728 x 90 Leaderboard

Nga Ylli PATA: Gremisja e një modeli të kontestuar të debatit televiziv

Prej shumë vitesh tashmë debati publik apo konfrontimi i argumenteve për ngjarjet e ditës, ka një ngërç në televizionet shqiptare. Një ngërç që vjen prej një modeli tashmë shumë të kontestuar që kurrë nuk ka bërë bashkë shumicën e opinionit publik.

Bëhet fjalë për Opinion-in e Fevziut, program që prej 20 vitesh ka krijuar klishenë e tij në prime time-n televiziv, duke sjellë përditë e më shumë një reagim të vrullshëm mospajtues për modelin që përcjell.

Pak ditë më pare, ishin përkrahësit e opozitës së Partisë Demokratike që nuk i lanë gjë pa thënë Blendi Fevziut, duke u nisur natyrisht nga keqtrajtimi sipas tyre i deputetit Flamur Noka.

Por të kërkosh në google shikon se i njëjtë, tëpkë, ka qenë edhe reagimi i ish-opozitës socialiste pas debatit të ashpër që Blendi Fenvziu pati me Artan Lamen, në një përballje për rrugët me të ndjerin Sokol Olldashi, asokohe ministër Transportesh; pra ku lindi refreni virtual “Pusho” me shkop në dorë.

I ardhur në hapësirën televizive shqiptare si një imitim i emisionit të Bruno Vespas, Opinion-i i Blendi Fevziut duket më shumë një arkaizëm i sforcuar mediatik sesa një debat normal mbi çështjet e ditës.

Kjo pasi Fevziu asnjëherë nuk ka debatuar për çështjet thelbësore që vinin nga poshtë por nga dispensat që furnizohen nga lart prej establishmentit politik.

Më 9 janar 2004, Blendi Fevziu nuk bëri emision për të mbyturit në Otranto, e vite më pas për ngjarje të tjera të mëdha me ndjeshmëri sensitive si Gërdeci apo 21 Janari.

Raste mund të sillen plot, ku edhe argumentet mund të vërviten sipas pikëpamjeve apo flamujve të përkatësisë apo simpatisë.

Por fakt është që ky model që ka ngulur një pjesë shqiptarësh, pse jo dhe shumicën e tyre, para ekranit për t’u argëtuar me sherrin ekstrem të aktorëve të atyshëm, politikë ose jo, por më së shumti politikë, është bërë bajat e nuk po funksionon, sidomos te të rinjtë e të një pjesë sqimtare e audiencës.

Një portal shumë afër establishmentit opozitar, përkatësisht mjaft afër liderit historik të PD-së, botoi në rubrikën që jua ka rezervuar editorialistëve, një koment që e shkrumbonte Fevziun, pas incidentit me Flamur Nokën, njëjtë si para disa vitesh kur Tema e Mero Bazes sulmonte Opinion-in pas klithmave me shkop ndaj Artan Lames.

Duket se atë natë, Fevziu ka prekur fundin e një modeli që tashmë po duket përditë si një gjë e vjetër, pa sens, pa logjikë. Edhe pse ka si suplemente të së martës e të mërkurës ndonjë apendiks kuzhine apo seksi, menu kryesore ka sherrin, përplasjen permanente, ku moderatori nuk lë rast  për “monotoni” po kërkon “ritëm të lartë”, jo në argument por në sherr e përplasje verbale.

E ky është modeli që duket i perënduar tashmë, nuk ofron më jo një iluminim për audiencën, por as ka një identikit të ngjashëm me median audiovizive perëndimore, që tashmë po shkon tek konfrontimi i argumenteve dhe jo i opinioneve, tek hulumtimi i fakteve dhe jo i fake news-eve.

Në SHBA këtë model e ka marrë emisioni i mëngjesit i Fox-it militant pasi në prime time prej kohësh edhe pse një media e angazhuar politikisht, synon të konkurrojë televizionet e mëdha botërore si CNN, BBC etj., që nuk kompleksohen se sulmohen nga pushteti i radhës, por vijojnë axhendën e tyre për të dhënë lajmin, ashtu siç është.

E siç e ka thënë edhe Bob Woodward, fituesi i Pulitzer me skandalin e Watergate: “E vërteta duhet thënë ashtu siç është me sa më shumë fakte, pa koment, duke zhbiriluar thellë në origjinën e zullumit. Komentin le ta bëjë publiku”.

Dëshmitari këtë ka për detyrë të tregojë – faktet – që realisht nuk është mision i lehtë kur pushteti gjithmonë tenton t’i fshehë…/tesheshi.com/

 

Related posts