Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Një Oskar për “Babai”-n e Kosovës! Regjisori Visar Morina: e pse jo…

Nga Shkëlzen Rrecaj

Filmi “Babai”, i pari i metrazhit të gjatë në gjuhën shqipe me skenar dhe regji të regjisorit nga Kosova, Visar Morina, padyshim është filmi më i suksesshëm i këtij viti i realizuar te ne. “Babai” pasqyron lidhjen e fortë në mes të babait dhe të birit të tij në Kosovën e viteve 90-të. Filmi paraqet udhëtimin e Norit në kërkim të babait të tij të dashur, pjesë të të cilit janë tradhtia, dëshpërimi dhe padrejtësia. Djaloshi në asnjë mënyrë nuk mund të pranojë të jetojë larg babait të tij, i cili iku në Gjermani për një jetë sa me të mirë ekonomike.filmi babai 4

Për Norin, të cilin nëna e kishte braktisur në një moshë shumë të re, babai i tij, Gëzimi është gjithçka për të. Por përkundër lutjeve të Norit, babai i tij vendos që të udhëtoj fshehurazi drejt Gjermanisë, me shpresë se fitonte më shumë të ardhura seç fitonte duke shitur cigare rrugëve të qytetit të tij. Gjendje e vështirë politike dhe ekonomike që e kishte kapluar vendin tonë gjatë kësaj dekade e shtyn shumë kë që ta shihte migrimin si zgjidhje të vetme për një të ardhme më të mirë.

Në një intervistë për tesheshi.com, regjisori i “Babait”, Visar Morina, i cili jeton dhe punon në Gjermani, pranoi të rrëfejë për suksesin e këtij filmi dhe karrierën e tij në kinematografi.

Kur filluat të merreni me regjinë filmike?

Çdo gjë filloi nga muzika e letërsia, pasi që në të dyja këto isha shumë i interesuar. Madje këto më “zbuluan” teatrin i cili pati ndikim shumë të madh tek unë. Pastaj pas mbarimit të shkollës së mesme punova në teatër, fillimisht si praktikant e më vonë si asistent i regjisë. Më 2004 fillova studimet në Akademinë e Arteve Mediale në Köln.

Visar Morina

Sa është e lehtë për një shqiptar të merret me regji në një vend të huaj?

Edhe për kolegët e mi gjerman është shumë vështirë të gjejnë financimin e një projekti filmik.  Edhe pse filmi si ngjarje mund të jetë shumë i thjesht, prapëseprapë të duhen para për ta realizuar atë. Normalisht që konkurrenca është shumë e madhe. Para ca ditësh një koleg nga televizioni publik gjerman, WDR  më tregoi se brenda një jave u ofrohen 90 deri 100 skenarë. Këtë po e tregoj për të vërtetuar konkurrencën e madhe që mbretëron në këtë vend.  Fakti që jam i huaj në Gjermani ndoshta ka pas më shumë ndikim te unë dhe tek motivimi im sesa te njerëzit që vendosin. Kam punuar shumë. Por edhe filmat e shkurtër që i kam bërë me parë kanë patur ndikim shumë të madh dhe kanë qenë stimuj kryesorë për mua që të nisë filmin tim të parë të metrazhit të gjatë.

Sa filma të shkurtër keni realizuar deri më tani?

Gjatë studimeve kam bërë disa filma të metrazhit të shkurtër, por si më serioz në aspektin e depërtimit në botën e filmit e konsideroj filmin që në fakt është temë e diplomës sime “Der Schübling” (Vdekja nga Ngulfatja) s dhe atë që e realizova në vitin 2013 “Von Hunden und Tapeten” (Mbi qentë dhe fasadat).

A keni xhiruar në gjuhë të huaj dhe me aktorë të huaj?

Po. Në të dy gjuhët ndihem rehat të punoj. Për mua është tema që e vendos gjuhën. Filmi “Von Hunden und Tapeten” që flet për pleqërinë dhe lidhjet familjare në Perëndim, nuk do të kishte kuptim nëse do të realizohej në gjuhën shqipe, përndryshe do të detyrohesha që ta trajtoja temën krejtësisht ndryshe.  Edhe projekti tjetër që jam duke e përgatitur është në gjuhën gjermane.

Le t’i kthehemi filmit “Babai” i cili në përgjithësi nga filmat shqip konsiderohet prej filmave më të suksesshëm. Prej nga ky sukses?

filmi babai 5

Suksesi është çështje fati. Ka filma shumë të mirë, por që kanë arritur ndonjë sukses dhe anasjelltas. Është shumë e vështirë ose e pamundur që të kalkulosh suksesin. Për mua ka qenë e rëndësishme që kur ta shikoj “Babain” të mos turpërohem nga puna që kam bërë si dhe të jem sa më njerëzor në qasjen e temës dhe karaktereve në film. Por pjesë të këtij ‘fati’ janë padyshim aktorët dhe ekipi i xhirimit. Posaçërisht aktorët e kanë “dhënë shpirtin”, siç thotë nëna ime.

Cila është domethënia më e rëndësishme e figurës së babait për të birin e tij?

Në fakt jam marrë një kohë shumë shumë të gjatë me ketë temë dhe me atë se çfarë do të thotë për mua të qenit baba. Jam munduar plotësisht që ta mendoja babain nga perspektiva e të birit. Babain si sistem të vlerave të atillë që na e tregon botën. Te filmi im, babai është më shumë si pjesë të indetitetit të të birit, d.m.th. i biri e përjeton babain si pjesë të tij dhe në momentin kur ai ikën, i biri e humbet vetveten.

Çka paraqet sfidimi i autoritetit të babait nga fëmija?

E vërteta është që nuk e di se çka është autoriteti, përveç si formë të dhunës. Kur isha në shkollën fillore në Kosovë, erdhi një mësues që kishte dëshirë ta forconte autoritetin e vet dhe thoshte për veten e tij se i ka katër sy, dy para e dy pas. Është pak për gjynah kjo gjë. Unë me dy sy dhe po kam telashe me atë  çfarë po shoh e lëre më me katër.

filmi babai 3

Filmi “Babai” pasqyron gjendjen e Kosovës të viteve të 90-ta, plot tension dhe ankth. Ndërsa ju në film keni arritur që ta mbani larg syve policinë serbe për pjesën më të madhe të kohës. Cilat janë arsyet, pse nuk ka asnjë përmendje të serbëve, qasje kjo shumë jotipike për filmat e Kosovës së pas-luftës?

Ky aspekt për mua ka qenë shumë i rëndësishëm për disa arsye. Së pari, tema e filmit nuk është dhuna policore/shtetërore.  Ky është konteksti, por jo tema. Tema e filmit shtjellon marrëdhënien e fëmijës me babanë dhe idenë e të pasurit apo të mos pasurit baba.

Por nëse flasim në konteksti politik apo në atë historik, për mua tregon shumë më shumë një skenë kur policia ndihet pa pikë droje dhe aq e sigurt sa që e bërë bajat nga dhuna e përditshme që e sjellin vetë ata, fillojnë të kërkojnë po me dhunë forma argëtuese. Për shembull skena ku ia lyejnë plakut këmbët me kripë dhe i marrin dhitë me ia lëpirë këmbët e plakut. Kjo skenë e përshkruan për mua shumë me shumë atmosferën e viteve të 90-ta, sesa një polic që vjen e ta fut boks.

Morina, a keni gjetur përkrahje nga shteti i Kosovës apo vetëm nga shteti gjerman?

Në fakt, kam pasur përkrahje përveç Gjermanisë dhe Kosovës, edhe nga Maqedonia dhe Franca. Pjesa më e madhe buxhetit normalisht se ka ardhur nga Gjermania, kurse institucionet kosovare kanë participuar me 200 mijë euro, shumë kjo për buxhetin që ndan Kosova për film është jashtëzakonisht e madhe. Por rëndësia e mbështetjes së Kosovës nuk janë paratë. Në fakt Kosova është vendi i parë që ka futur në produksion. Kështu që unë e pata shumë më lehtë, pas mbështetjes se vendit tim që të kërkoj mbështetje nga fondacionet e tjera.

Visar Morina 2

Para se të nisja ketë projekt nuk isha në rrjedha lidhur me skenën filmike në Kosovë. Kështu që më është dashur shumë ndihma e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe e producentit Visar Krusha. Ata më ndihmuan të gjej njerëz, më këshilluan dhe e patën mirëkuptim për  çdo telashe që kisha. Kështu bashkëpunimi im me Qendrën Kinematografike të Kosovës rezultoi jashtëzakonisht i mirë.

Morina, filmi juaj tashmë është futur në mesin e kandidatëve në kategorinë e filmit të huaj për çmimin Oskar. Sa janë gjasat e “Babait” për të fituar?

Këtu nuk diskutohet vetëm cilësia e filmit. Çështja është se si t’i bindni anëtarët e akademisë të votojnë për filmin tënd. Nëse ata nuk e shikojnë filmin, ata nuk votojnë për të. Që ta bësh një film të shikuar duhet reklamuar atë. Për reklamë nevojiten shuma të mëdha parash. Më vjen shumë mirë që jam kandidat nga Kosova, mirëpo unë personalisht nuk besoj se mund të fitoj.

Sipas jush, ku qëndron kinematografia e Kosovës, a ka kapacitete që të realizohen filma të metrazhit të gjatë që do të tejkalonin kufijtë tanë?

Pa dyshim se industria e filmit është e kushtueshme. Për të bërë filma të mirë kërkohet buxhet i majmë. Varet se ç’temë do të shtjelloni. “Babai” ka qenë goxha i shtrenjtë. Ashtu siç përmenda më lart, kemi patur një fëmijë në rolin kryesor, kemi xhiruar në shtete të ndryshme, d.m.th përveç hoteleve edhe udhëtimet na kanë kushtuar shumë, pastaj xhirimet në ujë, e kuadra tjerë të shtrenjtë. Megjithatë, nuk janë vetëm paratë që e bëjnë një film të suksesshëm apo të dështuar. Personalisht jam i mendimit se nëse një film nuk ka “shpirt”, as paraja nuk vlen gjë.

Një pyetje të fundit, nëse nuk është sekret, a jeni duke realizuar ndonjë projekt tjetër dhe çfarë trajton?

Po, jam duke e shkruar për një burrë 45-vjeçar, por jam akoma në fillim për të zbuluar detajet të tjera. /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts