Dinastia Schumacher me sa duket do të vijojë në Formula 1. Ose të paktën, e sigurtë është që do të vijojë në garat me makina, në kategori të ndryshme. Pas legjendës Michael Schumacher, që vijon të luftojë me vdekjen, e vëllait të tij, Ralf Schumacher, një tjetër djalosh i familjes, po përgatitet të ecë në gjurmët e xhaxhait të tij. Bëhet djalë për David Schumacher, djalin 16-vjeçar të Ralfit, i cili ka filluar të garojë në kategori të ndryshme të moshave.
Ai ka dëshirë të bëhet pasues i xhaxhait në Formula 1 dhe nuk e fsheh ambicjen që ka. David është anëtari i katërt i familjes Schumacher që merr pjesë në garat profesioniste të makinave. Pas Michael e Ralf, është djali i Michael-it, 18-vjeçari Mick Schumacher, që tashmë garon në Formula 3. Më i fundit, është pikërisht David, i cili shprehet se ëndërron të garojë në Formula 1.
Sipas ekspertëve, genet e mira David i ka më aktive se djali i Michael, edhe pse është ende herët të flitet për të. Vetë djaloshi që e ka filluar në garat kart, thotë me një lloj vetsigurie të ngjashme me atë të Michael dikur, se synon të vazhdojë rrugën e xhaxhait e babait të tij.
“Unë patjetër që e shoh veten në Formula 1, e shpresoj të eci përpara me një skuadër të mirë” – thotë pa frikë David Schumacher.
A do të mjaftojë emri i mirë për të nxjerrë një tjetër kampion nga dinastia Schumacher, kjo mbetet për t’u vërtetuar. Por fakt është se fisi Schumacher, ka ende për t’i dhënë garave me makina, e ndoshta ka ende për t’i dhënë, tituj kampionë, palmaresit të familjes. /tesheshi.com/