Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nis nga Mitrovica shfaqja e një “Mejhane”-je të dramës kosovare në pasluftë

Nga Shkëlzen Rrecaj

Kosova ka dramën e luftës, por ka dhe atë të pasluftës, atë më ngjyrime sociale, vërtet larg grykës së pushkës, por po aq vrastare, sidomos në dinjitetin njerëzor. Dhe kësaj i shërben “Mejhane”-ja…

Në qytetin e ndarë të Mitrovicës, apo edhe siç njihet ndryshe qyteti i minatorit, mbrëmë është shfaqur premiera e komedisë “Mejhane”, e autorit dhe regjisorit Imer Veliu.

13282451_10154210018216950_1000792064_o

Komedi “Mejhane” trajton gjendjen e pasluftës në Kosovë, zhvillimet socio-kulturore, socio-ekonomike. Personazhi kryesor në këtë komedi është Saimiri, një ish-luftëtar dhe veteran i UÇK-së, i cili i lënë pas dore, zgjedh të ngushëllojë veten duke u zhytur në pije e duke përfunduar më pas si alkoolist kronik.

Bashkë me Saimirin, në “Mejhane” ishte punësuar  dhe Valmiri, një intelektual, i cili duke e parë gjendjen e ish-luftëtarit të UÇK-së, nuk ka guxim që ta thotë të vërtetën përmes shkrimeve të tij, dhe kështu, edhe ai në “Mejhane”, gjen ngushëllim duke rrokullisur kaca me birra dhe raki.

Pra, një subjekt që shpërfaq më së miri gjendjen e pasluftës në Kosove ku gjithë idalet e mëdha të luftës, nisin e treten në Mejhane, pikërisht nga ata që nuk donin t’i tradhëtonin ato e vendosën t’u qëndrojnë besnik atyre.

Këtë më se miri e shpjegon edhe vetë regjisori i pjesës, Imer Veliu i cili thotë: “Koinçidenca midis rrethanave që trajton Haveli te shfaqja “Audienca” ka shkaktuar ngacmime pozitive brenda meje duke krahasuar rrethanat aktuale në Kosovën e pasluftës. Teksti im te shfaqja Mejhane-ja vjen si fryt i bashkë dyzimit të ideve përparimtare drejt  një teatri modern, ku në plan të parë janë aktorët dhe trajtimi i personazheve të tyre, duke kaluar në një skenografi të varfër konvencionale që përkon me zhvillimet socio-kulturore në shtetin e Kosovës.”

Imer Veliu

Siç thotë më tej regjisori Veliu, “karakteristikat dalluese të komedisë ‘Mejhane’-s karakterizohet me një thjeshtësi të mprehtë satirike dhe absurde, të situatave groteske, duke nxjerrë në pah personazhe sa komikë aq edhe groteskë, pasi që trajtimi i një intelektuali përbrenda ‘Mejhane’-s prodhon kriza ekzistenciale ku personazhi ballafaqohet me një veteran të luftës së fundit në Kosovë, i cili ka hequr dorë nga kërkimi i benifiteve si veteran, duke e ngujuar veten në Mejhane. Po ashtu, edhe ironizomi i gjendjes së mjerueshme të popullit, duke e paraqitur atë si kulmi i lulëzimit dhe zhvillimit, nxjerrë në pah mjerimin e sistemit që dhunon popullin duke mos pasur edhe kushtet më elementare për një jetë normale, të njerëzve me vlera kombëtare.”

Në shfaqje luajnë: Fatmir Haliti, Mehmet Preteni, Mirsad Ferati dhe Agan Asllani; Skenografinë dhe Kostumet i ka bërë Anita Karaxhi; ndërsa Dizajnin e Dritave Murat Kajtazi.

Për muzikën e shfaqjes, regjisori Veliu i shpreh falenderim gruas të të ndjerit Muharrem Qena, pra Igballe Qena (Bibi) e cila i ka dhënë të drejtën e përdorimit të këngëve të Muharrem Qenës i cili po ashtu ishte nga Mitrovica.  Mjeshtër skene është Shefqet Abrazhda, ndërsa asistente teknike e regjisë Abide Ujkani.

13313620_10154210021856950_408837320_o

Regjisori Veliu në fund të shfaqjes deklaroi: “Patëm premierën e shfaqjes së komedisë ‘Mejhane, e që për mua ishte hera e parë që punoj në Mitrovicë, si autor i dyfishtë duke patur parasysh që edhe teksti i shfaqjes është i imi, bazuar në motivet nga vepra e Vaclav Havel “Audienca”. Pata kënaqësinë dhe respektin e madh që të jetësoj projektin teatral ‘Mejhane’. Shpreh falënderime për drejtorin e Teatrit z. Adem Zhitopotoku, i cili ma besoi projektin. Salla në natën e premierës ishte e mbushur përplot me shikues dhe me e rëndësishme ishte se komunikimi me shfaqjen ishte i shkëlqyer, kishte reagime të sinqerta kohë pas kohe edhe duartrokitje përbrenda shfaqjes. Sa i përket aktoreve jam i kënaqur me punën dhe përkushtimin e tyre, secili ka kontribuar në idenë e përgjithshme të shfaqjes duke qenë kontribuues e bashkëpunëtor me mua si regjisor, aktor e koleg. Shpresoj që të ketë jetë gjatësi të madhe në skenën teatrore të Mitrovicës pasi që është komedi dhe temë që jemi duke e jetuar tash e 17 vite pas lufte. Ju falënderoj edhe juve si portal mbarëkombëtarë, pasi që jeni aktivë sa i përket përcjelljes se aktiviteteve kulturore.”

Naser Shatrolli, për komedinë :Mejhane” tha: “Unë e shijova shfaqjen. Eshtë absurd bashkëkohor që replikon – riciklon mejhanen, gazin e zi që njerëzit e një qyteti të ndarë e ndajnë në një varfëri të skajshme kohore. Mos rri i pikëlluar! Mitrovica është pikëllim popullor. Aktorët ishin brenda kërkesave të regjisorit dhe anasjelltas.”

Komedia “Mejhane” do të shfaqet edhe në 6 qytet të Kosovës dhe në 3 shtet tjera. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts