Nga Thomas L. FRIEDMAN*: Sikur vetëm Stephen Paddok të kishte qenë musliman

Sikur vetëm të kishte qenë musliman, Stephen Paddock… Vetëm nëse ai të kishte thirrur “Allahu akbar” përpara se të hapte zjarr mbi pjesëmarrësit në atë koncertin në Las Vegas…Vetëm sikur të kishte qenë anëtar i ISIS…. Vetëm nëse do kishim pasur një fotografi të tij duke pozuar me Kuranin në një njërën dorë dhe me pushkën e tij gjysmë-automatike në dorën tjetër…

Nëse të gjitha këto do të kishin ndodhur, askush nuk do të na thoshte të mos tregonim mungesë respekti për viktimat duke “politizuar” vrasjen në masë të Paddock me anë të bisedave për masa parandaluese.

Jo, jo, jo. Atëherë ne do ta dinim mirë ç’të bënim. Do të skedulonim seanca urgjente dëgjimore në Kongres për terrorizmin e brendshëm më vdekjeprurës që prej 11 shtatorit. Më pas Donald Trump do shkruante në Tuiter çdo orë “Ju Thashë” ashtu si bën pas çdo sulmi terrorist në Europë, saktësisht me qëllimin e politizimit të menjëhershëm. Më pas, do të kishte kërkesa të menjëhershme për një komision hetimor për të marrë në konsideratë ligje të reja që kemi nevojë të zbatojmë për t’u siguruar se kjo nuk do të ndodhë sërish. E më pas, do të “peshonim gjithë opcionet” kundër vendit të origjinës.

Por, çfarë ndodh kur vendi i origjinës jemi ne?

Çfarë ndodh kur vrasësi është vetëm një amerikan i turbulluar, armatosur deri në dhëmbë me armë të tipit luftarak që ai i ka blerë ligjërisht apo i ka siguruar lehtësisht për shkakun tonë dhe të ligjeve tona për armët?

Në këtë rast e dimë se çfarë ndodh: presidenti dhe partia Republikane bëjnë të pamundurën që asgjë të mos ndodhë. Më pas, ata këmbëngulin – në kontrast me çdo sulm terrorist që lidhet me ISIS – se ngjarja nuk duhet të “politizohet” duke u kërkuar të gjithëve e sidomos vetes, të mos shihen në pasqyrë e të rimendojnë kundërshtinë ndaj ligjeve të armëve qëka logjikë të thjeshtë.

Kështu le të bëjmë një parashtrim: ne do të kthenim botën përmbys për të gjurmuar lufëtarin e fundit të ISIS në Siri – duke aktivizuar avionët B-52, raketat kruz, avionët  F-15, F-22, F-35 dhe nëndetëset U-2. Ne do t’u kërkonim burrave dhe grave tona më të mira të bëjnë sakrificën finale për të vrarë apo kapur edhe terroristin e fundit. Dhe sa amerikanë ka vrarë ISIS në Lindjen e Mesme. Harrova. A janë 15 apo 20? Dhe presidenti ynë nuk ndalon së na thëni se kur vjen puna tek ISIS, dorëzimi nuk është opcion, mëshira nuk është në meny, dhe se ai është kaq i ashpër sa që madje, ka një sekretar Mbrojtjeje me nofkën “Qeni i çmendur”.

Por, kur lufton N.R.A. — Shoqatën Kombëtare të Armëve, e cila më shumë se çdo grup tjetër ka kundërshtuar vendosjen e ligjeve të logjikshme të kontrollit të armëve – fitorja nuk është një opcion, moderacioni nuk është në meny dhe presidenti e GOP nuk kanë qenë të çmendur, por vetëm kotele.

Dhe ata nuk do i kërkojnë vetes të bëjnë qoftë edhe sakrificën më të vogël – një të vetme që mund të rrezikojë vendet e tyre në Kongres-  për të dalë në mbrotje të legjislacionit që mund ta bëjë pak më të vështirë për amerikanët të grumbullojnë një arsenal armësh siç bëri Paddock, përfshirë 42 armë, disa nga të cilat luftarake – në një dhomë hoteli dhe 19 të tjera në shtëpinë e tij sikundër edhe mijëra fshekë dhe “mjete elektronike”. Thjesht një tjetër gjuetar drerësh, ma ha mendja.

Në shtypjen e ISIS, presidenti ynë dhe partia e tij janë të gjithë të përfshirë. Për t’i kërkuar NRA-së qoftë edhe moderacionin më të vogël, ata janë të munguar. Nuk ka rëndësi sesa shumë të pafajshëm qëllohen për vdekje, nuk ka rëndësi se madje edhe një prej liderëve të tyre të kongresit u plagos rëndë ndërsa luante beizboll – nuk është kurrë koha të diskutohet ndonjë politikë serioze masash për të ulur dhunën e armëve.

Dhe pas uraganëve të paprecedentë të muajit të kaluar – që sollën mbi 200 miliardë dollarë dëme ne Hjuston dhe Puerto Riko, për të mos përmendur qytete më të vogla – Scott Pruitt, kreu i agjencisë së Trump për mbrojtjen mjedisore, na tha se po ashtu nuk ishte koha për të diskutuar “shkakun dhe efektin” e këtyre super-stuhive dhe sesi mund të reduktohej dëmi prej tyre. Ne duhet të fokusohemi në ndihmën ndaj viktimave, tha ai. Por, për Pruitt, ne e dimë, se nuk është kurrë koha për të marrë seriozisht ndryshimet e klimës.

Të marrësh seriozisht ISIS jashtë vendit, por më pas të mos bësh asgjë për të ulur këto kërcënime të tjera reale në kopshtet tona, në sallat e koncerteve apo qytetet bregdetare, është çmenduri absolute.

Eshtë gjithashtu korrupsion. Për shkak se nxitet nga paraja dhe lakmia -nga prodhuesit e armëve dhe shitësit e tyre, dhe kompanitë e naftës e qymyrit, dhe nga gjithë ligjvënësit dhe rregullatorët që ata kanë blerë dhe paguar për të ruajtur heshtjen. Ata e dinë fare mire se pothuajse gjithë amerikanët nuk duan t’u heqin njerëzve të drejtën për gjueti apo për të mbrojtur veten. Ajo që ne duam është t’u heqim të drejtën atyre që grumbullojnë arsenal ushtarak në shtëpi, dhe një dhomë hoteli dhe e përdorin mbi amerikanë të pafajshëm kur i kap ndonjë valë e çmendur zemërimi nga përbrenda. Por, NRA i mban këta ligjvënës frikacakë të lidhur ngushtë.

Çfarë duhet bërë?

Harrojeni se mund të bindni këta ligjvënës. Ata nuk janë konfuzë apo të painformuar. Ata ose janë blerë ose janë kërcënuar. Për shkak se asnjë ligjvënës i ndershëm dhe me dinjitet nuk do të hidhte vështrimin në Las Vegas dhe Puerto Riko sot dhe të thoshte: “Mendoj se gjëja më e zgjuar dhe më e matur që të bëjmë për fëmijët tanë është të mos bëjmë asgjë”.

Kështu, që ka vetëm një mjet: merrni pushtetin. Nëse jeni të ngopur sa edhe unë, atëherë regjistroni dikë për t’u votuar apo kandidoni vetë apo dhuroni para për dikë që po kandidon për të zëvendësuar këta ligjvënës frikacakë me një shumicë pro ligjeve logjike të armëve. Ka të bëjë me pushtetin e fortë, jo me bindjen. Dhe mundësia e parë që ne kemi për të ndryshuar ballancën e pushtetit janë zgjedhjet e mes-mandatit të vitit 2018. Harroheni se dikush do të përpiqet të bëjë diçka deri atëherë. Mos e shpërdoroni frymën.

Thjesht merrni pushtetin. Filloni tani.

*Thomas Loren Friedman është autor dhe gazetar amerikan, tre herë fitues i çmimit Pulicer. Ai shkruan një kolonë të përjavshme në gazetën amerikane “The New York Times” ku është botuar edhe ky opinion. 

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/