728 x 90 Leaderboard

Një jetë me foshnjat në Kosovë, Libi e Angli, flet mamia e njohur mitrovicare: të jesh “nëna” e mijra fëmijëve…

Razije Musa, një infermiere-mami, është ndër më të njohurat e më të shquarat në Kosovë. E ka këtë profesion nga një ëndërrim fëminor, nga një emicion i ngjizur në vetëdijen e saj, se nuk ka gjë më të bukur të përkujdesesh për një foshnjë.

E veçanta tjetër është se maminë të cilën e ka ushtruar për 45 vjet, e që vijon ta ushtrojë sërish me të njëjtin pasion, e ka ndarë në tre shtete: Kosovë, Libi, Angli. Tashmë, vijon sërish në Kosovë, duke qenë shumë aktive në rrjetet sociale, me këshillae sugjerime për nënat dhe fëmijët.  

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Znj. Razije, ju keni një profesion shumë të veçantë, që ju detyron të jeni “nënë me shumë fëmijë”. Si është të jesh mami?

Kushdo që është prind e di sa çfarë ndjenje e veçantë, gati e papërshkruar dhe e dashur është të kesh fëmijë. Dhe të jesh mami është gati-gati si të jesh nënë, për vetë rolin e shenjtë në përkujdesjen ndaj shëndetit të fëmijës, që edhe pse nuk është i yti biologjikisht, “është i yti” në misionin që ke ndaj saj. Unë, ç’prej kur kam qenë fëmijë, kam ëndërruar të punojë me fëmijë, të shkëmbejë dashuri me qeniet më të pastërta në në botë, dhe fati ka dashur që në Kosovë, pikërisht në vitin kur unë përfundova shkollën e mesme, të hapej dega për infermiere-mami, dhe pa u menduar gjatë kam hyrë në gjeneratën e parë të  studentëve në këtë lëmi.

E veçanta juaj është se këtë profesion e keni ushtruar dhe në disa vende të botës. Ç’përvojë ka qenë?

Unë karrierën time si infermiere-mami” e kam filluar në Kosovë, në qytetin tim të lindjes në Mitrovicë, në vitin 1972 kur edhe diplomova. Aty punova vetëm një vit e gjysmë, duke vazhduar pastaj kontributin tim në Podujevë, deri në momentin kur u përzgjodha si pjesë e listës së mamive që do të dërgoheshin në Libi për të punuar. Për mua ishte një arritje e madhe të punoja në një shtet tjetër në mesin e shumë emrave të mëdhenj të botës së shëndetësisë. Në Libi punova për 10 vite radhazi duke vazhduar kështu karrierën time në Londër si mami materniteti për 25 vite tjera.

Cili është dallimi në mes punës që bënit në Angli dhe asaj që keni bërë në Kosovë?

Nuk ka rëndësi ku je, me kënd je, apo tek cila familje. E veçanta dhe magjia e profesionit tonë, është foshnja, ajo, pasuria më e madhe që ne kemi privilegjin që t’i trajtojmë dhe të kujdesemi për mirëqenien e tyre në ditët e para të jetës.

Normalisht, nëse shikohen gjëra nga një spektër tjetër, Londra është një vend shumë i zhvilluar, me sistem shumë të përgatitur mjekësorë dhe staf shumë të kualifikuar dhe kjo e bënë më të lehtë punën e secilit.

Një nënë që është afër lindjes, si duhet të përgatitet për këtë moment kur nxjerr në jetë foshnjën e saj?

Fillimisht duhet ta përgatisë veten që ai/ajo do të vijë në jetën e saj, është një ndryshim pozitiv dhe plotë dashuri. Ardhja e një fëmijë është një bekim për secilin, e normalisht duhet marrë parasysh edhe sfidat që vijnë. Ndërsa duhet cekur që një nënë e cila është në ditët e saj të fundit të shtatzënisë, duhet patjetër t’i ketë të gatshme të gjitha detajet, si çantën për vete dhe për foshnjën.

Në çantën e nënës patjetër duhet të jetë:

-dosja e përcjelljes së shtatzënisë

-2 këmisha fjetje

-1 rrobë banje (body mantel)

-1 palë papuçe

-1 palë çorapë

-2 nën këmisha

-5 palë mbathje

-1 pako peceta higjienike

-2 palë sytjena për dhënien e gjirit

-1 pako peceta për mbrojtjen nga rrjedhja e gjirit

-1 krem për gji (për pezmatim të mundshëm ose plasaritje)

-1 shishe anti-septik, xhel për duar

Ndërsa në çantën e bebes duhet patjetër të ketë:

-3 nën këmisha

-5 pelena (100% pambuk)

-1 pako pampersa

-3 palë pizhame

-3 përparëse

-1 pako fasha sterile

-1 vaj dhe krem për bebe

-2 palë dorëza për bebe

-2 kapela

-2 palë çorape

-2 çarçafë (100 % pambuk)

-pambuk për pastrim

-aspirator për hundë

Këto janë vetëm disa nga gjërat që një nënë duhet të ketë para lindjes. Këshilla të tilla mund të gjenden edhe në librin tim “Takim me të porsalindurin”.

Si duhet të sillet një nënë pas lindjes, si duhet të kujdeset ajo për beben e saj?

Mjafton të ndjekë instinktin e saj. Një grua që sapo ka lindur një foshnje, bashkë me të asaj i lind edhe instinkti i nënës dhe nëse e përcjellë me qetësi atë, çdo gjë do të shkojë mirë. Sigurisht që secila nënë ka shumë nevojë për ndihmë dhe përkrahje në ditët e para të paslindjes edhe nga familjarët apo mamia.

Sa duhet t’i kushtojë rëndësi një nënë ushqyerjes së bebes me qumësht gjiri?

Unë e kam thënë edhe në librin tim, e them vazhdimisht ku do që hapet kjo temë dhe do ta them edhe sot për intervistën tuaj: nëse keni menduar se cila është më e mira që ju si nënë mund të bëni për fëmijën tuaj, atëherë ajo është ushqyerja me qumësht gjiri. Qumështi i gjirit është forma më e mirë, më e shëndetshme, më praktike dhe më sterile për rritjen e foshnjës. Dhe mbi të gjitha gjidhënia krijon një lidhje të fortë emocionale nënë-foshnje.

Po djepi, ende shumë i përdorur në Kosovë?  E di, duhet një mendim ortopedik për këtë, por ju si mami besoj keni përvojën e duhur për ta dhënë një mendim…

Unë nuk mendoj që djepi po përdoret 100 për qind, madje ka një rënie të dukshme të përdorimit. Unë personalisht nuk e preferoj djepin sepse ai krijon varësi për fëmijën, sepse e mëson vetëm atë mënyrë të fjetjes dhe është problem të udhëtohet ose të shkohet dikund mysafir me një fëmijë që është mësuar me djep, pa e marrë pastaj djepin me vete.

Dhe duke patur parasysh që shumica e njerëzve tashmë jetojnë edhe në banesa kolektive, me shumë shkallë, është shumë e vështirë të menaxhohet bartja e djepit. Pastaj krijon zhurmë e cilat mund të bezdisë komshinjtë poshtë juve e shumë gjëra tjera që djepin e bëjnë të papërshtatshëm. Përndryshe djepi nuk është diç që e dëmton fëmijën, por thjesht nuk është praktik as për nënën, as për foshnjën e as për familjarët.

Znj. Razije, nuk e di në vende të tjera por tek ne mungon një këshillimore për nënat e reja para se ato të bëhen nënë. Ato më shumë informohen duke lexuar në faqe të ndryshme apo duke i pyetur ato që kanë përvojë. Çka duhet bërë apo kush duhet të kujdeset për to?

Me sa kam informata unë, në Prishtinë ekziston këshillimorja madje është mirë e përgatitur. Por që interesimi i nënave nuk është i madh; ndoshta nuk kanë kohë ose ndoshta ende nuk është ngritur niveli i besimit sa duhet në këto qendra, sepse në përgjithësi jemi popull paragjykues.

Përndryshe, nënat në ditët e sotme e kanë shumë të lehtë të informohen falë teknologjisë dhe falë qasjes më të lehtë të komunikimit më stafe shëndetësorë,  duke mos përjashtuar faktin që në Kosovë ka edhe shumë libra të përkthyer të kësaj fushe, përfshirë këtu edhe librin tim i cili është i pari në gjuhën shqipe si një udhëzues shumë i mirë për nënat dhe fëmijët 0-12 muaj.
Vetëm duhet të kenë kujdes nga burimi që marrin informatat.

Duke përcjell postimet tuaja, ju keni bërë një status për “krahasimet”. Pse ndodh tek ne kjo dukuri, kur një nënë thotë se “fëmija im është me o dobët se i asaj…”?

Nuk e di pse ndodhë, ndoshta që ende vazhdon të jetë ky mentalitet që fëmijët e “trashë” janë më të “shëndoshë”. Këtu ka shumë dallim njëra me tjetrën. Secili fëmijë ka organizëm ndryshe njëri me tjetrin, madje edhe nëse janë binjakë ata do të kenë organizëm e metabolizëm të ndryshëm. Mjafton që një fëmijë të ushqehet shëndetshëm dhe nuk ka  rëndësi pesha.

Për të ushqyer një nënë fëmijën e saj sa më shëndetshëm, një këshillë nga përvoja e juaj?

Shumë e thjeshtë: ushqeni fëmijët me ushqime bio, sezonal dhe të freskët. Mos i ushqeni me gjëra të konservuara. Më mirë gatuani vetë se të merrni ushqim të gatshëm.

A mendoni se duhet bërë hapa të rëndësishëm për të jetësuar përkujdesjen e foshnjave dhe nënës në muajin e parë të paslindjes përmes motrës-patronazh, praktikë normale në shumë shtete?

Po, jam optimiste, dhe besojë në koleget e mija mamit në Kosovë që do të punojnë shumë në këtë drejtim në të ardhmen. Kjo, duke u bazuar dhe në punën e madhe që po bënë shoqata e mamive atje. /tesheshi.com/

 

 

Related posts