Një parajsë nën tokë: jetimorja e vetme në Alepo mbledh fëmijët e mbetur në rrugë nga lufta

Dy kate nën tokë, jetimët me më shumë fat të Alepos flenë të sigurtë, aq sa mund të jetë njeriu në një qytet në luftë, edhe pse ata zgjohen herë pas here nga bombat që shqyejnë rrugët sipër tyre.

Për ta kujdeset Asmar Halabi dhe gruaja e tij, e cila i di me imtësi dëmet që mund të shkaktojnë shpërthimet, pasi ende mban në trup plagët e marra gjatë një sulmi ajror në shkollë, rreth dy vjet më parë.

Vuajtjet e fëmijëve të qytetit sirian, që kanë mbijetuar përgjatë viteve të tëra bombardimesh, kapën titujt e parë të shtypit këtë javë të nxitura nga një fotografi e pesëvjeçarit, Omran Daqneesh, të shtangur e të përgjakur, ulur në fund të ambulancës që do e dërgonte në spital.

Prindërit e tij po ashtu u nxorrën të gjallë nga rrënojat e shtëpisë së tyre, dhe familja pasi doli nga spitali, është ribashkuar. Por ndërsa sulmet ajrore ruse dhe bombat me mbushje të qeverisë shkatërrojnë pjesën lindore të Alepos që mbahet nga kryengritësit, duke vijuar rrugë më rrugë, shumë fëmijë përballen me tronditje dhe humbje të mëdha.

50 jetimët që strehohen në jetimoren e Halabit, Moumayazoun janë disa nga individët më të brishtë të mbetur në qytet. Jetimorja u zhvendos nën tokë kur bombardimet e pafund u bënë të tepërta për të vazhduar jetën normale, dhe tashmë në vendndodhjen e re ajo përbën një parajsë nëntokësore.

JETIMORJA 1

Fëmijët variojnë nga dy deri në 14 vjeç. Prindërit e tyre janë vrarë ose janë shndërruar në mendërisht të paaftë apo janë zhdukur në mënyra të ndryshme në një konflikt që tashmë po hyn në vitin e gjashtë.

“Ata janë përshtatur në mënyrë të jashtëzakonshme ndaj kësaj jete të tmerrshme”, tregon Halabi për fëmijët që ka nën kujdestari. “Për shembull, ata më parë frikësoheshin shumë kur dëgjonin zhurmën e avionëve, por së fundmi ata duan të dalin jashtë ndërtesës dhe të shohin në qiell për avionë apo helikopterë kur dëgjojnë që po afrohen”.

Shumë nga fëmijët janë bërë të pastrehë, si psh vëllezërit Omar, 12 vjeç dhe Mufedah, 13 vjeç, të cilët u gjetën duke fjetur në shkallët e ndërtesës së apartamentit të xhaxhait të tyre. Ai i nxorri ata në rrugë për të lypur ushqim dhe monedha, pasi babai dhe nëna patën një krizë nervore dhe më pas u zhdukën. Edhe pse të afërmit e tyre ua ndaluan hyrjen në apartament, porta ende dukej për ta më e sigurtë sesa rrugët.

Jetimorja u hap vitin e kaluar, pasi aktivistët ngritën shqetësimin rreth numrit në rritje të të rinjve të varfër që nuk gjenin mjete jetese për të jetuar të vetëm. Jetimorja ka hapësirë edhe për 100 fëmijë të tjerë, dhe banorët e rinj mbërrijnë me një frekuencë tragjike.

“Ne bëmë një vëzhgim për numrin e fëmijëve që kanë humbur një apo dy prindërit, dhe me trishtim zbuluam se ishte vërtet një numër i madh”, thotë Halabi, i cili para luftës ishte tregtar dhe nuk ka fëmijë të vetët.

ALEPO

Stafi i tij prej 25 personash përbëhet nga kuzhinierë, roje sigurie e deri tek mësuesit që japin çdo lëndë që nga matematika, te arabishtja, thurrja dhe recitimi i Kuranit. Mes figurave më të rëndësishme në jetimore janë psikologët që punojnë me kohë të plotë, e që kanë ngritur një dhomë të veçantë këshillimi ku punojnë me fëmijë si p.sh tetëvjeçarja Jasminë.

Pasi humbi nënën dhe babanë, Jasmina mbërriti në jetimore me një frikë të tmerrshme nga errësira, pasi vullnetarët e gjetën atë duke lypur në rrugë. Sot ajo e ka tejkaluar problemin dhe është e para e klasës së saj.

“Ndershmërisht, kur arrijnë fëmijët, ne vuajmë shumë me ta për shkak se ata kanë kaluar kaq shumë vështirësi, por pas disa muajsh këtu, pjesa më e madhe përmirësohen”, thotë Halabi. “Qëllimi ynë është jo vetëm t’i mbrojmë ata,  por edhe t’i arsimojmë që t’ia dalin në të ardhmen. Pjesa më e madhe e tyre kanë humbur të dy prindërit në luftë, ndoshta 5 për qind kanë humbur njërin prind por prindi tjetër vuan tronditje psikologjike kaq të forta saqë nuk mund të kujdeset për fëmijët e vet”.

Financuar nga një shoqatë bamirëse dhe nga donacione individuale jashtë vendit, Halabi dhe ekipi i tij punuan gjashtë muaj vitin e kaluar për të rinovuar një ndërtesë me disa kate për ta shndërruar në fjetore shumëngjyrëshe dhe klasa.

Dukej si një deklaratë shprese në një qytet ku ndërtesat rregullisht shembeshin copë-copë. Por kjo ishte përpara se avionët rusë të hynin në veprim kundër kryengritësve në Alepo. Ata shtuan në hartë objektiva në sulmet e tyre ajrore, përveç masakrimit pa dallim nga regjimi sirian me anë të bombave me mbushje.

Ndërsa sulmet ajrore rritën ashpërsinë dhe intensitetin e tyre, ku një pjesë e mirë godisnin objektiva civilë, përfshirë shtëpi, tregje, spitale dhe shkolla, jetimorja vendosi se nuk kishte më siguri të besohej jeta e fëmijëve me rutinën normale.

JETIMORJA 3Pikërisht në këtë kohë, ekipi zhvendosi dyshekët nën tokë, së bashku me pjesën më të madhe të mjeteve, nga klasat deri tek vendi i ushtrimeve fizike, kështu që fëmijët mund të flinin, hanin dhe studionin nën sigurinë që jep një bunker, me disa metra dhe sipër vetes.

“Kur dëgjojmë avionët, ne shkojmë në bodrum së bashku me fëmijët”, thotë Halabi, duke shtuar tashmë kanë ndaluar së dali jashtë. “Në fillim, i merrnim fëmijët në kopsht për t’u argëtuar. Për fat të keq, për shkak të bombardimit pa ndalim dhe sulmeve ajrore, nuk ndjeheshim më të lirë, kështu që ndaluam së dali. Jemi shumë të vëmendshëm ndaj sigurisë së fëmijëve kështu që nuk i lejojmë të dalin”.

Shtëpia e tyre e re është plot ngjyra, me shilarëse e me një kënd për punimet me dorë, pjesë ku ka kompjutera dhe lojëra të tjera. Aty ka edhe një skenë ku psikologët dhe mësuesit përpiqen të ndihmojnë fëmijët të tejkalojnë traumën përmes performancës.

Në dallim nga ekipet mbështetëse në qendrat e refugjatëve, ata nuk merren me tmerret e së kaluarës së fëmijëve por i përgatisin ata për vuajtjet që mund të shtrihen përpara. Zonat e mbajtura nga opozita janë të rrethuara nga forcat qeveritare për gati një muaj. Edhe pse kordoni ushtarak është pjesërisht i ndërprerë, civilët në Alepo janë më së shumti të izoluar.

“Së fundmi, vumë në skenë një pjesë që fliste për rrethimin, me këngë rrep dhe revolucionare, edhe pse ata nuk e dinë vërtet se çfarë do të thotë ‘rrethim’”, thotë Halabi.

Më herët, ndërsa rrethimi shtrëngohej, ata morën në konsideratë mundësinë që të largoheshin për në Turqi, por vendosën se nuk mund të iknin. Alepo është shtëpia e tyre dhe përveç kësaj, çdo ditë më shumë prindër vdesin në luftë, duke lënë pas fëmijë të dëshpëruar për ndihmë, e që për momentin kanë vetëm një shpresë.

“Jemi si një familje e madhe këtu”, thotë Halabi. “Nuk ka asnjë jetimore tjetër në Alepo”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts