Olimpiakos në finalen e Euroleague-s, nxjerr nga gara CSKA-në e Moskës

Çfarë gjysmëfinaleje, çfarë kthese e jashtëzakonshme!

Ka spektakël në Final Four, ka spektakël në “Sinan Erdem” të Stambollit!

Olimpiakosi, ky makth i pashmangshëm i CSKA-së së Moskës!

Si mundet ta kthejë kështu një ndeshje thuajse të humbur, me 12 pikë në humbje! 82-78 për Olimpiakosin, që kthehet të luajë pas dy sezonesh në finalen e Euroleague-s.

Përballja e katërt në gjashtë sezonet e fundit mes skuadrës greke dhe asaj ruse, me fitoren gjithmonë në anën e ballkanasve.

Sezoni 2011-2012: në finale, po në Stamboll, po në “Sinan Erdem”,  fiton Olimpiakosi ndaj CSKA-së, 62-61.

Një sezon më pas, në gjysmëfinale, Olimpiakosi e mposht CSKA-në 69-52.

Sezoni 2014-2015; përsëri në gjysmëfinale, përsëri fiton Olimpiakosi ndaj CSKA-së, 70-68.

Për të ardhur në këtë mbrëmje, ku CSKA, kampione në fuqi, shkëlqeu në në pjesën e parë, falë protagonizmit të De Colo-së dhe Teodosic-it. 40-33 përfundoi kjo pjesë për rusët.

Barazimi do të vinte pesë minuta para fundit të lojës, të kthyer tashmë në një betejë fizike. Spanoulis ka marrë Olimpiakosin për dore, dhe dy minuta para bilbilit të fundit, një trepikësh i jashtëzakonshëm i tij u jep avantazhin grekëve.

Në fund, pas përgjigjesh e kundërpërgjigjesh me trepikësha, Olimpiakosi i Pireut e mbyll lojën 82-78!

Kë do të ketë karshi në finalen e Stambollit? Realin e Madridit apo Fenerbahçen? Po këtë mbrëmje do ta mësojë, kur skuadra spanjolle dhe ajo turke të përballen në të njëjtin parket të “Sinan Erdem”-it. /tesheshi.com/