Nga Tim FARRON*: Liberalizmi ka gërryer veten – nuk është më edhe aq liberal

Kur një liberal del se është i krishterë evangjelist, njerëzit ndjehen të habitur apo të ngatërruar. Nëse jeni një prej atyre që habiteni dhe ngatërroheni, atëherë jeni një viktimë. Një viktimë e triumfit gjithëpërfshirës të liberalizmit – ku humbësi më i madh ka qenë… liberalizmi.

Liberalizmi britanik është themeluar përgjatë betejës për lirinë e besimit. Grupet jo-konformiste, të krishtera evangjeliste që persekutoheshin nga një shoqëri që favorizonte besnikërinë vetëm ndaj kishës tradicionale, ndërtuan një lëvizje që promovonte një liri shumë më të madhe për gratë, për minoritetet fetare, minoritetet jo-fetare, ato kulturore dhe rajonale, për të varfrit dhe të pambrojturit.

Shumë njerëz që e shpallin veten se janë liberalë nuk janë të tillë në të vërtetë. Liberalizmi duket hapur se ka fituar. Edhe madje, anëtarët e Partisë Konservatore dhe Liberale e quajnë veten liberalë sot. Le të jemi të ndershëm, nuk mund të punosh në media pa qenë një liberal. Edhe pse pjesa më e madhe e gazetarëve që shkruajnë për median e së djathtës, janë në të vërtetë liberalë.

Pavarësisht përpjekjeve të mia të forta, demokratët liberalë nuk fituan. Por, jo në përputhje me përpjekjet e mia, liberalizmi ka fituar. Megjithatë është një triumf i cekët, ashtu si triumfi i dukshëm i Krishtërimit ishte i cekët kur u bë besimi shtetëror në Perandorinë Romake.

Liberalizmi e ka gërryer veten për shkak se ka ngrënë shumë në atë pikëpamje për botën që e lindi, që e bëri të mundur dhe që e bën të mundshëm.

Si i krishterë, sigurisht, unë mendoj se ka vlera të përbashkëta tek gjithë njerëzimi. Ne i shohim ato në Komandamentet, dhe në një kuptim, nuk kemi nevojë të na i thonë pasi e dimë instiktivisht se çfarë është e gabuar dhe çfarë është e drejtë – kjo është një nga provat kyçe se Zoti ekziston.

Por, a ka vlera të përbashkëta sekulare që ne i ruajmë kolektivisht këtu në Britani? Jo, nuk mendoj kështu. Ne nuk kemi vërtet vlera të përbashkëta. Nuk ka një set unifikues vlerash britanike. Ky është miti im.

Çfarë qëndron në zemër të një shoqërie liberale? Është vetëpërmbajtja nga ndjesia se kemi të drejtën të ofendojmë dhe detyrën të tolerojmë ofendimin. George Orwell thoshte: “Nëse liria ka ndonjë kuptim, do të thotë e drejta për t’u thënë njerëzve atë që ata nuk duan ta dëgjojnë”.

Në braktisjen e Krishtërimit, ne shkelmojmë themelet e liberalizmit dhe demokracisë, dhe kështu nuk mund të habitemi më kur ata që ne i quajmë liberalë, ndalojnë së qëni të tillë.

Përvoja ime është se edhe pse liberalizmi ka fituar, tani po sillet si Kisha e perandorisë në shekujt e katërt dhe të pestë. Ai ka fituar mbështetës dhe ka humbur veten gjatë procesit. Nuk është më liberal.

Kështu, shumë njerëz që e shpallin veten liberalë, nuk janë më të tillë. Pesë minuta në median sociale do ju hapë një dritare të një shoqërie që dënon dhe gjykon, që hidhet përpjetë për të vepruar dhe turret për të shkaktuar reagim – liberalë që dënojnë ata që nuk konformohen si grindavecë dhe të urryer, e djathta që dënon liberalët si flokë të brishtë dëbore. Por Krishtërimi i kritikon të dyja palët: mos gjyko, trego butësi, durim – sidomos ndaj atyre që nuk e meritojnë.

Pesë minuta në rrugë të madhe, tani sidomos në prag Krishtlindjesh, do ju tregojnë për një shoqëri të blerë nga materializmi. Pesë minuta përgjim në kafenetë apo në vëzhgimin e statuseve të Facebook-ut të njerëzve do ju tregojnë për një shoqëri të blerë nga arritjet individuale, nga arritjet e fëmijëve, një shoqëri e kompromentuar nga vetëvlerësimi dhe krenaria.

Unë jam liberal: në termat ekonomikë jam një socialdemokrat i moderuar; unë besoj se ndryshimet klimaterike janë reale dhe dua ta ndal këtë; jam anglez patriot, por po ashtu edhe një europianist i apasionuar dhe internacionalist, jam një i krishterë që beson tek Bibla i cili kërkon të jetojë i bindur ndaj Zotit dhe që mbështet aktivisht lirinë e gjithësecilit për ta pranuar ose refuzuar atë. Kjo përmbledh vlerat e mia. A jemi duke thënë, seriozisht, se këto vlera ndahen nga pjesa më e madhe e popullit britanik?

Njerëzit flasin për vlerat e përbashkëta sot – edhe unë kam folur. Por kur e bëjnë këtë, ajo që ata kanë parasysh është: “Këto janë vlerat e mia – dhe unë do të veproj sikur ato të jenë gjithashtu edhe tuajat, dhe do të tregoj neveri për ju nëse ju iu largoheni atyre”.

Fraza “elita liberale” është zakonisht për njerëzit që nuk janë liberalë, por që janë elitë. Unë mund të jem liberal, por nuk ndjehem pjesë e elitës.

Por liderët kulturorë të ditës kanë bërë pohimin arrogant dhe fatal se ne kemi këto vlera të përbashkëta liberale, dhe kemi kërkuar t’i zbatojmë ato përmes tiranisë së urryer të opinionit të Xhon Stjuart Mill dhe pasojat janë …pra, Trump dhe Brexit sa për të emërtuar dy!

Pasi që çdo tiran ushqen dhe frymëzon rezistencën që kërcënon ta rrëzojë, si rezultat i vetë arrogancës së tij. Elita jonë e së djathtës në politikë, media, arsim dhe biznes janë po aq fajtorë për krijimin e politikave reaksionare të populizmit, sa edhe Rupert Murdoch dhe Paul Dacre. Përse? Për shkak se ata e kanë marrë të mirëqënë se të gjithë mendojnë njëlloj, dhe kanë hedhur poshtë si qesharake çdo shenjë ekcentrizmi.

* Tim Farron, deputet për Westmorland dhe Lonsdale, është ish-lideri i Demokratëve Liberalë. Artikulli është pjesë nga një leksion i tij botuar në “The Guardian”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/