Nga Taulant F. SELMANI: Si do mund të kalojë Gjykata Speciale në Kuvend?!

Këtë javë nuk kemi parë e dëgjuar gjë tjetër pos çështjes së Gjykatës Speciale dhe votimit të saj. Në njërën anë kemi patur opozitën kategorikisht kundër votimit të Speciales, e në anën tjetër ka qenë pozita e sigurt se i ka siguruar numrat për ta kaluar në Kuvend themelimin e kësaj gjykate. Shumë analiza e shumë debate, por, më së shumti, kundërshtime rreth kësaj çështjeje, gjë që në shikim të parë na duket e rëndë.

Në seancën e parë parlamentare duket se doli fjala e opozitës; miratimi i Gjykatës nuk kaloi, e opozita dhe ata deputetë të pozitës që votuan kundër iu gëzuan pa masë moskalimit të amandamentit për themelimin e saj. Pati shumë fjalë, shumë polemika, dhe u bë shumë debat, aq sa kishte edhe momente tensionimi. Në krahun tjetër, organizatat e dala nga lufta protestonin jashtë Kuvendit kundër themelimit të kësaj gjykate, duke i ftuar komandantët e tyre të kthyer në deputetë të mos votojnë për të, e t’u bashkangjitën atyre në protestë.

Presioni ndërkombëtar nuk mungoi gjithashtu, pasi shumë ambasadorë të shteteve të fuqishme ishin të pranishëm në Kuvend për të ndikuar në ndryshimin e opinionit të deputetëve që qenë të vendosur të votojnë kundër themelimit të Speciales. Në të njëjtën kohë, kishte edhe trysni, edhe një lloj ‘kërcënimi’, ndërsa bashkësia ndërkombëtare është shprehur se, nëse kjo gjykatë nuk miratohet në Kuvendin e Kosovës, ajo do të themelohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia do të shtrijë ndikimin e saj, gjë që do të na thellojë në probleme.

Nuk do të futem në pjesën nëse kjo gjykatë duhet miratuar apo jo, në është e dëmshme dhe e rrezikshme, në do ta njollosë luftën çlirimtare të UÇK-së apo do ta pastrojë atë nga akuza të pabaza që u janë bërë komandantëve tanë.

Ekziston mundësia që votimi i Speciales të kthehet edhe njëherë në Kuvend, sipas një rregulloreje të Kuvendit, por mbetet për t’u parë nëse do të miratohet apo do të ngecë, ashtu siç ndodhi herën e parë. Pozita, e cila është shumë e interesuar që votimi i Speciales të kalojë me sukses, duhet të ketë kujdes po qe se e sjell përsëri në Kuvend, sepse mund të përsëritet i njëjti skenar.

Kjo gjykatë do të votohej dhe do të miratohej në rast se votimi do të bëhej i mbyllur. Disa prej deputetëve nuk votuan kundër për shkak të patriotizmit, por për shkak të marketingut politik. E nëse votimi bëhet i mbyllur, besoj që kjo gjykatë do të miratohet, pa dashur ta përkrah apo ta kundërshtoj themelimin e një gjykate të tillë.

Gjithsesi, shpresojmë në ditë më të mira për Kosovën! Shpresoj të mos bëjmë hapa të ngutur e të gabuar, e shpresojmë që gjërat që po i bëjmë të mos na kthehen në bumerang! /tesheshi.com/

Related posts