OKB: Këshilli i Sigurimit do të takohet të premten lidhur me Jeruzalemin

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të takohet të premten, me kërkesë të tetë shteteve në trupin prej 15 anëtarësh, mbi vendimin e Presidentit të SHBA, Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, thanë diplomatët të mërkurën, raporton Reuters.

Franca, Bolivia, Egjipti, Italia, Senegali, Suedia, Britania dhe Uruguaji kërkuan nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres, që të raportojë para Këshillit të Përgjithshëm, njoftojnë diplomatët. Trump papritur ndryshoi dekada të tëra të politikës së SHBA-së të mërkurën, duke shkaktuar zemërim te palestinezët dhe duke sfiduar paralajmërimet për trazirat e mundshme në Lindjen e Mesme. Trump gjithashtu ka në plan të lëvizë ambasadën e SHBA në Jerusalem nga Tel Avivi.

Izraeli e konsideron qytetin si kryeqytetin e tij të përjetshëm dhe të pandashëm dhe dëshiron që të gjitha ambasadat të lëvizin atje. Palestinezët në anën tjetër duan që kryeqyteti i një shteti të pavarur palestinez të jetë në sektorin lindor të qytetit, të cilin Izraeli pushtoi në një luftë të vitit 1967 dhe e aneksoi në një veprim që nuk u njoh kurrë ndërkombëtarisht.

Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar “nënvizon se nuk do të njohë asnjë ndryshim nga linjat e 4 qershorit 1967, duke përfshirë edhe ato në lidhje me Jerusalemin, përveç atyre për të cilat janë pajtuar palët negociatore”.

Kjo rezolutë u miratua me 14 vota për dhe një abstenim nga administrata e Presidentit të SHBA, Barak Obama, i cili sfidoi presionin e madh nga aleati i kahmotshëm, Izraeli për të vënë veto. Pasi Trump foli të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u tha gazetarëve: “Unë kam folur vazhdimisht kundër çdo mase të njëanshme që do të rrezikonte perspektivën e paqes për izraelitët dhe palestinezët”. /tesheshi.com/