Njohësit e Kushtetutës në Kosovë: ja si (nuk)zgjidhet kriza e shkaktuar nga PAN-i

Nga Blendi Gashi

Me qëllim që të zhbollokohet kriza politike në Kosovë e cila ka hyrë në javën e dytë pasi partitë nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për të konstituuar organet e Kuvendit dhe ecur më tutje me zgjedhjen e qeverisë, deputeti i LDK-së, Arben Gashi dje pas dështimit të sërishëm të seancës ka dhënë një propozim që sipas tij do ta nxirrte vendin nga kriza.

Ai ka propozuar që në seancën e radhës konstituive, në pajtim me të gjitha partitë politike parlamentare, duke përfshirë edhe ato të komuniteteve jo-shumicë, të emërohen nënkryetarët e Kuvendit të cilët u takojnë sipas Kushtetutës dhe të fillohet me periudhën e ecjes së afateve kushtetuese, ndërsa pozita e kryeparlamentarit të mbetet e zbrazët derisa koalicioni PDK-AAK-NISMA të jetë gati të bëjë propozimin, apo si rezultat i afateve kushtetuese t’i humbin mandatet dhe të provokohen zgjedhje të jashtëzakonshme, duke hyrë në një cikël normal demokratik të ndërtimit të institucioneve si rezultat i votës.

Sipas Gashit, në rastin me të keq prishja e “status quo”-s dhe thyerja e kësaj gjendje do të provokonte dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese nga ana e koalicionit PAN apo nga deputetët të tjerë për të kërkuar sqarime për afatet ligjore dhe të drejtën procedurale, dhe do ta mbyllte njëherë e mirë sipas tij çështjen e kryetarit/ës të Kuvendit duke e përcaktuar procedurën, dhe afatet për këtë çështje.

 

 Por ja ç’thonë njohësit e kushtetutës…

Propozim i Gashit të LDK-së po shihet jo i qëlluar nga njohësit e Kushtetutës, pasi thonë, përveç që bie ndesh me të nuk ofron kurrfarë zgjidhje.

Konstitucionalisti Mazllum Baraliu mendon se kjo ide nuk mund të ofrojë zgjidhje dhe sipas tij, qysh në start mund të dështojë për shkak të mungesës së kuorumit, sidomos kur dihet se Lista Serbe ka dëshmuar përkrahjen për PAN-in.

Nuk duhet filluar nga mbrapsht. Kushtetuta e thotë qartë se propozimi i parë bëhet për kryetar të Kuvendit nga koalicioni më i madh parlamentar. Prandaj nuk mund të votohen nënkreytarët para kryetarit, pasi është renditje institucionale edhe kushtetuese edhe me rregulloren e Parlamentit, prandaj unë besoj se nuk do të realizohet dhe nuk do të prodhojë asgjë.

Edhe po të bëhej ashtu nuk do të ketë konstituim të Kuvendit pa kryetar, dhe rrjedhimisht nuk ka konstituim të seancës konstituive të Kuvendit. Pra janë këta faktorë që dyshoj se një propozim i tillë mund të ketë efektet e duhura dhe mos të ketë shkelje procedural dhe shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit”, thotë Baraliu për tesheshi.com.

Edhe njohësi tjetër i Kushtetutës, Riza Smaka, e thotë qartë se një propozim i tillë nuk mund të sjellë kurrfarë efekti pozitiv për të lën pas ngërçin politik.

Duhet të përfillet Kushtetuta për pikë ose duhet të dilet para popullit të shkelet me traktor. Kushtetuta e thotë qartë se së pari zgjedhet kryetari dhe më pastaj pesë nënkryetarët. Prandaj këtu nuk ka kompromis dhe vend për të lujatur. Nuk është puna hajde po e bëjmë apo jo, andaj është një version i paqëndrueshëm”, thotë Smaka për tesheshi.com.