Obama i emocionuar në fjalimin e lamtumirës: ju më bëtë një president më të mirë

Barack Obama-s i kanë mbetur shumë pak ditë në Shtëpinë e Bardhë. Më 20 janar, Donald Trump nis zyrtarisht detyrën si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga Çikagoja ka ardhur fjalimi i lamtumirës i Obama-s, ku nuk ishte e vështirë të dalloje emocionet e forta të presidentit në ikje.

“Çdo ditë mësova nga ju,” u tha Obama të pranishmëve në fjalën e tij, por duke iu drejtuar popullit amerikan në tërësi. “Ju më bëtë një president më të mirë, ju më bëtë një njeri më të mirë.”

Reforma e kujdesit shëndetësor, rritja ekonomike dhe barazia martesore u nënvizuan në fjalën e Obama-s si arritje të administratës së tij në tetë vitet e presidencës.

“Kjo është çfarë ne bëmë. Kjo është çfarë ju bëtë. Ju ishit ndryshimi. Ju iu përgjigjët shpresave të njerëzve, dhe prej jush Amerika është një vend më i mirë, më i fuqishëm, se ç’ishte kur nisëm.”

Obama theksoi në fjalën e tij se bota do të shohë pas dhjetë ditësh një veçori të demokracisë amerikane, kalimin paqësor të pushtetit nga një president në tjetrin.

“Iu angazhova presidentit të zgjedhur Trump se administrata ime do të garantojë kalimin më të butë të mundshëm, siç bëri për mua presidenti Bush.”

“Demokracia kërcënohet kur ne e marrim atë për të mirëqenë,” do të thoshte Obama teksa prekte një sërë temash të nxehta aktuale. “Të gjithë ne duhet t’i përvishemi detyrës së rindërtimit të institucioneve tona demokratike.”

Racizmi, partizania dhe pabarazia e kërcënojnë demokracinë, sipas Obama-s. “Pavarësisht të gjitha dallimeve tona të jashtme, ne jemi të gjithë bashkë në këtë. Ne ngrihemi apo biem si një.”

Dhe, mes të tjerash, në përfundim të fjalës së fundit si president, Obama ka patur një kërkesë për bashkëqytetarët e tij: “Po ju kërkoj të besoni. Jo në aftësinë time për të sjellë ndryshim, por në tuajën!” /tesheshi.com/