Nisja e bombardimeve të NATO-s mbi Serbi, ja si e kujtojnë ish-kuadrot e UÇK-së 24 marsin e ‘99-ës

Nga Blendi Gashi

17 vjet më parë, forcat paqëruajtëse të NATO-s filluan bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditëve të bombardimeve, që filluan në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, dhe largimit të forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova, u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të një milion shqiptarëve të Kosovës, që ishin strehuar, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe në shumë vende të botës.

Ky përvjetor shënohet si ditë e shpëtimit kombëtar për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe si shkëndijë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Për të rikujtuar këtë datë historike,  tesheshi.com ka kontaktuar me disa drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët kanë treguar se si e kujtojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, si ishte disponimi i ushtarëve dhe në cilat fshatra të Kosovës kanë qenë ata konkretisht.

Për portalin tesheshi.com për nder të 24 marsin të vitit 1999 japin rrëfimet e tyre:
Naim Maloku, ish-oficer i lartë në Drejtorinë Operative pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK i dërguar në ndihmë Zonës Operative të Dukagjinit; Ahmet Isufi, ish-komandant i Zonës Operative të Karadakut; dhe
Zafir Berisha, ish-shef i Shtabit në Brigadën 125 të Zonës së Pashtrikut.

Protagonistët e UÇK-së kujtojnë momentin e marrjes së lajmit për fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi kazermat e ushtrisë jugosllave si dhe gëzimin që mbretëronte tek ushtarët e UÇK-së.

 

maloku-koshare-999

Rrëfimi i Naim Malokut për bombardimet e NATO-s:

“Atë ditë, pra më 24 mars 1999, isha në Brigadën 134 ‘Bedri Shala’ në Ratishe të Deçanit. Isha bashkë me Gëzim Ostrenin dhe në një moment nga pozicionet mbrojtëse na lajmëruan me radio- lidhje që po dëgjohen detonime të fuqishme në Gjakovë dhe që si duket po bombardon NATO . Dolëm në vizitë pozicioneve dhe e ndamë gëzimin me ushtarët e brigadës. 

Më kujtohet që me Gëzim Ostrenin kishim qëndrim të njëjtë që lufta totale po fillon por që Kosova po çlirohet.

Pra fillimin e bombardimeve të NATO- s mbi pozicionet serbe e përjetuam me shpresë të madhe që Liria për Kosovën ishte afër dhe e garantuar, pra nuk kishim dilema më që Kosova dhe populli Shqiptarë më në fund do të çlirohen”.

 

Rrëfimi i Ahmet Isufit për intervenimin e NATO-s:

24 marsi është datë e veçantë dhe me shumë domethënie që përcakton fillimin e fundit të okupimit dhe robërisë se Kosovës nga qizmja e pushtuesit serb. 


ahmet isufiiiiKjo datë na kujton angazhimin e popullit tonë për liri përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleancën e fuqishme me NATO-n. Derisa UÇK po vepronte përmes forcës së saj tokësore njëkohësisht 17 vite më parë kësaj strukture do t’i bashkangjitej NATO-ja si forcë ndërkombëtare duke filluar bombardimet.

Pikërisht në këtë datë 18 vite më parë koincidon Beteja e Gllogjanit e Dukagjinit që tregon vazhdimësinë e përpjekjeve dhe luftës titanike të popullit për liri.

Ne jemi mirënjohës përjetësisht SHBA-ve dhe vendeve të Evropës perëndimore si dhe gjithë botës përparimtare që u vu në përkrahje të lirisë sonë qoftë nga ana diplomatike por sidomos me vendimin e goditjes ushtarake që iu dha Serbisë nga ana e NATO-s  duke e dëbuar njëherë e përgjithmonë okupatorin serb nga Kosova. Duke u rikthyer në kujtimet e atëhershme ende mbajmë të freskëta momentet kur filluan bombardimet dhe nga maja e Zllashit të Gollakut  do të shihnim përflakjen e qiellit të Prishtinës nga kasetat bombë që po zbrazeshin  mbi kazermat dhe objektet vitale të forcave pushtuese serbe.

Ky ishte një moment jashtëzakonisht entuziast për ushtarët e UÇK-së dhe për popullatën e cila po e fitonte besimin se më përkrahjen e forcave aleate po vinte më shpejt liria.

Si komandant i Zonës Operative të Karadakut me përgjegjësitë që kisha i njoftova të gjithë efektivat se duhej të ishin të përgaditur për ndonjë sulm që mund të ndërmerrte ushtria dhe policia serbe për shkak të goditjeve që merrte nga ajri për ta zbrazur urrejtjen përmes arsenalit që u kishte mbetur. Në njërën anë po i gëzoheshin bashkimit të forcave tokësore dhe atyre ajrore (UÇK dhe NATO) dhe njëkohësisht duke e ditur se ne anën e armikut ekziston një urrejtje dhe një dëshprim i madh për shkak të goditjeve që po merrte kërkova mobilizimin e jashtzakonshem për t’i dhënë goditjen e fundit armikut dhe për të sinjalizuar fitoren përfundimtare për popullin tonë.

Prej kësaj datë dhe deri në përfundim të luftës në do ta ngrisim edhe më shumë moralin dhe gadishmërinë dhe pavarësisht nga ofanzivat e prillit me të cilin rast  do të ballafaqohen Brigadat tona do t’i japim goditjen përfundimtare armikut dhe më 15 qershor 1999 do të hyjmë triumfalisht në qytetin e Gjilanit bashkë me forcat e KFOR-it amerikan për të ngritur flamurin e lirisë.

 

Rrëfimi i Zafir Berishës për 24 marsin e 1999-tës:

zaffaaa

Rreth orës 20.00, papritur u ndërpre programi i rregullt i televizionit shqiptar që po shihnim, kur gazetari paralajmëroi fillimin e sulmeve të NATO-s mbi qarqet serbe. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, sepse në momente tepër vendimtare për vendin, vinte në ndihmë edhe një aleancë e fuqishme politike – ushtarake.
Ishte një ndjenjë e përzier gëzimi dhe ndjenje force mes rezistencës sepse e kuptuam se ishte fillimi i fundit i regjimit fashist serb në Kosovë. Kur dolëm nga shtëpia ku ndodheshim në Tusuz, banorët e lagjes kishin dalë nëpër rrugë dhe s’e kishin idenë si të vepronin, sepse Prizreni ishte nën alarmet trishtuese të forcave serbe, të cilat në lagjen Bajram Curri, me të cilën na ndante vetëm lumi, në fabrikën e Farmakosit kishin filluar të fshihnin tanket, në një kohë që nga lëvizjet e tyre dridhej i tërë qyteti. Ne i qetësuam banorët me të cilët komumikonim, dhe u sugjeruam që të mos leviznin për momentin nga lagja, sepse nuk dihej ende se çfarë po ndodhte, dhe qyteti ishte në errësirë të plotë
.

Bombat e para ranë në kazermat e ushtrisë jugosllave që ishte në dalje të Prizrenit, në drejtim të Suharekës. Dolëm mbi qytet dhe me radiolidhëset hymë në frekuencat e forcave serbe, ku nga bisedat e kuptuam se ishin në kaos.
Personi me shifrën “shara 101”, i cili me gjasë ishte ndonjë udhëheqës i policisë ishte në gjendje paniku, duke gjykuar nga zëri i tij, dhe gjatë gjithë kohës shante në gjuhën serbe dhe jepte urdhëra se si duhej vepruar.
Diku nga ora 22.00 disa lokale dhe banesa në Prizren u pushtuan nga flakët, dhe forcat serbe vazhduan valën e terrorit ndaj qytetarëve. Në gjithë këtë ndjenjë të përzier gëzimi e trishtimi, për ata që e shinim me sy dhe perjetonin ishte një moment ku dikush nga njësitet e UÇK-së, në frekuencat e policisë serbe kishte vënë një këngë për Skënderbeun, e cila po tmerronte policinë serbe… Lufta jonë tashmë në rrethana të reja, vazhdoi deri më 12 qershor 1999, ditë kur në mënyrë triumfuese UÇK hyri në Prizren
”.

/tesheshi.com/