Nis sot “Rusia 2018”: Italia e Holanda, mungesat e mëdha të këtij Botërori

Me ndeshjen mes Rusisë dhe  Arabisë Saudite, starton këtë të enjte Botërori i 21-të “Rusia 2018”, i zhvilluar për herë të parë në këtë vend. 11 qytete ruse do jenë ato ku do luhen 64 ndeshjet e një muaji deri në finalen e 15 korrikut, mes 32 skuadrave pjesëmarrëse.

Por ky Botëror ka një hije trishtimi si pasojë e një boshllëku të madh. Ndërsa të gjithë big-ët janë prezentë, mungon mes tyre Italia, 4 herë fituesja e Kupës së Botës, një prej vendeve që i ka dhënë tonin futbollit botëror. Mungon gjithashtu dhe Holanda, që edhe pse pa një trofe botëror por vetëm europian, është një prej margaritëve të gjerdanit të artë të historisë së futbollit.

Mbajtësja e titullit është Gjermania, e cila triumfoi bindshëm katër vjet më parë në Brazil, duke arritur madje të shënojë një fitore të pzakontë e historike njehërësh ndaj të zotëve të shtëpisë, me rezultatin e thellë 7-1.

Por Brazili i këtij edicioni nuk ngjan me atë të para katër viteve. Deri më tani, gjykuar nga ndeshjet që ka dhuruar, llogaritet kandidati nr.1 për ta fituar për të gjashtën herë Kupën e Botës. /teshesh.com/

 

Related posts