728 x 90 Leaderboard

Një komb, një pult: Kosova e Shqipëria së shpejti me kanal televiziv të përbashkët për diasporën

Diaspora shqiptare do të ketë një kanal televiziv të dedikuar në veçanti për bashkatdhetarët. Kjo tashmë është pjesë e draftligjit të ri për diasporën, ku një kanal i ri i përbashkët me Shqipërinë, përkatësisht mes Radio Televizionit të Kosovës dhe Radio Televizionit të Shqipërisë, do të hapet në kohën sa më të shpejtë që është e mundur.

Këtë e bëri të ditur zv.kryeministri, njëherit ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësues të shoqatave dhe mediave të diasporës nga Gjermania dhe Danimarka, të cilët po takojnë institucionet kosovare.

“Jemi të vetëdijshëm për nevojën që diaspora jonë ka për një kanal të veçantë. Momentalisht në ligj është e specifikuar se Radio Televizioni i Kosovës duhet të rezervojë 6-9% të programit të vet për diasporën, mirëpo kjo është vështirë e matshme, andaj me ministrin Pandeli Majko jemi dakorduar për hapjen e kanalit të përbashkët për diasporën mes RTK-së dhe RTSH-së. Kjo iniciativë tashmë është pjesë e draftit të ligjit të ri për diasporën”, tha Gashi.

Kujtojmë se bashkatdhetarët ditë më parë kërkesën për një kanal televiziv ja shprehën kryeministrit Ramush Haradinaj në një pritje që ky i fundit i bëri në qeveri.

Ragip Ramaj përfaqësues nga diaspora tha se kërkojnë një kanal televiziv të veçantë për të pasqyruar të gjitha aktivitetet e mërgatës shqiptare. /tesheshi.com/

Related posts