reklama juaj ketu

Njeriu i Pacollit në AKR: Pse Kusari-Lila nuk duhej të largohej nga partia

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Ikja e Mimoza Kusari-Lilajt nga partia e Pacolli, nuk shihet me sy të mirë nga organizata politike nën emrin e së cilës u zgjodh kryetare e komunës së Gjakovës. Tashmë, AKR ka vetëm Mitrovicën me Bahtirin, për të cilin pretendon se ka qeverisur mirë dhe me “duar të pastra”. Dhe në bazë të dy modeleve, Gjakovës – pavarësisht ikjes së Kusari-Lilajt drejt një partie të re – e Mitrovicës, forca politike e udhëhequr nga Pacolli ka pretendime jo të vogla për zgjedhjet e ardhshme. Madje ajo, edhe pse në të fundit nuk arriti ta kapërcejë pragun elektoral, do guxojë sërish të futet e vetme në zgjedhje.

Sami Borovci, anëtar i grupit koordinues qendror të zgjedhjeve në AKR, njëherëit dhe asambleist në Komunën e Prishtinës, e cili kryetar Pacollin e quan edhe president – si e gjithë partia në fakt- flet me gjerësisht për momentin politik dhe sfidat që e presin AKR-në, pa lënë mënjanë dhe gjestin e Kusari-Lilajt…

 

Borovci, janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme, a është e gatshme AKR që të futet në këto zgjedhje?

Kjo qeverisje, ky koalicion vendit i ka prodhuar vetëm kriza, mungesë zhvillimit, bllokim të proceseve dhe izolim. Partneret e koalicionit nuk kane arritur të çojnë përpara objektivat për çka u votuan, madje vendin e kane kthyer mbrapa, kemi humbur shumë kohë. Duke pas parasysh këto rrethana, ne vlerësojmë se zgjedhjet e parakohshme janë opsioni i vetëm, që në këtë mënyrë do të ishte e mundur që përmes votës të bëhej ndryshimi i duhur në këtë vend.

Aleanca Kosova e Re është në proces të brendshëm zgjedhor, proces ky i cili tashmë ka hyrë në fazën finale, nga ky proces synojmë të dalim me njëstrukturë tejet të fuqishme e kualitative. Pra, ne jemi të gatshëm tëshkojmë në zgjedhje të parakohshme, jemi duke bërë përgatitjet e duhura për këtë gjë. Presidenti Pacolli po merret intenzivisht me procesin e riorganizimit të partisë në të gjitha fushat, prandaj në zgjedhjet e ardhshme AKR do të jetë alternativë e padiskutueshme zhvillimore.

 

Nëse do mbahen zgjedhjet, me çfarë programi politik AKR do ju prijë qytetarëve?

Programi ynë është i bazuar në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, pra siç e dimë programi ynë është programi i zhvillimit ekonomik, e që rrjedhimisht nënkupton krijim të vendeve të reja tëpunës, krijim të kushteve dhe thithje të investimeve të huaja, rivitalizimin e plotë të gjigantit tonë ekonomik Trepça, sundim të plotë të ligjit, administratë efikase, qeverisje me duar të pastra dhe me profesionist të fushave përkatëse, liberalizim të vizave dhe integrim në familjen europiane.

 

Borovci, si po shkon organizimi i brendshëm i partisë dhe kur do t’i keni zgjedhjet për të parin e AKR-së?

Riorganizimi i partisë po shkon mjaft mirë. Jemi duke u shtrirë në gjithë vendin, lagje, fshat, qytet, kudo, kjo për shkak të deponimit të mirë që po e gjejmë për AKR-në dhe Presidentin Pacolli në të gjitha anët. Synojmë që procesi i riorganizimit të përmbyllet me rreth 800 nëndegë, ku me shumë se 30 degë dhe 45,000 njerëz janë të involvuar në këtë proces. Sa i përket Kongresit Qendror të partisë, ende nuk kemi caktuar një datë finale, por mund të jete muaji dhjetor.

 

Kurdo qoftë që ka zgjedhje parlamentare, duke u bazuar në zgjedhjet e kaluar AKR nuk mundi të kaloj pragun zgjedhor. Në zgjedhjet e ardhshme a do ketë koalicion parazgjedhor?

AKR do të garojë si e vetme në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa synimi ynë është rritja e fuqisë sonë politike përmes votës në mënyrë që të arrijmë të implementojmë programin tonë ekonomik për qytetarët.

 

Disa herë është thënë se në subjektin tuaj politik do ketë prurje të reja dhe atë të shkencës, shoqërisë civile etj…

Po, kjo është shumë e vërtetë, procesi i strukturimit po sjell shumë njerëz të rijn, profesionist, njerëz të dëshmuar, e edhe tërijnë me shkollime të avancuara, brenda dhe jashtë vendit.  Deri në fund të konsolidimit të organeve të partisë do tëketë prurje të reja nga bota e shkencës, shoqërisë civile etj., të tillë veç kanë ardhur, por se shpejti do të kemi edhe prurje shumë të rëndësishme dhe figura kyçe në shoqërinë tonë.

 

Sa do ta ndihmojë ngritjen e AKR-së qeverisja komunale në Mitrovicë dhe Gjakovë?

Njerëzit e AKR-së në këto dy komuna kanë qeverisur me duar të pastra, madje një nga zotimet kyçe të kryetarit Bahtiri ka qenë çrrënjosja e plotë e korrupsionit dhe nepotizmit në Komunën e Mitrovicës, ai tashmë e ka bërë atë dhe këtë qytetarët e Mitrovicës po e shohin një gjë të tillë.  Këto dy komuna shumë të rëndësishme janë fituar fal programit të AKR-së dhe po ashtu me programin e njëjtë janë qeverisur. Siç e dini, në këto dy komuna Presidenti Pacolli ka investuar edhe në hapjen e fabrikave dhe krijimin e vendeve të punës, e kjo është shumë e rëndësishme sot. Andaj, ngritja e AKR-se është e pashmangshme.

 

Borovci, duke e patur parasysh që znj. Mimoza Kusari është larguar nga kjo parti, sa do të ndikojë kjo në Gjakovë, pasi edhe z. Pacolli ka investuar në ekonominë e këtij qyteti?

Që nga themelimi i AKR-së, në Gjakovë gjithnjë kemi pas mbështetje të fortë nga qytetarët e komunës në fjalë, fakti se dikush mund të largohet në gjysmë të mandatit nga një parti falë të cilës mori besimin për të drejtuar një institucion kaq të rëndësishëm, sigurisht se nuk është e ndershme dhe fati i tyre veç dihet, e kemi parë tashmë me të gjithë që janë larguar gjatë  rrugës, por ne si subjekt individëvetë tillë ju urojmë suksese. Gjakova është fituar nga AKR, qytetarët e Gjakovës e kanë vlerësuar programin e qartë të AKR-së dhe vizionin e Presidentit Pacolli për zhvillimin e qytetit dhe krijimit të perspektives për të rinjtë.

Tani, ne kemi ndërtuar një strukturë edhe me të fuqishme se sa që e kemi pasur, ne tani kemi themeluar rreth 25 nëndegë atje, kemi konsoliduar dy forumet (Rinor dhe të Gruas), se fundmi kemi mbajtur edhe Kuvendin e Degës dhe kemi zgjedhë organet e reja të degës në një kuvend madhështor, andaj nga kjo me se miri shihet se gjakovarët mbesin të rreshtuar prapa vizionit të Presidentit Pacolli.

Siç e thatë edhe ju, Presidenti Pacolli ka realizuar një numër të konsiderueshëm të investimeve në këtë qytet, hapja e disa fabrikave atje drejtpërdrejt ndikon nëpërmirësimin e mirëqenies se qytetarëve, e investimet në këtë qytet nuk përfundojnë me kaq. /tesheshi.com/