Nuk ka gola në derbin e Romës, Inzaghi i kënaqur

Lazio dhe Roma ndanë nga një pikë në derbin e kryeqytetit italian, me një barazim pa gola, 0-0. Një rezultat që i mban dy ekipet përkatësisht në vend të tretë dhe të katërt në klasifikimin e Serisë A italiane, me nga 61 pikë.

Lacio vinte pas eliminimit në çerekfinalet e Ligës së Europës, ndryshe nga Roma, që në Champions League eliminoi Barcelonën.

Megjithatë, rastet nuk munguan si një njërën portë ashtu dhe në tjetrën. Lacio pati disa mundësi të mira, ndërkohë që fundi i lojës foli për Romën. Dzeko rrezikoi seriozisht të shënonte; Strakosha do të reagonte shkëlqyeshëm në një moment të tillë, duke e mbajtur të paprekur rrjetën e portës së tij.

Simone Inzaghi, trajneri i Lacios, u shpreh i kënaqur pas ndeshjes.

“Duhet t’i përgëzoj lojtarët e mi, teksa nuk ishte e lehtë në këto rrethana… Vepruam mirë për të reaguar ndaj eliminimit të së enjtes në Europa League.”

Inzaghi deklaroi se Lacio nuk e fsheh ambicien për të garantuar pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Përndryshe, Juventus fitoi sot 3-0 ndaj Sampdorias dhe e konsolidoi vendin e parë me një shkëputje me gjashtë pikë nga Napoli ndjekës, që barazoi 0-0 me Milanin në “San Siro”. /tesheshi.com/

 

Related posts