728 x 90 Leaderboard

Nga Taha ÖZHAN: Armët kimike në Siri, hipokrizia e aksionit ushtarak dhe e “vijave të kuqe”

Kriza siriane ka zënë një vend të dalluar që nga nisja e revoltave arabe. Hapat proaktivë nga grupet e brendshme opozitare patën nxitur revoltat në Tunizi, Libi dhe Egjipt, që filluan të tëra me protesta civile në dukje apolitike, të përqendruara përgjithësisht në pakënaqësitë ekonomike të lidhura me statukuonë shkatërrimtare të shekullit të 20-të.

Boshti gjeopolitik dhe strukturat e institucionalizuara shtetërore i penguan Ben Aliun dhe Husni Mubarakun në Tunizi dhe Egjipt që të kryejnë krime masive për t’i shtypur revoltat. Në Libi, Muammer Gaddafi përdori forcën ushtarake kundër demonstruesve pa e kuptuar madje kundër çfarë po luftonte, dhe vendi u zhyt shpejt në luftë civile.

Siria ishte hallka e fundit në zinxhirin e revoltave arabe, shpërthyer me një dhunë të përgjakshme të pakrahasueshme me të tjerat. Në ditët e para të protestave siriane të 2011-s, të rinj shkruan në mure mesazhe që thonin: “Populli kërkon të përmbysë regjimin.” Kështu, revolta siriane nisi me një kontekst të dalluar politik.

 

Një sfond i veçantë gjeopolitik

Nuk ishin ndryshe vetëm revolucionarët. Sundimtarët baathistë të Sirisë morën mësime nga ajo që ngjau me regjimet e tjera arabe dhe ndërhynë në mënyrën më të përgjakshme të mundshme, siç kishin bërë dhe herë të tjera më parë.

Ndryshe presidentit sirian, Beshar Esad, diktatorët në Tunizi, Libi dhe Egjipt nuk i kishin zotëruar në të vërtetë regjimet e tyre, duke ua detyruar pozitat dinamikave gjeopolitike dhe marrëdhënieve të brendshme të pushtetit. Asnjëri nuk kishte trashëguar pushtet përmes lidhjeve të gjakut, që do të thoshte se largimi i tyre, sido që përsëri problematik, nuk ishte një krizë ekzistenciale për institucionet e tyre respektive shtetërore.

Por Esadi mori në dorë një dinasti sektare nga i ati. Vlerësimet komplekse gjeopolitike vendore dhe rajonale mbështetën vendosjen e sundimit të tij përmes një sekti pakice në vend. Marrëdhëniet e Sirisë me Iranin dhe Rusinë, në njërën anë, dhe ekzistenca e Izraelit si një përligjje e dobishme, e pajisën regjimin sirian me një sfond të veçantë gjeopolitik. Bashkëpunimi amerikano-iranian pas pushtimit të Irakut veç e konsolidoi pozicionin e Sirisë.

Të gjithë këto faktorë nënkuptuan një gjë: sundimi baathist ishte gati t’i hapte rrugën një tjetër gjakderdhjeje për të mbijetuar. Populli sirian i është nënshtruar një versioni të shekullit të 21-të të gjenocidit të Ruandës, veç në lëvizje të ngadaltë, që zgjat shtatë vite me vrasje masive pa e çarë kokën, me sulme me raketa, dhe me përdorimin e armëve kimike.

Gjakderdhjet, masakrat, vrasjet pa gjyq, tortura dhe shtypja ishin tashmë në fjalorin organik të sirianëve. Në fundin e viteve 1970 mbizotëronte një atmosferë e rëndë ndërsa regjimi baathist përgatitej të hapte luftë kundër opozitës: “Çfarë u kërkua ishte besnikëri absolute: ata të cilët nuk ishin me regjimin do të konsideroheshin tani kundër tij. Shteti baathist do të mbrohej, me gjak nëse ishte e nevojshme. Stalini kishte sakrifikuar dhjetë milionë për ta mbrojtur revolucionin bolshevik, dhe Siria duhej të përgatitej për të bërë të njëjtën gjë,” shkroi Patrick Seale te “Esadi: Lufta për Lindjen e Mesme”.

 

Përpjekje për të rikrijuar Hamanë

Sipas një pjese te “Nga Bejruti në Jerusalem” i Thomas Friedman-it, një afarist libanez i përfshirë në një sërë marrëveshjesh me gjeneralin sirian Rifat Esad përmendi njëherë një bisedë që kishin bërë për rebelimin e Hamasë. “Mendoj se vratë 7.000 njerëz atje,” i tha afaristi Rifatit, siç citohet në librin e Friedman-it. Në vend që ta zvogëlonte përmasën e tragjedisë, Rifati iu përgjigj nga sa thuhet: “Çfarë po thoni, 7.000? Jo, jo. Ne vramë 38.000.”

Regjimi i Esadit i ka çuar shtatë vitet e fundit duke u përpjekur të rikrijojë Hamanë në mbarë Sirinë.

Përdorimi i pretenduar nga qeveria siriane i armëve kimike në Duma, në Gutën Lindore, më 7 prill, i kujtoi botës “vijën e kuqe” të presidentit amerikan Barack Obama kundër përdorimit të armëve kimike, shpallur në 2012-n. Vija e kuqe është shndërruar që atëherë në një dritë jeshile për masakra të tjera, jo vetëm nga Esadi, por gjithashtu nga presidenti egjiptian Abdulfettah es-Sisi.

Obama i bëri thirrje Kongresit në vitin 2013 për ndërhyrje ushtarake në Siri, veç për të humbur votimin. Në realitet, Obama i dha një dritë jeshile jo vetëm Esadit, por po ashtu Sisit, duke mos pranuar t’i quajë ngjarjet e 3 korrikut 2013 një grusht shteti.

Regjimit të Sisit iu dha një dritë jeshile kur ai kreu një masakër të transmetuar në televizion, duke vënë në shenjë mijëra protestues paqësorë në sheshin Rabia dhe në vende të tjera. Esadi dhe bashkëpunëtorët e tij e panë qartë këtë dritë jeshile të dhënë nga Obama dhe BE-ja nëpërmjet mbështetjes së tyre pasive për regjimin gjakatar egjiptian. Flaka e ndryshimit e ndezur në 2011-n u shua në Egjipt dy vite më vonë, duke i bërë një dhuratë regjimit të Esadit.

 

Një vizion i përgjakshëm për të ardhmen

Tani nuk ka mbetur gjë tjetër në Siri veç dhimbjes; nuk ka asgjë tjetër, veçse më tepër vuajtje, që mundësuesit dhe mbështetësit e regjimit sirian mund t’u ofrojnë sirianëve. Ata nuk kanë vizion tjetër veç ruajtjes së regjimit përmes masakrave, duke krijuar një Siri pa sirianë. Ata vazhdojnë të vrasin, me shpresën se miliona refugjatë sirianë nuk do të kthehen dhe se shtatë milionë sirianët e zhvendosur brenda vendit kanë për të qëndruar aty ku janë.

Por është një halucinacion i pastër të imagjinohet se me sakrifikimin e sirianëve mund ta zhdukin frikën e tyre të madhe prej një ndryshimi në statukuonë rajonale. I vetmi rezultat i shpërfilljes së kërkesës së njerëzve për ndryshim është akumulimi i zemërimit dhe ritrupëzimi i terrorizmit nën emra dhe forma të reja.

Problemi sirian nuk u pa qëllimisht, por gabimisht, si një krizë gjeopolitike që nga dita e parë, sepse zgjidhja e tij do të nënkuptonte një ndryshim në statukuonë rajonale. Në vend të kësaj, kriza siriane u reduktua në një problem terrorizmi apo armësh kimike. Ndërsa kjo çoi në tragjedinë më të rëndë humanitare të shekullit të 21-të, situata gjeopolitike u përkeqësua më tej.

Një përgjigje e pjesshme ushtarake ndaj përdorimit të armëve kimike nga regjimi dhe mbështetësit e tij në Duma vetëm mund të vijojë ndjenjën e deja vu-së të shtatë viteve të fundit. Vetëm nëse i qasemi krizës siriane si një problem gjeopolitik dhe si një tragjedi njerëzore do të kemi një mundësi për të dhënë një zgjidhje të gjithmbarshme.

Një këndvështrim i shtrembëruar që i druhet ndryshimit demokratik më tepër se armëve kimike, apo një ndryshimi në statukuo më shumë se terrorizmit, është po aq hipokrit sa “vija e kuqe” e Obama-s.

Marrë nga Radio 1

 Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/

Related posts