728 x 90 Leaderboard

Një shkrim i vitit ’97: përse shqiptarët duan ta lënë Shqipërinë?

Një valë e re e paprecedent ikjeje po ndodh ndër shqiptarë, e kjo për ironi në kohën e pagëzuar si “rilindje” nga kasta aktuale qeverisëse. Të jetë thjesht tregu i punës, siç e thjeshton në arsyetim kryeministri Rama, që ndryshe nga homologu Vuçiç nuk shfaq çuditërisht asnjë alarm për këtë zbrazje njerëzore, deri me tani në cilësi e këtej e tutje dhe në sasi?

Një shkrim që daton në mesin e viteve ’90-të, më saktë në klimën e ‘97-ës, produkt i mediave të kohës por pa autor, shpjegon shumëçka rreth dilemës së madhe se pse shqiptari vijon ta braktisë vendin e tij, madje me një tjetër ritëm, edhe më të frikshëm, duke iu bërë atdheu kaq i ftohtë, deri dhe armik i të drejtave dhe dinjitetit të tij?

Veç një ekonomie të kapluar nga anemizmi, duket se është dhe një shtet që edhe pse po promovohet se po “bëhet shtet”, mbetet diçka në mos armiqësore, jo në aleancë me shtetasin, me qytetarin. Pra, ne ende nuk e ndjejmë ta kemi shtetin një aleat sesa një sundues mbi ne, shpërfillës gjithashtu dhe larg, shumë larg interesit qytetar. Rilindja ende nuk ka dhënë sinjale në terrenin e përditshëm të një shteti që nuk është thjesht një strehë për mijra rrogëtarë burokratë, tuhafë e rrjepsa, por të njerëzve me ide, kreativitet dhe ndërgjegje shoqërore.

Shkrimi i mëposhtëm i përmbledh të gjithë këto në një sintezë brilante:

“Përse shqiptarët nuk po arrijnë ta kthejnë vendin e tyre në një shtëpi të përbashkët? Pse ai gjatë kohës së Enver Hoxhës i shëmbëllente më shumë një burgu sesa një shtëpie, kurse tani, i përngjet një vendkalimi sesa një shtëpie. Shkaqet janë të shumta dhe duhen kërkuar thellë në histori. Ajo ç’ka bie menjëherë në sy gjatë këtij shekulli është se shteti shqiptar ka qenë vazhdimisht armik i popullit shqiptar. Përgjithësisht kombi (si kulturë, fe, gjuhë e territor i përbashkët), i ka paraprirë shtetit.

Por gjithashtu historia ka treguar se, sapo këto dy realitete janë bashkuar e kanë hyrë në harmoni me njëri-tjetrin, kjo lidhje është bërë faktikisht edhe në ide e pandashme. Kjo, padyshim, ka ndihmuar për të zhvilluar atë ndjenjë përgjegjësia kombëtare dhe shoqërore, pa të cilën një shoqëri dhe vend nuk është tjetër vecse një grumbull individësh.

Në Shqipëri shteti u formua shumë vonë dhe, për fat të keq, qyshse është formuar, nuk ka mundur të identifikohet me kombin, përkundrazi, është identifikuar me zgjedhën e kombit. Individët që e kanë krijuar atë nuk kanë qenë të dominuar asnjëherë nga ndjenja e përgjegjësisë kombëtare, por nga ajo e luftës klanore për të eliminuar kundërshtarët dhe për të sunduar e përfituar.

Shqiptarët po vazhdojnë ta braktisin kombin – shpesh ata më të mënçurit e më të mirët. Pa dyshim që një nga shkaqet kryesore ka qenë ai që shteti shqiptar ka qenë armik i kombit shqiptar.

Ç’duhet bërë që shteti shqiptar të mos jetë i tillë? Kjo është një nga çështjet më të mëdha  që shtrohen përpara kulturës politike shqiptare”. /tesheshi.com/             

Related posts