Nga Shpend Kursani / MBI DEMBELINË

Dembelë janë shqiptarët! Dembelë janë zezakët! Janë këto dy grupime njerëzish që kam rastisur  më së shumti t’u referohen si dembelë nga një grup jo edhe i vogël shqiptarësh që do ta quanin vetën punëtorë, ambiciozë, e të zotë. Mes këtyre punëtorëve, ambiciozëve, dhe të zotëve hynë edhe jo pak politikbërës në Kosovë, përfshire rang kryeministrash, si dhe punëtorë e të zotë të tjerë në sektorin publik e privat, që shyqyr qe i kemi se nuk e di se çka do të bënim pa këta punëtorë të zotë. E keqja është që edhe disa opinionistë të lëmisë së ekonomisë, që shpeshherë e shohin ekonominë e mbarë vendit nga perspektiva e ekonomisë së tyre familjare, pra të një gjendjeje bukur të mirë, shpeshherë kanë ardhur në përfundim që shqiptarët janë dembelë – o vëlla! Shikoni sa puna është në Kosovë, por shqiptarët janë dembelë, nuk punojnë, përfundojnë analizën e thukët të tyre këta, bashkë me kryeministrin e vendit së fundmi.

Dembelia si problem edhe pse ende nuk ka arritur të hyjë në parametrat e matësve ekonomikë, si koncept njihet dhe përqafohet mirë nga thelbi i mendimit neoliberal kapitalist, që e ka kapluar edhe mendimin ekonomik në Kosovë sidomos në 15 vitet e fundit. Problemi i thelbësor i këtij mendimi është premisa që fillimi i ‘njeriut ekonomik’ është fillimi i përpjekjes së ti në ekonomi përmes punës që ai e ofron. Ndërkaq ky mendim neglizhon rrethanat e ‘njeriut ekonomik’ jo vetëm ato të periudhës para fillimit të përpjekjes së tij në ekonomi me punën e tij, por në fakt edhe të rastësitë së rrethanave të tij që e presin këtë ‘njeri ekonomik’ ende pa lindur ai, rrethana këto që as nuk i zgjedhë e as nuk mban përgjegjësi për to – qoftë edhe për “dembelinë” e tij që vjen si rezultat i këtyre rrethanave, të prodhuara kryesisht nga sistemi kapitalist paraprakisht. Dembelia është përdorur dhe në fakt është shpeshtuar përdorimi i tij si arsyetim i papunësisë së madhe në Kosove dhe problemeve tjera ekonomike. Pra problemi janë bërë dembelët që nuk punojnë, e jo puna e vërtetë që atyre iu mungon apo edhe lloji i punës që atyre iu ofrohet, e që “dembelët” po e refuzokan.

Problemi fillon kur këta punëtorë, ambiciozë e të zotë, suksesin e punës së tyre ia lënë aftësisë dhe angazhimit të tyre individual. Unë u mundova, dhe i kam punët mirë, ai tjetri nuk punon dhe i ka punët keq. Dhe vazhdon, unë jam punëtorë, ai është dembel. Të ndalemi këtu, tek “uni” i punëtorit të zotë. A e ka bërë ky punëtor i zotë ndonjëherë pyetjen pse ai është punëtorë e ai tjetri “dembel”? Punëtori i zotë nuk e lenë veten ta bëjë këtë pyetje, sepse është i preokupuar me “unin” e tij dhe zotësinë e tij përmbi zotësinë e të tjerëve. P.sh. që “dembeli” nuk e ka zgjedhur të lindë në fshat të lënur anash, që nuk e ka zgjedhur të lindë në një familje të varfër, që nuk e ka zgjedhur të lindë në një familje të pashkolluar, që nuk e ka zgjedhur të lindë në një familje nëntë anëtarëshe ku ai është vetëm numër në atë familje, që nuk e ka zgjedhur rastësinë e të qenit i rrahur me shkop ditë-për-ditë ku vetëbesimi vetëm se bije përtokë, “punëtorët” e “të zotët” që kanë lindur në rrethana kryesisht të kundërta nuk i marrin këto parasysh, e që ua mundëson atyre lehtësisht të jenë punëtorë e të zotë. Dhe ka shumë rrethana dhe rastësi të tjera që ia mundësojnë punëtorit e të zotit të jenë punëtorë e të zotë kryesisht jashta aftësisë dhe angazhimit të tyre individual, dhe “dembelëve” të jenë “dembelë” po ashtu jashta dëshirës dhe zgjedhjes së tyre individuale.

Kjo është njësoj sikurse ta akuzosh një të ri në Kosovë që nuk di të flas Anglisht, e jo sistemin i cili i ka dërguar atij në fshat mësues të Rusishtes për ta mësuar atë Anglisht. George Orwell me një shkrim të tij të vitit 1933, mundohet t’i përgjigjet pyetjes se pse lypësit e rrugëve urrehen nga të tjerët, punëtorët? Ai thotë se nuk ka asgjë dallim nga lypësit dhe punëtorët tjerë. Lypësit së paku janë të ndershëm, thotë ai, për dallim nga tregtarët e tjerë që mashtrojnë e gënjejnë për të bërë sa më shumë para. Tutje arrin në konkludim Orwell, që lypësit urrehen dhe nuk respektohen, jo për punën që e bëjnë, por për shumën e parave që nuk mund ta bëjnë. Po të fitonin lypësit më shumë se një tregtar, doktor, a avokat, në këtë sistem ku parja dhe vetëm parja rregullon dhe arsyeton marrëdhënien e punës, atëherë lypësit menjëherë do të respektoheshin e çmoheshin. Por, meqë ata nuk fitojnë më shumë, ata konsiderohen dembelë, sepse e paskan zgjedhur vetë atë punë apo atë fitim që e bëjnë.

Ta marrim problemin e këtij mendimi ekonomik në Kosovë që arsyeton problemin ekonomik nëpërmjet dembelisë me një rast tjetër konkret dhe të vërtetë në Kosovë. Një konsorcium amerikano-turk ndërton autostrada lartë-e-poshtë, majtas-e-djathtas Kosovës. Përtej simbolikës që edhe lidh një komb, ky konsorcium edhe ofron mijëra vende pune për të rinjtë e për të rejat e Kosovës. I ofrohet punë një të reje në Kosovë nga ky konsorcium, dhe ajo vendosë t’i thotë jo kësaj oferte. Dhe natyrisht, për shumë mendimtarë të ekonomisë në Kosovë, kjo e re duhet vetëm se të jetë dembele. Ja, i ofrohet punë dhe nuk punon. Ç’dembel popull do të thoshin. Por këta mendimtarë nuk donë ta shohin se çka zihet në këtë sistem dhe çka mundëson ai me gjykimin se paraja e rregullon vlerën e punëtorit në treg të punës, e që kjo e re e refuzon një gjë të tillë. Mirëpo kjo e re e refuzon punën dhe përqafon “dembelinë” me siguri për shkak se ka mundur të jetë pjesëmarrëse e një konference për të drejtat e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë mbajtur vitin e kaluar në Prishtinë. Një ish-punëtor i konsorciumit amerikano-turk pjesëmarrës në konferencë, foli mjaftë për “punën” që ofrohet nga ky investim. Me lot në sy, e që arriti t’i përlotë edhe pjesëmarrësit tjerë, ai tregoi se si një e vejë e re që kishte gjashtë fëmijë krahas punës së saj si kuzhiniere, punë për të cilën paguhej, në kohë pushimi detyrohej të ofrojë edhe shërbim seksual për 5-6 punëtorë tjerë në të njëjtën kohë. A na duket tash dembele një e re që refuzon punë tek ky investim i jashtëm miliardësh edhe ku ajo paguhet “mirë” për këtë punë – ndoshta njësoj, si “kuzhiniere”?

Kjo është njësoj sikurse ta akuzosh këtë të re për “dembelinë” e saj, e jo sistemin i cili lejon një trajtim të tillë të punëtorit e që është i qenësishëm për sistemin ekonomik të vetë rregulluar siç e kërkon neoliberalizmi kapitalist e që liderët e saj e kanë përqafuar me zell. Ia ofrojnë 300 Euro e nuk punon. Jo, nuk duhet të punojë në fakt. Paraja nuk duhet ta arsyetojë punën. Askush nuk duhet të punojë punë të padinjitetshme dhe në formë të padinjitetshme pa marr parasysh pagesën. Apo argumenti se po ikin nga Kosova edhe ata që kanë punë, dhe dështojnë ta shohin problemin tek sistemi i cili nuk ua siguron atyre punën, pagesën, dinjitetin e punëtorit dhe të punës, por merren vetëm me sipërfaqen e punës e jo edhe thelbin e saj. Vetë sistemi ekonomik në Kosovë dhe çka ka prodhuar ky sistem e arsyeton “dembelinë” e punëtorit, që do ta quaja “dembeli e drejtë”. Mos të harrojmë, se kjo nuk ndodhë vetëm në Kosovë, sepse sistemi neoliberal kapitalist, nuk zbatohet vetëm në Kosovë. Ai pothuajse përgjithësisht është përqafuar edhe nga vendet e tjera të botës. Edhe pse jo pjesë qenësore e tij, prodhimi i dembelisë në fakt është produkt i vetë kapitalizmit. Sa i përket etikës kapitaliste, Paul Lafargue në shekullin e 19-të kishte argumentuar se ideali i kapitalizmit është që sa më shumë t’ia zvogëloj punëtorit nevojat, dhe mbi gjitha t’ia shtyp të gjitha kënaqësitë dhe pasionet që ai merr nga puna, dhe kësisoj të reduktohet vetëm se në vegël pune. E njerëzit me shumë të drejtë, dhe në mënyrë radikale refuzojnë dhe duhet të refuzojnë të jenë vegël pune. Nuk mund ta akuzosh inxhinierin e elektronikës që refuzon të bëhet kuzhinier, kur ai këtë të fundit nuk e ka pasion. Ai duhet të qëndrojë si “dembelë”, dhe atë me shumë të drejtë.

Megjithatë, dembelia nuk është edhe gjithaq e keqe, dhe nuk duhet të përgjithësojmë me të. Eseisti Christopher Morley kishte argumentuar në favor të dembelisë. Nga vëzhgimi i tij, ai thotë që sa herë që dikush futet në probleme, është për shkak se nuk ka qenë dembel. Po nëse nuk kishte me u marr me ndonjë gjë, ai as problem nuk do të kishte me pasur. Ai merr shembullin se si do të ishte mirë për Evropën dhe botën nëse Gjermanët gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar do të vendosnin të ishin po aq dembelë sa edhe fqinjët e tyre. Por jo, ata vendosën të punojnë shumë, dhe fatkeqësisht punuan gabim dhe morën miliona njerëz në qafë.

Edhe në Kosovë mendoj që ata që kritikojnë dembelët e punës, përfshirë këtu një shumicë të elitës politike dhe disa opinionistëve që kanë gjetur dembelinë si problem të ekonomisë së vendit, do të i ndihmonin shume vendit po të ishin vetë dembelë. Është mirë t’i thërrasim këta në dembeli, e të pushojnë së punuari mbrapsht e gabim, e t’u hapet rruga “dembelëve” për të punuar marr e drejtë.

(Shpend Kursani është opinionit i rregullt i portalit TeSheshi. Ky opinion është shkruar ekskluzivisht për këtë portal)

auto pjese dak

Related posts