Nikoliç Ivanovit: Përgatituni ushtarakisht, ne jemi gati t’ju përkrahim

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç ka deklaruar se bogradi është gati të ndihmojë Shkupin në çfarëdo problem dhe kërcënimi.

Ndërkohë kur në Ballkan flitet për paqe, Nikoliç përdor gjuhë lufte siç e bëri në Karadak të Preshevës para dy javësh. Ai ka biseduar në Budva me homologun maqedonas, Gjorgje Ivanov, në prag të samitit “Procesi Bërdo-Brione”.

Nikoliç ka theksuar përkrahjen dhe miqësinë e Serbisë e të Maqedonisë, e cila është e ballafaquar me krizë të madhe të brendshme politike.

”Koha që është para jush është shumë e ndjeshme dhe ju duhet të jeni të gatshëm në mënyrë adekuate të ballafaqoheni me sfidat mbrojtëse. Serbia ka zonën tokësore të sigurisë dhe është e gatshme të përgjigjet në çdo kërcënim. Kushdo që provon çfarëdo situate të pakëndshme në Serbi , duhet të llogarisë në unitetin e ushtrisë dhe të policisë”, ka theksuar Nikoliç, njofton B92.

Ivanov, e ka njohur Nikoliçin me situatën aktuale në Maqedoni dhe me masat që po i ndërmerr ky shtet. “Faleminderit për fjalët përkrahëse, është shumë me rëndësi që në veri kemi një vend mik”, ka thënë Ivanov.