728 x 90 Leaderboard

Njihuni me “Rita Petrot” televizive: “Xingu” një prej tyre…

Nga Ermir Hoxha

Vargëzimi më i fundit i Rita Petros me kumt inçestiv, ishte, pos anës dëshpëruese, dhe një tregues pozitiv se qibri ynë shoqëror ende gjallon, mbahet në jetë dhe nuk ka vdekur plotësisht; e ndërkohë, dëshpëruese në rastin e poeteshës kontraverse është vetëm hapësira që i është lënë asaj për të diktuar formimin e vet mbi vatrat e dijes si hartuese tekstesh shkollore, ku ngjashëm si në rastin e “vrimës” iu ofrua opinionit si një model suksesi poetik me anë të një çmimi shtetëror, për më tepër “Lumo Skëndo”, pa patur kurrfarë të përbashkëte me të madhin e mendimin shqiptar Mit’hat Frashëri.

Në aspekte të tjera, ajo është e lirë të krijojë ashtu siç ia ndjen, siç dhe vetë e ka pohuar se vargjet e hedhura janë ato që ka ndjerë. Dhe vërtet ashtu është, nuk ka bërë asnjë zbulim, nuk ka rrëfyer as një sekret. Por sikurse u tha më sipër, gjitha çështja është se me ndjesitë e saj gatuhet brumi i fëmijëve tanë, duke iu lejuar ta bëjë të këtë gjë në rrugë shtetërore.

Por sa “Rita Petro” kemi çdo orë e çdo ditë, prej atyre që na serviren nga ekrani, e që, kush ka pak qibër, i bëhet të mbyllë sy e veshë sidomos kur gjendet me familje.

Ndër më “tradicionalet” janë felinat e emisioneve investigative, ku veçohen “Fiks”-i dhe “Stop”-i. Të huazuara ashiqare nga një format italian, ato nuk kanë kaluar asnjë filtër shqiptar për të qenë apo mos qenë, të paktën duke gjykuar se ajo çfarë mund të gëlltitet në një shoqëri me të tjetra tabiate, nuk është e thënë të jetë të jetë e gëlltitshme gjetiu, këtu tek ne, edhe pse afërsi fizike. Vetë emisionet, me format ekstra-gazetaresk, meqë kanë investigimin si linjë bazë prej së cilës serviren lloj-lloj paudhësish deri dhe dramatike, nuk e përligjin aspak atë element kinse spektakli, ku dy çupërlina gjysmëgollomesh harlisin kurmin e tyre deri në një pëllëmbë distancë ndaj çdokujt që sheh televizor në atë moment. Është thjesht Rita në formën e siluetave që tentojnë të shfarrosin çdo “din e iman”, ndërkohë që ka dhe një paradoks tjetër: e çka për të kërcyer hareshëm teksa zbulohen horrlliqet e ardhura ngamos? Rasti më flagrant ishtë ai i paradisanetëve në “Stop”, ku pasi u dhanë pamjet se si një grua jepte shpirt e zënë nga një portë hekuri, fundi i sekuencës u shoqërua me duatrokitjet elektronike në sfond….dhe buzëqeshjet e felinave.(!!!)

“Rita” tjetër është “Zona” e Çanit. Aty kryhen të gjithë llojet e promovimit të “vrimave” alla Petro, por, fakti që ka audiencë, tregon, dëshpërimisht, se reagimet kolektive ndaj vargëzimeve të përdala të poetes së trazuar kanë një farë selektiviteti hipokrit.

Në përmasa pak më të vogla, “Rita” vjen dhe tek “E diela” e Gjebreas. Pak javë më parë, Arditi bashkëshort e prind, nuk e pati për gjë të englendisej erotikisht mbi kurmin e një çupërline, porsi poetja Petro me vargjet e saj të tipit “banjo konvikti”.

Dhe vjen “Xingu” i Ermalit. Bashkëshort e prind gjithashtu, djali që vjen nga muzika dhe lëvron humor, e ka shndërruar platenë e emisioni të tij në një hapësirë televizive ku promovohen dhe aty, vargjet e Ritës në formë siluetash femërore, shoqëruar me fjalor “banjoje konvikti”, siç ishte rasti me fenomenin familjar “Qerreti”. Por më parë, xing u bë me një siluetë që ia trallisi mendtë dynjasë, me një lloj provokimi të paturp, deri në pikën kur nis e mendon: ç’ndodh me gruan e fëmijën e drejtuesit shakaxhi teksa shohin evlatin e tyre që nën nota humori i jargavitet çupës së botës pasi “ia ka hequr”…turpin më parë me skenar? Dhe të ngjashme ai ofron pothuajse në çdo puntatë, njëra më pakufij se tjetra.

Nuk po futemi tek cilësia e humorit që ofron Ermali, një boshësi tronditëse e fabulës që më shumë se humor, në kuptimin artistik të fjalës, është një gallatë e rëndomtë me mungesë ulëritëse artisticiteti; por mjaft që dhe ai po servir rregullisht “Ritën” e tij pa ndeshur reagimin e askujt. Madje fansat i janë shtuar deri në shifra rekord në rrjete.

Është “Dance with me”, ku Rita shfaqet hera-herës dhe në dialogje me protagonist një gojështhurrur në juri, pos pamjeve me eros të shfrenuar tek elementi femër.

Ndaj dhe Rita reale ndihet komode kur (nuk ja)ndjen çfarë shkruan, sepse ajo nuk është e vetme. Ka plot kolegë në televizione! /tesheshi.com/

 

 

 

 

Related posts