Nga Ubejd JASHARI: Çairi, mes stigmës dhe së vërtetës!

“Kam udhëtuar një kohë të gjatë nëpër shtetin e Rumelisë dhe kam vizituar shumë qytete të bukura. Kam qenë i mahnitur nga të mirat e Zotit, mirëpo asgjë nuk më ka impresionuar, çuditur dhe gëzuar aq shumë si qyteti i mrekullueshëm, Shkupi, nëpër të cilin kalon lumi Vardar”.

(Udhëpërshkruesi turk Deliger Zede, shek. XVII)

 

Kështu e përshkruanin Shkupin, udhëpërshkruesit më të mirë të kohës. Ta qartësojmë që në fillim e mos të keqkuptohemi: Jo Shkupin e kuazibarokut e të përmendoreve, por Shkupin e Çarshisë e Çairit, me një fjalë, pjesën e vjetër të këtij qyteti.

A thua si do ndjehej sot Deliger Zede po të vinte në këtë shekull e të shihte mbipopullimin, varfërinë, izolimin e kaosin urban që mbizotëron në Çair? Nëse para shumë shekujsh është mahnitur me këtë vend, të jemi të bindur se edhe tani do mahnitej; por tani do mahnitej me regresin e me primitivizmin tonë që ia bëmë vetes për hiç më shumë se pesëmbëdhjetë vjet “qeverisje” nga bandat urbane.

Qarqet antishqiptare e islamofobe vite me radhë kanë investuar në media e në propagandë duke tentuar që ta paraqesin Shkupin e Çairin si vend të ekstremistëve e të terroristëve, vend primitiv e vend i prapambetur. Me ose pa vetëdije, qeveritë e mëhershme, për këtë imazh të keq që u tentua (e që vazhdon!) t’i mveshet Shkupit e Çairit, nuk u lodhën hiç e as që menduan të bëjnë diçka në këtë drejtim.

A në fakt e vërteta është krejt tjetër fare: se kush është vend i terroristëve e kush jo, është shumë lehtë e argumentueshme. Për kaq vite pluralizmin politik në Maqedoni, as edhe një kishë nuk është sulmuar apo djegur nga shqiptarët, e që nuk është ashtu nga ana tjetër, ngaqë të gjithë e dimë se në Maqedoni janë djegur xhami në Prilep e në Manastir, nuk është lejuar të ndërtohet xhami në Kriva Palankë e akoma nuk lejohet të ndërtohet xhami në lagjen Lisiçe në Komunën e Aerodromit. Ndërsa në Çair gjenden dy kisha, kisha në mes lagjeve puro-shqiptare e që kurrë asnjëherë nuk na ka shkuar ndërmend të sulmohen, demolohen apo diç tjetër, por janë respektuar me përulësi dhe dinjitet. Se ku gjendet toleranca e ku gjendet ekstremizmi le ta vlerësojmë vet. Këto fakte, me apo pa vetëdije, të pushtetshmit tonë nuk i kanë thënë as nëpër forume ndërkombëtare e as nëpër agjencitë më prestigjioze ndërkombëtare.

Pas kalimit te periudhës kur i quanin çairasit ekstremistë e fundamentalistë, më pas banditë ngase udhëhiqeshin nga bandat urbane, ka ardhur koha që përfundimisht Çairi të bëhet vend i ekspertëve. Po troket koha e një brezi të ri, një elite të njëmendtë politikanësh e teknokratësh të aftë, vizionarë e të përgjegjshëm; koha e punëtorëve të zellshëm, mjekëve brilantë, ekonomistëve dhe inxhinierëve të zotë, arkitektëve dhe urbanistëve të talentuar, patriotëve model të këtij shekulli, si dhe brezi i rinisë e i studentëve idealistë.

Shkupi e Çairi kanë qenë vend i historisë e i kulturës, i punës e i bashkimit. Vend i veprimtarëve e luftëtarëve të mëdhenj kombëtarë, që nga Mehmet Shefqet Shkupi e deri tek komandanti Imri Elezi.

Çairi e Shkupi ka ardhur koha që t’i bashkohet trungut të shqiptarisë mbarëkombëtare, asaj të Prishtinës e Tiranës. Ky model i shqiptarizmës çairase, do t’i kontribuonte edhe më shumë forcimit të identitetit shqiptar, në plotësimin e mozaikut që qenies politike shqiptare.

Nga shkatërrimi që iu bë në më pak se dy dekada, Çairi duhet të patjetër të bëhet, ngase nuk ka kohë për humb më.

Si u mahnit Deliger Zede, Shkupi e Çairi patjetër të bëhet vend ku do mahnitet përsëri çdo i huaj e çdo turist që do vjen e do e viziton Shkupin e Çairin.

Modeli i tolerancës fetare dhe modeli i bashkëjetesës nuk ka se ku të bëhet më mirë sesa në Shkup. Kjo është detyrë e të gjithëve.

Siç e thamë në fillim, po e përsërisim që ta mbajmë në mend, Shkupi e Çairi e ka çastin e fundit që nga një oaz i banditizmit me pëlhurën shpifëse të ekstremizmit, të kthehet në normalitetin integral të qytetit dhe djepin e profesionalizmit shqiptar. /tesheshi.com/