo biznesmenëve të këtij shteti. Shtetet e tjera në Ballkan kanë një situatë të shkëlqyer tatimore, me standarde thuajse pranë Bashkimit Europian, kështu që herët a vonë Shqipëria duhet të bëjë përpjekjet e duhura që t’i bashkohet edhe në këtë drejtim vendeve fqinjë.

Një pyetje shkurt: çpo shkon dhe çnuk po shkon deri tani në operacionin e saponisur?

Jam surprizuar për mirë kur kam vënë re që kjo fushatë ka nisur që gjatë muajve të verës me një masë shumë të madhe vizitash fiskale këshilluese tek të gjithë bizneset që vepronin në mënyrë informale ose thuajse të tillë. Kjo nuk është bërë sa duhet publike, por ka qenë një parapërgatitje e nevojshme që këto biznese të binden për t’u regjistruar pa pasur pasoja. Vetëshifra e mbi 11 mijë bizneseve të regjistruar e tregon këtë. Nga ana tjetër prisja që kjo fushatë të kishte një ritëm më të mirë dhe vizita më të shpeshta tek ato që momentalisht janë të deklaruara si biznese të vogla (me xhiro nën 5 milionë lekë në vit), por në realitet janë biznese me xhiro mbi 20 apo 30 milionë lekë të reja në vit, që nuk duhet të paguajnë vetëm 25 mijë lekë në vit si tatim, por dhjetra apo qindra herë më shumë. Këtu duhet të fokusohet fushata, ditë pas ditë, muaj pas muaji, derisa të vendosë në shina këto biznese. Në Serbi, kur kjo fushatë bëhej përpara 10 viteve, ky grup biznesesh kontrollohej edhe 3 herë në ditë.

Keni qenë kritik me trupën e inspektorëve tatimorë, duke i konsideruar si ndër shkaktarët të derexhesë fiskale të derisotme. Në realitet, ka kuadro të përgatitur që mund t`i përgjigjen kësaj situate?

Nga inspektorët tatimore deri të drejtuesit e tyre kanë ekzistuar prej vitesh linja rryshfetesh që sipas mendimit tim ia kalonin disafish edhe atyre që jepeshin në sistemin e drejtësisë. Edhe një studim i UNODC (organizatë e Kombeve të Bashkuara) e nxjerr sistemin tatimor si më të korruptuarin në Shqipëri, pavarësisht se kjo nuk ka qenë pjesë e asaj që konsiderohet si një informacion me rëndësi jetike për mbarëvajtjen e shtetit dhe të buxhetit. Rryshfetet në sistemin tatimor janë nëpërfitimin e bizneseve dhe të vetë inspektorëve, dhe të dyja palët heshtin në një situatë të tillë. Sidoqoftë dhënia e një rryshfeti të tillë, i humb shtetit të ardhura që janë pesë apo dhjetë herë më të mëdha se vetë shuma e atij rryshfeti, pra të ardhura më pak në kurriz të buxhetit të shtetit dhe të gjithë neve si qytetarë të këtij shteti.

Administrata tatimore në gjithë këto vite në lidhje me rekrutimet është trajtuar si cdo institucion i dorës së tretë në Shqipëri, si ndonjë Institut i Patateve apo Specave (megjithë respektin për këto lloj perimesh). Nga ana tjetër administrata tatimore ka përballë një konsulencë të konsoliduar tatimore private nga bizneset, duke nisur nga kompani ndërkombëtare si BIG FOUR (katër kompanitë e mëdha botërore të auditimit) ashtu edhe shumë kompani ose konsulentë vendas me eksperiencë të konsiderueshme. Në një situatë të tillë ndodh shpesh që paaftësia për të gjeneruar një kontroll rigoroz të bizneseve, sjell gjoba të diskutueshme dhe të orkestruara për të realizuar planet e mbledhjes së të ardhurave tatimore nga institucioni përkatës.

Padiskutim që tashmë në Shqipëri ekziston e gjithë mundësia që administrata tatimore të rekrutojë specialistët më të zotë të fushës, që në radhë të parë të mos jenë thjesht gjobëvënës apo rryshfetmarrës kundrejt bizneseve, por të arrijnë të ndërtojnë një shërbim tatimor qëi këshillon tatimpaguesit kur gabojnëpër arsye të ndryshme të mungesës së informacionit, dhe i dënon apo gjobit vetëm në rastet kur vërtet subjekti tenton të fshehë detyrimet tatimore. Si mundësi krahasimi mund të shërbejë si shembull administrata tatimore e Kosovës, e cila ka një shërbim shumë të mirë ndaj tatimpaguesit, vendos gjoba të pakta, dhe ka rritje të vazhdueshme të të ardhurave tatimore vit pas viti.

Me ç`po shihet, tashmë lajmet me të vetëvrarë apo me “viktima” padrejtësie shtetërore, do jenë mëse të zakonshme. Ju personalisht si i përjetoni këto?

Kostoja më e madhe e formalizimit të një biznesi të vogël është vendosja e kasës fiskale dhe nuk besoj kurrsesi se kjo mund të përbëjë ndonjë ngjashmëri me ngjarje të tilla që erdhën si pasojë e mospagesës së gjatë të energjisë elektrike.

Nga ana tjetër më vjen shumë keq që kjo synohet të kthehet në problem politik. Nëse qeveria e sotme do mund të mbledhë 500 milionë dollarë më shumë në vit nga një reformë e tillë, atëherë çdo qeveri që do e pasojë duhet të ruajë një ritëm të tillë të formalizimit për të mos shkuar mbrapsht në situatën që jemi sot. E në këtë prizëm, kjo reformë është vërtetë një detyrë apo akt kombëtar, një shkundje e shtetit që forcon shtetin, jo vetëm sot, por në vazhdimësi.

Të bënte përshtypje një ditë që një media, e cila edhe pse i përket një brand-i akademik me pretendime serioze, kishte publikuar foton e një personazhi humori që nuk merrej vesh nëse tallej me kuponin tatimor apo me shtetin me anë të kuponit, të cilin e kishte ngjitur me pështymë në faqe. A ju duket e denjë kjo, edhe nëse ka qenë thjesht në funksion të informimit(!)?

Problemi më i madh në Shqipëri nuk ka qenë evazioni tatimor, sesa imuniteti tatimor. Imuniteti tatimor realizohej edhe duke qenë përgjysmë në rregull me ligjin, pra duke i deklaruar detyrimet tatimore, por duke mos i paguar ato. Padiskutim që shumë biznese të tillë, edhe nga ato me pretendime serioze, kanë përfituar nga një situatë e tillë prej vitesh dhe në momentin që fillojnë e paguajnë borxhet e vjetra, mund të jenë të parët në “talljen” e kësaj reforme.

Jemi ende larg shteteve fqinjë, në të cilat ka gjithmonë cështje të interesit publik që nuk bëhen pjesë e kundërshtisë politike. Kjo jo vetëm në formë, por edhe nëpërmbajtje. Unë besoj se nuk duhet të bëhet politikë me kuponin tatimor, apo me sigurimet shoqërore të punonjësve të pasiguruar. Mbledhja dhe pagimi i tatimeve është detyrim kushtetues për të gjithë, ashtu sic është e drejtë kushtetuese përfitimi i shërbimeve publike.

Së fundi, ju keni publikuar në statusin tuaj në FB dhe precedentin serb të para 15 viteve, ku nëpërmjet treguesve shifrorë, paraqisnit përfitimet prej një operacioni drastik të ngjashëm të ndodhur atje. Ç`të mira do ketë prej këtij operacioni dhe, a ekziston mundësia që të ketë dhe efekte negative që mund të rrisin shkallën e një depresioni shoqëror?  

Shqipëria ka pak a shumë që nga viti 1999 që nuk ka një rritje të rëndësishme të të ardhurave tatimore. Ka pasur përmirësime të lehta në disa raste, por të paktën që nga 2008 kemi një bllokim të fortë të rritjes së të ardhurave tatimore. Unë besoj se më një sukses relativisht normal të kësaj fushate, që duhet të zgjatë të paktën rreth 6 muaj, Shqipëria mund të ketë mundësi që të shpenzojë rreth 15-20% më shumë në buxhetin e shtetit. Ky do të ishte një hap përpara dhe qeveria do të kishte mundësi të orientonte një shpërndarje më të mirë të shpenzimeve publike, duke filluar nga pagat e pensionet dhe duke vazhduar në rikthim të rëndësishëm tek investimet publike.

Regjimi tatimor për bizneset e vogla është ende shumë i favorshëm dhe kostot e formalizimit janë ende minimale. Në raste të vecanta mund të kemi të vetëpunësuar që mund të zgjedhin të bashkohen me njëri-tjetrin për të ulur disi kostot e përgjithshme të biznesit, por përsëri me ndikim të vogël nga formalizimi tatimor. Sidoqoftë, në thelb nuk ndryshon asnjë tatim dhe asnjë përqindje tatimi, por ndryshon fakti që do jenë më shumë biznese që do trajtohen njësoj dhe brenda zbatimit të ligjit, ndryshe nga më parë.

Në afatgjatë, formalizimi i bën bizneset shqiptare më kompetitive në përgjithësi. Studimet më prestigjioze në këtë fushë (nga McKinsey Global Institute) tregojnë që veprimtaritë e kompanive informale dhe pjesërisht informale kanë njëproduktivitet shumë të ulët. Kjo ndodh sepse shfrytëzohen avantazhet e informalitetit për të mbetur në treg duke penguar me veprimtarinë e tyre subjekte më formale brenda vendit. Kjo është një tjetër arsye që ndikon në faktin që mallrat shqiptare apo dhe vetë biznesmenët nga Shqipëria, e kanë shumë të vështirë të jenë konkurrues jashtë vendit, edhe në Ballkan, aty ku formalizimi i ekonomisëështë në nivele shumë më të larta se në Shqipëri dhe bizneset janë efikasë duke tejkaluar të gjitha kostot ligjore të aktivitetit. /tesheshi.com/

 

 

Related posts