728 x 90 Leaderboard

Nuk shohin por ndjejnë, të verbrit në Kosovë hyjnë në grevë urie: pse zgjodhëm të luftojmë me uri

Ashtu siç paralajmëruan ditë më parë, Iniciativa e Pavarur e të Verbërve ka filluar grevën e urisë në një tendë të vendosur para qeverisë së Kosovës për shkak të, siç thonë përfaqësuesit e saj, mosreflektimit ndaj kërkesave të tyre.

Ata duan punë si dhe t’u krijohen libreza shtetërore që do t’ua mundësonin shërbime më të mira si për kontrolle mjekësore ashtu edhe për qasje më të lehtë në institucione.

Halil Kurmehaj, përfaqësues i të verbërve thotë se nga qeveria kanë marrë veç premtime, por jo afate kohore për nisjen e bërjes realitet të kërkesave të tyre.

Ai në një intervistë për tesheshi.com tregon se si do veprojnë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, sa janë të diskriminuar si kategori, sa persona të verbër janë të punësuar, ç’probleme hasin në shkollim etj.

Bisedoi: Blendi Gashi

Ju sot keni nisur grevën e urisë. Cilat janë kërkesat tuaja?

Arsyeja kryesore është zbatimi i ligjit për personat me aftësi të verbër dhe zbatimi i kornizës që rregullon të drejtat dhe detyrimet për personat me aftësi të kufizuara.

Disa nga kërkesat tona janë: punësimi, rehabilitimi i personave të verbër, bërja e librezave të verbërisë, çështja e shkollimit në aspektin praktik pasi është shumë problematik, mungojnë mjetet për shkollim, literatura e brajit, hardveri, softverët akustik etj.
Pastaj çështja e strehimit për të verbrit që nuk kanë kulm mbi kokë, benificione në shpenzim të energjisë elektrike etj.

A keni zhvilluar takim me qeveritarët? C’farë ju thanë ata?

Po sot kemi zhvilluar takim me përfaqësuesit e qeverisë ku i kemi riadresuar kërkesat tona, pasi ata kanë qenë edhe më parë të njoftuar, pasi ju kemi dërguar me shkrim.

Në takim na u dhanë premtime që brenda vitit të punësohen 15 persona, të rregullohen librezat e verbërisë, por nuk mund t’iu besojmë pa marrë ndonjë veprim konkret.

A është e diskriminuar kategoria juaj qoftë në punësim, arsim etj?

Diskriminimi është i dy llojshëm, i tërthortë edhe direkt. Ka diskriminime të gjitha format, dhe shkelet edhe ligji për diskriminimin.

Kërkesa janë të bazuara në ligj. Çështja e punësimit është esenciale pasi që ne kemi kryer edhe studime të ndryshme edhe të nivelit master.

Ne po kërkojmë edhe një stabilitet për çështjen e edukimit dhe arsimimit duke krijuar kushtet adekuate për shkollim dhe arsimim dhe jo vetëm për të shkuar në shkolla publike përfshirë edhe universitetet publike pa pas edhe një kusht të vetëm për të studiuar vetëm sa për të studiuar vetëm sa për të na falë nota.

A keni shifra, sa persona të verbër janë të punësuar?

Tetë persona të verbër janë të punësuar nëpër institucione e ndërmarrje të ndryshme, pjesa dërmuese janë nga ish-sistemi komunist. Ky numër i të punësuarve është jashtëzakonisht i vogël nëse kihet parasysh numri prej rreth 3 mijë personave të verbër që janë.

Se po ju bëhet e padrejtë të verbërve e tregon edhe fakti se në vitin 2014-të sipas ligjit është dashtë të punësohen 18 persona, ndërsa s’është punësuar asnjë.

Çfarë nëse nuk plotësohen kërkesat tuaja? Sa do zgjasë greva?

Grevën do ta vazhdojmë deri në një vendim të ri edhe pse moti nuk është në favorin tonë. Tek tenda ishte edhe Jahja Lluka, këshilltari i kryeministrit Haradinaj ku dha premtime dhe u mundua të na bindë që të ndalim grevën, por nuk kemi si t’iu besojmë pa marrë ndonjë veprim konkret pasi ata janë në njohuri për kërkesat tona qe katër muaj

Për ta ndalur grevën qeveria duhet të marrë veprime konkrete, pra ta thotë qartë se brenda javës merret vendimi për këtë çështje, pra vendime në afate kohore, gjithnjë duke u bazuar në ligj. /tesheshi.com/

Related posts