Një pakt i ri Basha-Rama për Reformën zgjedhore që gropos partitë e vogla

 

Kreu i PD-së Lulzim Basha thotë se marrëvesjhja e 18 Majit ka vdekur, por me propozimet e tij për reformën zgjedhore ai po i hap rrugë një tjetër pakti, i cili pritet të ketë pasoja dhe më afatgjata në politikën shqiptare.

Pakti për reformën zgjedhore, për të cilën janë hedhur piketat që në takimin e gjatë të 18 majit pritet të ndryshojë përsëri Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor në vend, një projekt që nëse do të zbatohej sipas idesë së Bashës do të sillte një klasë politike dypolare në të ardhmen, ku partitë e reja dhe të vogla do të mbeteshin jashtë Kuvendit.

Pakti i ri që akoma s’ka nisur të vijëzohet në terma konkretë parashikon ndryshime të mëdha që bëhen me votat e dy partive kundërshtare, sigurisht duke parë interesat e tyre afatgjata.

A do të jetë kjo marrëveshje e re PD-PS një përsëritje e asja që ndodhi në prill 2008, kur po këto dy parti ndryshuan Kushtetutën dhe ligjin elektoral nën presionin e një greve urie të Ilir Metës dhe pak deputetëve të LSI-së në sallë?!

Me shumë gjasa po. Burime nga selia blu thanë për tesheshi.com se pavarësisht se drafti akoma nuk është bërë publik, Basha do t’i qëndrojë premtimeve që ka bërë gjatë aksionit të madh politik me çadrën. Në atë kohë ai propozoi skenarin e “Republikës së Re”, që sipas tij do të ishte me 100 deputetë që zgjidheshin drejtpërdrejt nga populli, pra as më pak as më shumë një sistem mazhoritar i pastër që favorizon vetëm partitë e mëdha dhe “të fortët” e “të pushtetshmit” në zonat elektorale.

“Pjesa politike është ndryshim i thellë i Kushtetutës. Në Shqipëri ka humbur lidhja mes pushtetarit dhe qytetarit dhe kjo ka ndodhur gradualisht. Përgjegjësia është e të gjitha palëve politike, por veçanërisht e autorëve të ndryshimeve kushtetuese të 2008. Në bazë të këtyre ndryshimeve, deputetët nuk kanë lidhje me qytetarët dhe u mjafton ta kenë mirë me kryetarin e partisë. Vetë deputetët zgjidhen për të kontrolluar qeverinë, por me këtë sistem qeveria i kontrollon ata. Ne duam që në radhë të parë të kthejmë pushtetin tek qytetarët.  Deputetët do të zgjidhen në zona direkte mazhoritare me 100  gjithsej, pa korrektim”- ishte ky propozimi konkret i artikuluar nga Basha në kohën kur vinte kushte për marrëveshjen me Ramën.

Ndërsa dy ditë më parë ai deklaroi në mënyrë jo të drejpërdrejtë të njëjtën gjë; “votimi dhe numërimi elektronik; ulja e rolit të kryetarëve dhe partive në proces; dhe dhënia e më shumë pushtet qytetarëve. Pasi ky është një proces që nuk u takon vetëm partive politike, por gjithë qytetarëve, ndaj duhet t’i angazhojmë të gjithë për të dhënë kontributin e tyre”.

A mund të besohet se Kejdi Mehmetaj apo ndonjë tjetër 22 vjeçare që është sot në Kuvend nën siglën e LSI-së do të arrinte të fitonte në një sistem të tillë elektoral? Aq më tepër parti të tjera që mbeten jashtë Kuvendit, edhe me sistemin proporcional rajonal që është në fuqi edhe pse morën mijëra vota.

Ndaj të parët që u hodhën në sulm ndaj reformës së re zgjedhore ishte LSI-ja.

Nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, kërkoi që kjo parti të jetë palë në proces, të mos jetë pronë e mazhorancës dhe opozitës/

“Reforma zgjedhore duhet të prodhojë një mekanizëm ku pronari i vetëm i votës është qytetari shqiptar dhe politika nuk ka të drejtë t’ia tjetërsojë votën, as tia shesë dhe blejë dhe as ta kërcënojë. Mund të jetë një mazhorancë që mund të sillet ndershmërisht me reformën, mund të jetë një opozitë që mund të mos sillet ndershmërisht me reformën, tavolina e diskutimit i ndan gjërat sa i ndershëm është secila forcë në lidhje me procesin”- tha ai duke ndjerë furtunën që do të nisë me ngritjen e komisionit bipartizan për këtë çështje.  /tesheshi.com/