reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Nga Fitim Zekthi/ NARCIZMI, SËMUNDJA JONË E MADHE!

Në dekadat  e fundit të shekullit të kaluar, studiues të shumtë të shkencave sociale, sociologë, antropologë por edhe filozofë apo politikanë  në perëndim, nisën të përdorin dendur togfjalëshin ‘luftë kulturore’ për të përshkruar debatin apo konfliktin e madh mes vlerave që mbroheshin nga tradicionalistët apo konservatorët dhe progesistëve apo liberal dhe majtistëve.  Fred Hutchison, një filozof amerikan, thotë se armatën që sulmon, që përkufizon termat dhe që dominon këtë luftë e përbëjnë forca që kundërshtojnë  idenë e një ligji moral universal.

Një zë i fortë në këtë bashkësi, janë përkrahësit e revolucionit seksual përfshirë homoseksualitetin, feminizmin, normalizmin e lirisë seksuale apo shthurjes dhe ata pro abortit. Në këtë bashkësi një peshë shumë të madhe kanë edhe mbrojtësit e relativizmit kulturor. Këta kundështojnë idetë e të vërtetës, bukurisë dhe cilësive të natyrshme në vetvete.  Gjithë kjo lëvizje kërkon të zhbëjë trashëgiminë kulturore dhe spirituale  dhe  zëvendësojë atë me një cekëtirë kulturore, ku thelbi janë imazhi dhe shfaqja.

Kjo kulturë e re vendosi në qendër të gjithçkaje egozimin e njeriut dhe sot nga salla e parlamentit, tek skena e festivalit të këngës, që nga aula e universitetit tek emisionet televizive, tek fotot selfie apo tek fushat e futbollit shohim të lulëzojë narcisizmi.  Narciszmi është kudo, në veshje, në qëndrim, në  biseda, në rritjen e jashtëzakonshme të biznesit të parukerive, në  sulmet ndaj tjetrit, në ndërtimin e “tjetrit” etj. Narcisi ishte një i ri në mitologjinë greke.  Ai ra në dashuri me një nimfë të quajtur Eko.

Ai i kërkoi perëndeshës Nemesis të hakmerret. Nemesis e dënoi Narcisin.  Ai pa në ujë fytyrën e tij dhe ra në dashuri me të. Narcisi vuajti tmerrësisht nga kjo dashuri e pashpresë për fytyrën e tij. Në të vërtetë narcisizmi ëhstë një dashuri e çekuilibriur për veten, vetadmirim, vetadhurim.  Për një njeri të tillë ekziston vetëm ai dhe gjithçka tjetër kthehet në zgjatim të tij. Narcisët nuk falin dhe nuk harrojnë. Ata zhyten në obsesione të frikshme.  Kështu ne mund të kuptojmë më qartë idhujtarinë që ndërtoi Enver Hoxha për veten, obsesionet e tij, makthet e tij. Ne mund të kuptojmë vrasjen e të gjithë atyre që ishin figurat krysore të partisë komuniste ish shokë dhe bashkëpunëtorë. Narcisizmi shpjegon edhe mbushjen e vendit me portrete dhe parulla (edhe malet madje).

Kjo sëmundje, narcisizmi, prodhoi një makineri të tmerrshme që e shfaqte diktatorin si njeri të ditur që shkruante filozofi apo literaturë politike, në një kohë që ai ishte ideuesi mizor i burgjeve, vrasjeve dhe internimeve të gjithë atyre që i quante kundërshtarë.  Po kështu ne mund të kuptojmë edhe pafuqinë për të dëgjuar tek gjithë politikanët tanë në këto dy dekada  e gjysëm. Po kështu mund të shpjegohet  muzika mbizotëruese, sharjet, banaliteti  dhe rrahjet mes këngëtarëve, por edhe sharjet dhe agresiviteti në rrugë edhe për një shikim edhe për një prekje padashje. Në qendër të gjithçkaje është vetja e pagabueshme, njeriu që di gjithçka, që ka në dorë gjithçka dhe që nuk varet nga asnjë forcë tjetër.  Fridrih Niçe nga fundi i shekullit të 19 tha se “Zoti vdiq”. Ai  kishte parasysh njeriun në periudhën moderne që po merrte trajtë i cili nuk besonte në një bashkësi parimesh transhedentale sipas të cilave duhet të jetonte.

Në vend të një rendi universal  që i jep kuptim, qëllim  dhe drejtim jetëve të njerëzve, njeriu modern mendon se është vetë ai që ka për detyrë të përcaktojë kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës. Pra njeriu vdekatar, vret Zotin dhe kështu nuk ekziston më një autoritet më i lartë të cilit ai duhet t`i përgjigjet. Niçe përshkruan si pikën bazë të kësaj kthese gjigande në kulturën e perëdimit shekullin e 19. Ai shprehet se vdekja e Zotit nuk do të thotë se njerëzit nuk besojnë më në Zot. Ata besojnë ende, por jetojnë dhe sillen sikur besim nuk ka rëndësi. Pra, vdekja e Zotit është fundi i besimit tek absolutja. Ajo më shumë ka kuptimin e humbjes së parimeve më të larta, para të cilave njerëzit mbajnë përgjegjësi. Absolutja e re qëkrijohet  është njeriu me arsyen por edhe me dëshirat dhe egon e tij.

Kjo është edhe bota që kërcënon ekzistencën e njeriut. Vrasja e Zotit, thotë Niçe,  krijon një shkretëtirë që përhapet gjithandej dhe e bën jetën e njeriut bosh dhe pa kuptim. Në këtë kuptim vdekja e Zotit sjell vdekjen e njeriut. Sot është e qartë se vrasja e Zotit nuk e ka bërë njeriun më të lirë, as më të lumtur dhe sigurisht as më etik. Shkretëtira rritet dhe pamja e saj më e qartë është tek narcisizmi.  Njerëzit duke u lidhur pas një parimi më të lartë, forcojnë thelbin e tyre dhe bëhen më të pasur. Ky është i vetmi shpëtim nga narcisizmi dhe vuajtjet që shkakton ai.