Një insekt i panjohur gjallonka në Kosovë. Flet Halil Ibrahimi, profesori që e zbuloi: pse e quajta ‘dardanicus’

Nga Shkëlzen Rrecaj

Ditë me parë në rajonin e Llapit është zbuluar një lloj i ri insekti gjatë një ekspedite kërkimore që ishte bërë në vitin 2014, mbi fshatin Bollosicë, nga profesori i Universitetit të Prishtinës, Halil Ibrahimi, i cili edhe ka gjetur apo më mirë të themi e ka zbuluar këtë lloj insekti në një përroskë të vogël malore.

Kosova si pjesë e Gadishullit Ballkanik ka potencial të madh të biodiversitetit, shumë pak është hulumtuar deri më tani dhe atë kryesisht nga hulumtues të huaj para disa dekadash.

Momentalisht përroska malore në afërsi të fshatit Bollosicë, ku është zbuluar lloji i ri, është vendi i vetëm në botë ku jeton ky lloj. Lloji i ri i takon rendit të insekteve ujore Trichoptera, gjinisë Drusus dhe është emërtuar Drusus dardanicus në bazë të qytetit minierë që ka ekzistuar në antikitet diku në pjesën veriperëndimore të Kosovës, mbase jo fort larg lokalitetit ku është zbuluar lloji i ri. Për të na folur me gjatë rreth këtij insekti portali tesheshi.com intervistoi prof.dr. Halil Ibrahimin…

Halil Ibrahimi

Prof. Ibrahimi ju tashme keni zbuluar një insekt në një fshat të Podujevës. A mund të na tregoni për çfarë insekti bëhet fjalë?

Bëhet fjalë për llojin Drusus dardanicus i zbuluar në vitin 2014 në afërsi të fshatit Bollosicë të komunës së Podujevës. Punimi ku është bërë përshkrimi dhe emërtimi i këtij lloji të ri për shkencën është botuar në tetor të këtij viti në revistën Zootaxa, një ndër revistat më prestigjioze ku botohen llojet e shtazëve të reja për shkencën nga e mbarë  bota.

Na tregoni si keni arritur ta zbuloni këtë insekt?

Punoj si mësimdhënës në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore, Departamentin e Biologjisë që nga viti 2002, së pari si asistent dhe tani si profesor në lëndët Ekologji e shtazëve,  Zooindikatorët dhe Informatika për Biologji. Subjekt i temës sime të diplomës, magjistraturës dhe në fund dhe doktoraturës në Universitetin e Zagrebit kanë qenë insektet e ujit, kështu që mbledhja e tyre, hulumtimi i tyre në natyrë, përcjellja e jetës së tyre janë pjesë e punës sime dhe profesionit tim. Për më tepër se kaq, gjatë viteve insektet janë kthyer edhe në hobi dhe pjesë përbërëse të jetës sime. Edhe kalimi i kohës së lirë me fëmijët dhe familjen në natyrë bëhet përreth vendeve ku mund ti hulumtoj këto insekte. Me kohë kjo është shndërruar edhe në dashuri dhe interes familjar për këtë krijesa të mrekullueshme.

Në vitin 2014 gjatë një ekspedite të rëndomtë të hulumtimit, përkatësisht të mbledhjes së insekteve në zonën e Llapit unë pata mbledhur disa insekte, në shikim të parë të rëndomta. Pas analizimit të tyre në laborator e pashë që njëri nga llojet e gjetura, më saktësisht ai i mbledhur në malin mbi fshatin Bollosicë ishte më i veçantë sepse ishte ndryshe nga të gjitha llojet e njohura deri më sot bazuar në Atlaset e detajuara të këtyre grupeve të insekteve. Hapi i mëtejmë ishte analiza gjenetike e llojit të gjetur për ta dëshmuar përfundimisht atë që vërehej në bazë të veçantive morfologjike. Kështu që ky hulumtim u zgjerua në një analizim më të detajuar morfologjik, gjenetik dhe filogjenetik edhe të disa llojeve të tjera të insekteve nga rajoni dhe Evropa. Bashkëpunimi u zgjerua me ekspertët më eminentë të kësaj fushe nga Austria, Gjermania, Kroacia etj që rezultoi në punimin e publikuar  ku tashmë edhe zyrtarisht lloji Drusus dardanicus është i pranuar si lloj i ri për shkencën.

Ku mund të konstatosh se është insekt i zbuluar a ekziston vetëm në atë pjesë apo keni prova se ekziston edhe në pjesë tjera të Kosovës?

Pas përfundimit të analizave morfologjike, gjenetike dhe filogjenetike të këtij lloji me llojet e përafërta nga rajoni dhe Evropa përfundimisht është vërtetuar se bëhet fjalë për lloj të paregjistruar më herët në shkencë. Publikimi i punimit ku përshkruhet ky lloj i ri për shkencën në revistën e përmendur nënkupton se punimi paraprakisht ka kaluar nëpër llupën e recensionit nga shkencëtarë eminentë të kësaj lëmie para se të botohej. Kështu që kjo i jep edhe njohje dhe kredibilitet shkencor ndërkombëtar këtij zbulimi.

Insekti

Për momentin ky lloj është gjetur vetëm në një përroskë të vogël malore mbi fshatin Bollosicë dhe duke e pasur parasysh mënyrën e jetesës së këtij grupi të insekteve nuk pritet të gjendet diku tjetër në Kosovë, por as diku tjetër në botë, përveç zonës prej disa kilometrave përreth vendit ku është zbuluar. Këto janë lloje që fazën larvore e kalojnë brenda ujit, kanë nevoja shume specifike për ujë të pastër, të ftoftë, të pandotur, kurse si të rritura dalin jashtë ujit por fluturojnë shumë pak përreth ujit. Si fluturues të dobët që janë, bashkë me kërkesat shumë specifike për zhvillimin e tyre larvor, ky lloj, por edhe llojet e përafërta nga Evropa kurrë nuk kanë mundur të okupojnë zona të mëdha gjeografike, dhe zakonisht gjenden në përroska të vogla të izoluara, apo një mal të vetëm, apo vetëm disa përroska. Lloji Drusus dardanicus nuk pritet të gjendet jashtë Malit Shatoricë dhe masivit të  Kopaonikut ku bën pjesë ky mal për këto arsye.

Pas bërjes publike të këtij zbulimi a të ka kontaktuar ndonjë institucion relevant i shtetit me juve?

Jo deri më tani. Mendoj se zbulimet e tilla të cilat e vënë Kosovën në hartën e zbulimeve shkencore të rëndësishme për njohjen e biodiversitetit në përgjithësi duhet të mirren seriozisht në kuptimin që t`i kushtohet më tepër rëndësi mbrojtjes së mjedisit, mbrojtjes së dhuntive natyrore, pasurisë së krijuar nga Zoti këtu. Ekziston një i kuptuar jo fort i logjikshëm se shkatërrimi i natyrës, llojeve të caktuara të bimëve a shtazëve nuk është diçka që e prekë njeriun drejtpërsëdrejti por në të vërtetë gjithçka në natyrë është e lidhur dhe fatura përfundimtare e dëmeve në natyrë herëdokurdo i vjen edhe njeriut për të paguar për dëmin e shkaktuar.

Mendoj se zbulimet e llojeve të reja të kafshëve a bimëve në Kosovë duhet të përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme duke shërbyer si raste të kapshme me të cilat mund të lobohet për mbrojtjen e botës së gjallë dhe mjedisit. Është më e dhimbshme dhe e papranueshme të shkatërrosh një insekt, ose mjedisin e tij,  i cli prej krejt botës jeton vetëm në një zonë të ngushtë në Kosovë!

Fatkeqësisht në Kosovë rastet e tilla më së shpeshti kalojnë në heshtje dhe nuk u kushtohet rëndësia e duhur. Para pak ditësh pata rastin të prezantoj në një konferencë ekologjie në Ulqin të Malit të Zi, dhe përpara kësaj në New Jersey të SHBA-ve, dhe është emocionuese se si në vende të tjera u kushtohet jashtëzakonisht shumë rëndësi zbulimeve të tilla dhe vlerësohen ato edhe në qoftë se janë nga një vend tjetër. Më tepër se mirënjohjet apo kontakti nga institucionet e Kosovës, më e dobishme do të ishte që shteti të favorizojë më tepër hulumtimet shkencore në këtë dhe drejtime të tjera. Jo për hir të individëve por me qëllim të avancimit konkret të mbrojtjes së natyrës, mjedisit dhe vlerave të biodiversitetit.

A mund të na tregoni llojin e insektit dhe në çfarë grupi bën pjesë?

Lloji i ri i zbuluar bën pjesë në grupin e insekteve ujore, më konkretisht në rendin Trichoptera. Janë lloje që kryesisht jetojnë vetëm në ujëra të pastra, të pa ndikuara nga veprimtaria negative e njeriut. Si larva jetojnë në ujë dhe ushqehen ose me organizma më të vegjël, ose me alga. Me larvat e këtyre insekteve ushqehen peshqit dhe organizmat e tjerë më të mëdhenj dhe prandaj konsiderohen si një hallkë shumë e rëndësishme e qarkullimit të materies në natyrë. Prania e tyre në ujë tregon për pastërtinë e ujit.

Ky insekt a është i dëmshëm për njeriun?

Ky insekt nuk është i dëmshëm për njeriun, nuk është agresiv por shumë i dobishëm për shkak të rolit të tij në riqarkullimin e materies në natyrë.

Ju e keni emëruar “Drusus dardanicus.” Pse?

Drusus është gjinia ku bën pjesë lloji, si të thuash mbiemri i tij, kurse emrin dardanicus ia kam dhënë unë. Në pjesën veriperëndimore të Kosovës, mbase jo shumë larg zonës ku është gjetur ky lloj i ri, dikur në antikitet gjatë kohës së Perandorisë Romake ka ekzistuar një qytet i quajtur ‘Municipium Dardanicus’ dhe bashkë me të miniera ‘Metalla Dardanica’. Kjo është arsyeja se pse ky lloj është quajtur ‘dardanicus’. Llojet zakonisht emërtohen në bazë të një veçorie gjeografike a historike të vendit ku janë gjetur, ose veçorive të tjera të cilat i mundësojnë zbuluesit që ta identifikojnë si të veçantë nga llojet e tjera të zbuluara më herët.

Insekti 2

A mund të ketë insekte tjera që nuk janë zbuluar dhe a ekziston mundësia e zhdukjeve të tyre?

Lloji Drusus dardanicus nuk është lloji i parë i zbuluar nga Kosova. Në vitin 2013 në bashkëpunim me shkencëtarin e njohur nga Hungaria, Janos Olah, e patëm përshkruar llojin Potamophylax fules i cili bën pjesë në grupin e llojeve me areal më të gjerë se sa lloji Drusus dardanicus dhe gjendet përveç Kosovës edhe në Mal të Zi dhe Rumani. Në Kosovë ky lloj gjendet në fshatin Siqevë në afërsi të Prishtinës dhe në rrethinë të Skenderajit. Po atë vit, e kam zbuluar dhe përshkruar llojin tjetër Chaetopteroides kosovarorum i cili deri më tani është i njohur vetëm nga Kosova dhe atë vetëm nga Shala e Bajgorës. Këtyre ditëve pritet të dalë nga botimi punimi ku e kam përshkruar zbulimin e një lloji tjetër endemik të Kosovës, Drusus sharrensis i cili poashtu nuk pritet që të gjendet jashtë Bjeshkëve të Sharrit. Në Kosovë mund të ketë edhe lloje të tjera të panjohura deri më tani nga ky grup i insekteve, apo grupe të tjera të insekteve, duke e pasur parasysh se nuk ka pasur hulumtime të shumta në këtë drejtim. Përveç këtyre llojeve të janë më të rralla sepse jetojnë vetëm në Kosovë, unë gjatë hulumtimeve të mia gjatë viteve të kaluara kam gjetur edhe lloje të tjera të rralla, endemike të Ballkanit apo Evropës, ose të rrezikuara e të cilat mund të gjenden akoma në Kosovë. Këto lloje janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të zhdukjes për shkak të prerjes së pyjeve, shfrytëzimit të pakontrolluar të resurseve ujore, shterjes së përroskave malore që vjen si pasojë e ndërhyrjes së njeriut, ndotjes etj. Varfërimi i botës së gjallë në mënyrë indirekte e prekë edhe njeriun. /tesheshi.com/

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts