728 x 90 Leaderboard

Nga Ylli PATA: Propaganda me predha, bomba e rrezikshme në dorën e Gruevskit

Largimi i Forcave Speciale Policore të Maqedonisë i dha fund një operacioni aspak policor në një vendbanim masiv dhe mjaft linear siç është “Lagja e Trimave” në Kumanovë. Në këtë lagje shtëpitë janë pranë e pranë dhe, si pasojë e një politike jo integruese dhe të izoluar, kemi të bëjmë me një zonë urbanisht jo klasike dhe pa një lidhje natyrale me hapësirën publike. Imazhet e ardhura në orët e mbrëmjes së 10 majit tregojnë banesa të granatuara me artileri të lehtë në mënyrë masive, të bëra shoshë nga predhat e plumbat që janë derdhur mbi mure parreshtur.

Era e barotit nuk lejonte oksigjenin të depërtonin në mushkëritë e banorëve të parë që janë kthyer në shtëpitë e tyre gati një shekullore. Kush e ka menduar apo hartuar operacionin policor që ka nisur në mëngjesin e 9 majit, ku ka dërguar një numër të madh forcash policore duke qëlluar pa pushim dhe masivisht, padyshim që nuk e ka pasur qëllimin për një rezultat policor, i cili realisht ka synim kapjen e një grupi të rrezikshëm keqbërësish nëpërmjet një depërtimi të profesionistëve që rrëshqasin në zonën e kërkuar, kapin, neutralizojnë apo asgjësojnë objektivin, duke vepruar shpejt dhe me efikasitet, në mënyrë që të mos shkaktojnë viktima.

Hartuesit e këtyre planeve veprojnë kryesisht në rastin e pengjeve që ndodhen në duart e keqbërësve. Ndërsa aksioni i Kumanovës, ishte kryekëput një operacion propogande ku boja e shkrimit ishte zëvendësuar me barotin. Sa më i madh sasia e barotit të derdhur në kodrën e Kumanovës, aq i madh efekti jehonë. Grupet policore u ndanë keqas duke sjellë që në fillim një bilanc tragjik të vrarësh që vinte duke u rritur. Pikërisht pas kësaj nisi evakuimi i banorëve, duke hyrë shtëpi më shtëpi dhe nxjerrë vetëm me rrobat e trupit, gra, pleq e fëmijë poshtë zonës së operacionit. Njerëz që kishin të afërmit në “Lagjen e Trimave” kanë qenë në ankth për fatet e njerëzve të dashur prej të premtes mbrëma kur nisi operacioni.

Qeveria maqedonase, apo shtabi i Ministrisë së Brendshme nuk ka dhënë asnjë informacion për fatin e njerëzve që ndodheshin brenda zonës së rrezikut. Një qëndrim dukshëm kriminal që nuk ndodh edhe në kohë lufte ku shtabet qytetare bëjnë një evidencë reale dhe të kohë pas kohshme të situatës në popullatën civile. Nëse nuk flisnin dot politikisht, zyrtarët shqiptarë në qeverinë e Gruevskit e veçanërisht në Ministrine e Brendshme dhe pushtetin vendor, këtu do të ishin në krye të punëve duke u marrë në dorë të parë me fatin e banorëve të Kumanovës që u lanë në mëshirë të policëve të çorientuar dhe me fytyra të ngrysura edhe të fatit tragjik të ikjes.

Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski tha se në përleshjen e armatosur kanë humbur jetën 8 policë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur, të cilët ai i ka quajtur “persona me uniformë”. Ai bëri të ditur se 37 policë janë plagosur, ndërsa 30 persona të armatosur i janë dorëzuar policisë. Kotesvki tha se organizatorë të sulmit kanë qenë 5 persona, tre prej të cilëve i janë dorëzuar policisë. Nga këto të dhëna del qartë se “grupi me uniformë” ka qenë një numër i vogël, që nuk del më shumë se 50 edhe nëse i vishen uniforma edhe pleqve, grave dhe fëmijëve në familjet e mëdha ku janë strehuar pjesëtarët e “grupit me uniformë”.

Çdo njohës sado i vogël apo kushdo që ka ndjekur filma aksion me forca special, e di që një operacion i tillë bëhet me një organizim të detajuar, ku gjithçka nis me izolimin e grupit të evidentuar nga popullata civile. Më pas nisin negociatat, njëkohësisht depërtimi, e hapi tjetër është neutralizimi apo asgjësimi, sipas rastit. Por krerët që e kanë drejtuar operacionin, që sipas informacioneve që vijnë nga Shkupi, flasin për vetë Nikolla Gruevskin dhe kushëririn e tij drejtues të shërbimit sekret, qëllimin e kanë pasur në hapjen e një vatre zjarri të re në Maqedoni, nëpërmjet përfshirjes së popullatës shqiptare në një luftë që nuk ekziston, që nuk i intereson dhe që në fund të fundit i prish punë.

Shqiptarët, luftrat i bënë në fund të viteve `90 të shekullit të shkuar kur morën mbështetjen e aleatëve perëndimore për kauzat e tyre shekullore. Rrugët për të arritur të gjitha aspiratat dhe të drejtat janë të shumta, me etapa, por që përjashtojnë konfliktet e armatosura. Shqiptarët nuk kanë ç’marrin më, pasi Kosova u çlirua dhe Maqedonia e Presheva janë në një proces serioz edhe pse të vështirë të realizimit të lirive dhe të drejtave politike. Boksieri, sot Kryeministër i Maqedonisë, e di mirë se mund të shkosh në ring me një rival që ke rënë dakord më parë se kur do të mbyllet ndeshja, por skenari i përgatitur për Kumanovën dështoi se kishte një faktor plus, ndryshe nga rasti “Monstra”. Nikolla Gruevski tashmë ka kundër të gjithë faktorin politik dhe opinionin publik maqedonas që i ka thënë gjërat siç janë duke e cilësuar sulmin në Kumanovë, një “operacion i rrezikshëm” si një farsë e rëndë që minon stabilitetin e vendit.

Ndërkombëtarët i ka humbur prej kohësh, kurse shqiptarët ka dashur dhe është përpjekur gjithnjë t’i përdorë. Shumë shpejt do të dalin të vërtetat e atij sulmi kriminal në Kumanovë që u përdor për të hapur një vatër që do t’i siguronte Gruevskit një ikje nga kurthi ku ka rënë prej kohësh e nuk po del dot. Por shqiptarët edhe pse presionin e kanë në rritje për të braktisur qeverinë e boksierit që bëri rrush e kumbulla financat e Maqedonisë për ca statuja groteske, nuk kanë pse largohen nga institucionet e vendit që i përkasin. Aty i ka dërguar vullneti i shqiptarëve dhe vetëm ai i largon. Nëse vendoset me votë. Por një gjë, duhet t’i shërbejnë qytetarëve dhe interesave të tyre dhe jo të sillen me arrogancë pasi u ka errur sytë pushteti.

Ikja i jep armë Gruevskit se kundërshtarët e tij janë shqiptarët ndaj do ta mbushë atë vakum që mezi dëshiron t’i krijohet. Kreu i VRMO-DPMNE, tashmë i ka të gjithë kundër. Ish-ministri i tij i Brendshëm e akuzoi se po çon policët si mish për top. Një gjeneral i njohur deklaroi se janë paguar 2 milionë euro për të hapur një luftë të rreme. Opozita dhe opinioni publik ka bërë gati planin e rrëzimit të tij. Shqiptarët kanë detyrimin të unifikojnë faktorin politik por jo domosdoshmërisht pushtetin. Ai vjen vetëm prej votave të fituara dhe jo të prodhuara në laboratore të frikshëm siç doli edhe nga përgjimet e publikuara nga opozita socialdemokrate.

Në radhë të parë është ruajtja e popullatës si në rastin e Kumanovës nga “gogolë me uniformë” të shpërfytyruar nga urdhërat e dikujt që po i ikën pushteti, për të gjetur “njerëz me uniformë”. Të paktën me këtë veprim justifikojnë edhe votën e qytetarëve. Por dikush duhet t’i shënojë në një bllok shtëpitë e djegura dhe dhunën ndaj të pamundurve. Që të mos flitet kot më kot nesër kur të hapet procesi ndaj fajtorëve. /tesheshi.com/

Related posts