728 x 90 Leaderboard

Ngecjet ekonomike të Kosovës në 10 vite pavarësi: Serbia vijon të jetë importues nr.1

Nga Bashkim Kastrati

Pavarësimi i Kosovës përveç rëndësisë së madhe politike, pati zgjuar optimizëm të madh edhe në aspektin ekonomik. Shumë qytetarë kanë pritur që pavarësia do të fuqizojë ekonominë dhe do të hapen shumë vende pune. Por Edhe pse tashmë janë bërë 10 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, sektori i ekonomisë ka pasur ngecje ndër vite.

Edhe gjatë 10 viteve të pavarësisë importi ka qenë dukshëm më i madh krahasuar me eksportin.

Produktet që importohen janë nga me të ndryshmet, por kryesisht në aspektin e të hyrave dhe vlerës prijnë nafta dhe derivatet e saj, duhani, automjetet, industria e ushqimit dhe tekstilit etj.

Në anën tjetër, kontributi i eksporteve në volumin tregtar në vit mbetet shumë i ulët, me rreth 300 milionë euro, kurse importi rreth 3 miliardë euro.

Importuesi më i madh në Kosovë është  Serbia, ku sipas të dhënave zyrtare janë mesatarisht rreth 400 milionë euro në vit produkte të ndryshme që importohen nga ky shtet. Është për t’u befasuar me këto të dhëna, kur dihet se shteti serb vazhdon ta pengojë zhvillimin e Kosovës në të gjitha mënyrat dhe vazhdimisht bën luftë diplomatike kundër Kosovës.

Por duhet theksuar se gjatë këtyre viteve, në disa produkte ka pasur rënie të importit, për shkak se ato produkte prodhohen edhe në Kosovë.

Shembull, një vit para shpalljes së pavarësisë, Kosova ka importuar ujë të ambalazhuar deri në 50 milionë litra brenda vitit, derisa 10 vite më vonë ky import është vetëm deri në 8 milionë litra brenda një viti, që do të thotë se në këtë rast importi është zëvendësuar me prodhim. Gjithashtu në Kosovë në vitet e fundit janë hapur disa fabrika për prodhimin e lëngjeve, gjë që ka ndikuar në uljen e importit edhe për lëngjet.

Sipas njohësve të fushës së ekonomisë, janë disa faktorë që kanë ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës, e ndër më kryesorët janë korrupsioni, sistemi gjyqësor, energjia elektrike, infrastruktura etj.

Gjithashtu një goditje të madhe Kosovës i ka dhënë procesi i privatizimit, ku janë privatizuar shumë asete shtetërore me çmime të ulëta dhe të njëjtat nuk janë vënë në funksionin që e kanë pasur më herët. Kjo ka ndikuar që të mos zhvillohet prodhimi.

Por duhet theksuar se ka pasur përpjekje për zhvillim ekonomik, në vitet e fundit renditja e të bërit biznes në Kosovë është përmirësuar dukshëm. Gjithashtu janë miratuar dy pako fiskale të cilat kanë për qëllim uljen e TVSh-së për disa produkte elementare, ndërsa ngritjen e çmimeve për disa produkte që konsiderohen të luksit.

Ekonomistët kanë deklaruar në vazhdimësi se për të pasur zhvillim ekonomik së pari duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të ketë qëndrueshmëri në sektorin energjetik, të përmirësohet sistemi gjyqësor, të mos ketë ndikime politike aty dhe lëndët të mos vonohen me vite deri në marrjen e një vendimi, gjithashtu është e domosdoshme të vihet në funksion diplomacia ekonomike për tërheqjen e investitorëve, pasi që Kosova nuk po konsiderohet si vend i papërshtatshëm për të bërë biznes. /tesheshi.com/

 

Related posts