Ngushëlluese për Shqipërinë: Maqedonia rezulton me standardin më të ulët jetësor në rajon

Nga Miradie Hasani

Ngjan si diçka ngushëlluese për shiptarët fakti që nuk jemi të parët në varfëri, a më saktë të fundit në standart jetësor në nivel rajonal e kontinental, pasi disa tregues e kanë nxjerrë të tillë Maqedoninë.

Lartësia e pagave në Maqedoni e skicon pamjen reale të standardeve jetësore në rajon. Edhe në fund të vitit 2017, Maqedonia gjendet në fund të listës sipas pagave të cilat i marrin qytetarët. Statistikat zyrtare tregojnë se paga e fundit e paguar është 23.350 denarë ose 380 euro. Që është pothuajse për 3 herë më e vogël se paga mesatare në Slloveni që është 1050 euro, dy herë më e vogël se paga mesatare në Kroaci, 800 euro, dhe për 15 euro më e vogël se paga mesatare në Bullgari, vend ky i cili është një nga vendet anëtare më të varfra  të Unionit Evropian ku paga mesatare paguhet 530 euro.  Më pas vijojnë Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina me nga 510 euro dhe 430 euro. Standarde pak më të larta se qytetarët e Maqedonisë kanë, qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Paga neto në rajon:

Sllovenia 1050 EURO
Kroacia     800 EURO
Bullgaria  530 EURO
Mali i Zi 510 EURO
Bosnja dhe Hercegovina 420 EURO
Maqedonia 380

Janë këto të dhënat nga Enti shtetëror për statistikë , të cilat tregojnë se shpenzimet për jetesë rriten minimalisht por në vazhdimësi. Më së shumti rriten çmimet e ushqimeve dhe transportit. Ndërsa vërtetim se standardi i qytetarëve bie tregon  edhe llogaritja e fundit e bërë nga shporta sindikale e shpenzimeve.

Llogaritja e fundit e shportës minimale të shpenzimeve është 530 euro që një familje 4 anëtarëshe t’i përmbushë nevojat themelore. Numri më i madh i të hollave ose 400 euro ndahen për ushqim dhe për pagesë të faturave, ndërsa 130 eurot e mbetura për ilaçe, transport dhe për veshje.

Rruga drejt standardeve më të larta, sipas institutit për analiza ekonomike Financial Think, duhet të fillojë nga sistemi arsimor i cili duhet të fillojë të prodhojë kuadro të nevojshme për ekonominë.

“Në afat të mesëm dhe të gjatë duhet të mendohet për model për rritje ekonomike të bazuara ne sektorët me pagesë të lartë siç janë veprimet kompjuterike. Nevojiten reforma dhe strategji afatgjate, duke filluar nga programet arsimore. Maqedonia duhet të prodhojë kuadro me aftësi në ato sektorë, ndërsa masat për punësim duhet të përqendrohen në këto aktivitete”, nga Finance Think.

Por ky tregues ka edhe anën e mirë, ama vetëm për një numër të vogël të njerëzve. Sipas Drejtorisë për të hyra publikë në Maqedoni ka njerëz të cilët përfitojnë aq sa shumica e njerëzve as nuk mund të ëndërojnë. Nëse para 4 viteve paga më e lartë, në sektorin privat ishte 80 mijë euro, në vitin 2017 paga më e lartë e në Maqedoni ka qenë 204 mijë euro në një Klinikë në Shkup.  Me pagë minimale prej 200 eurove, aq sa marrin 130 njerëz në Maqedoni, për të arritur këtë shumë të të hollave duhet të punojnë 106 vite. /tesheshi.com/

 

Related posts