Nga Robert KAGAN*: “Amerika e Para” ka fituar

“Ne kemi një president amerikan i cili nuk e vlerëson rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat”, vinte në dukje jo shumë kohë më parë një ish-këshilltare e lartë e zëvendës-presidentit Joseph R. Biden Jr. Ajo kishte të drejtë, sigurisht. Por, a është ndryshe prej tij publiku amerikan?

Presidenti Trump mund të mos gëzojë mbështetje me shumicë këto ditë, por ka arsye të mira për të besuar se qasja e tij “Amerika e Para” ndaj botës, e gëzon këtë mbështetje. Nuk ka pasur asnjë protestë popullore kundër betejave tregtare të Trump me Kanadanë, Meksikën dhe aleatët europianë.  Ekspertët sugjerojnë se ne jemi në nisje të një lufte të gjatë ndërkombëtare tregtare, pavarësisht se kush mund të jetë presidenti i ardhshëm. Në fund të fundit, edhe Hillari Klintonit iu desh të zhbënte mbështetjen e saj për Partnershipin Trans-Paqësor në zgjedhjet e fundit. Konsensusi i vjetër për tregtinë e lirë, nuk është më.

Politikat emigratore të Trump mund të jenë më popullore mes republikanëve sesa mes demokratëve, por pak politikanë demokratë janë duke kandiduar me premtimin për të sjellë më shumë emigrantë në vend. Dhe pothuajse njësoj si në vitet 1920,  izolacionizmi është bashkuar me ndjesinë anti-emigrantë dhe proteksionizmin si një shtyllë e Parllëkut të Amerikës.

Konsensusi i vjetër për rolin e Amerikës si mbajtëse e sigurisë globale ka rënë në të dyja palët. Rusia mund të ketë kryer agresion territorial kundër Ukrainës. Por votuesit republikanë ndjekin Trump në kërkimin për lidhje më të mira, duke pranuar aneksimin me forcë të Krimesë nga Moska dhe përhapjen e ndikimit të saj në Lindjen e Mesme (edhe pse disa nga personat nën urdhrat e Trump, e bëjnë këtë”. Ata duartrokasin Trump që kërkon marrëveshje të dyshimtë me Korenë e Veriut në të njëjtën mënyrë që dikur dënuan presidentët demokratë se po bënin të njëjtën gjë. Ata favorizojnë një luftë tregtare me Kinën, por nuk kanë favorizuar qëndrueshëm rritjen e shpenzimeve ushtarake për të frenuar një luftë reale.

Demokratët mund të duken se po marshojnë pas rendit liberal, por pjesa më e madhe e këtij pozicioni është thjesht kundërshri ndaj denigrimit që po i bën Trump këtij rendi. A janë demokratët e sotëm vërtet më shumë të angazhuar për mbrojtjen e aleatëve dhe frenimin e sfiduesve ndaj rendit botëror liberal? Pjesa më e madhe e politikanëve demokratë që janë bërë sot gardh ndaj kënaqjes së Moskës prej presidentit Trump, përshëndetën “rinisjen” e Obamës pak vjet më parë dhe kërdisën republikanët se po kërkonin një luftë të re të Ftohtë. Pjesa më e madhe e votuesve demokratë kërkojnë shpenzime më të vogla ushtarake dhe një prani ushtarake shumë më të vogël të Shteteve të Bashkuara jashtë territorit, që nuk shkon në linjë me kërkesën për të qenë më të ashpër me Rusinë, Korenë apo Kinën – përveçse në tregti.

Pjesa më e madhe e amerikanëve në të dyja partitë po ashtu, bien dakord me Trump që aleatët e vjetër të Amerikës duhet t’i dalin zot vetes dhe të mos varen më tek Shtetet e Bashkuara për mbrojtje. Shumë pak nuk ishin dakord me hezitimin e deklaruar të presidentit për të mbrojtur Malin e Zi me jetë amerikane. Britanikët në vitet 1930 nuk dëshironin të vdisnin për Dancingun, ndërsa amerikanët sot nuk duan të vdesin për Taipein apo Rigën, le pastaj për Kievin apo Tbilisin. Presidenti Obama ishte më pak armiqësor ndaj aleatëve sesa Trump, por edhe ai madje, ankohej për “kalorësit falas”.

Në retrospektivë, është mjaft e qartë që Obama ishte tepër internacionalist për bazën e tij partiake. Ai zgjeroi NATO-n, ndërhyri në Libi, vendosi sanksione mbi Rusinë dhe u ndenji mbi kokë negociatave të partnershipit Trans-Paqësor. Demokratët mund t’ia ndjejnë mungesën Obamës për shumë arsye, por ka pak prova që mbështetësit e thjeshtë të kenë mall për ato politika. Qasja më e ngushtë, më e njëanshme dhe nacionaliste ndaj botës është me gjasa më afër asaj ku qëndron publiku i gjerë sesa ndjeshmëria më kozmopolitane e Obamës.

Do të ishte më e rehatshme t’ia lëmë fajin për qëndrimin aktual të Amerikës Donald Trump-it. Por, ndërsa ai mund të jetë një lloj i veçantë presidenti, as ai nuk mund të krijojë një gjendje shpirtërore të publikut nga asgjëja. Tani, si gjithmonë, presidentët reflektojnë opinionin publik të paktën po aq shumë sa e formësojnë atë. Midis dy luftërave botërore, dhe sidomos nga viti 1921 deri në vitin 1936,  një publik amerikan i deziluzionuar nga lufta e Parë Botërore ishte kundërshtues ndaj një përfshirjeje të mëtejshme jashtë vendit, dhe nuk kishte rëndësi nëse presidentët ishin po supozoheshin të ishin “izolacionistë” si Warren Harding dhe Calvin Coolidge apo “internacionalistë” si Herbert Hoover apo Franklin Roosevelt. Duhej shumë më tepër sesa bisedime pranë zjarrit për të kthyer opinionin publik. U desh pushtimi i Europës nga Hitleri, pothuajse-pushtimi i Britanisë dhe në fund, Pearl Harbor për të bindur një shumicë amerikanësh që Amerika e Para ishte gabim.

Në kohën tonë, trendi drejt qasjes Amerika e Para ka qenë në rritje që prej fundit të Luftës së Ftohtë. Xhorxh Bushit, heroit të Luftës së Gjirit, iu desh të minimizonte politikën e jashtme në vitin 1992 dhe humbi ndaj një kandidati që premtonte të fokusohej më shumë tek çështjet e brendshme. George W. Bush fitoi në presidencialet e vitit 2000 me premtimin për të reduktuar përfshirjen globale të Shteteve të Bashkuara duke mposhtur kundërshtarin Al Gore, i cili fliste ende për domosdoshmërinë e Amerikës. Në vitin 2008, Obama fitoi ndërsa premtonte të nxirrte vendin jashtë konflikteve në dhe të huaj një herë e mirë. Në vitin 2016, republikanë internacionalistë si Jeb Bush dhe Marco Rubio u flakën që në primare. Hillary Clinton pati vështirësi të mbante larg Bernie Sanders, një izolacionist progresiv dhe kjo me siguri nuk ndodhi për shkak të pikëpamjeve të saj të politikës së jashtme.

Tashmë, ne kemi Trump. A është ai një shmangie apo një kulminim? Shumë ekspertë të politikës së jashtme, dhe pjesa më e madhe e liderëve të huaj që vijnë në Nju Jork këtë javë për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, llogariten se mendojnë të parën. Ata i mbajnë shpresat në zgjedhjet e vitit 2020 për ta kthyer Amerikën në rrugën e saj të vjetër. Por atyre mund t’u duhet të nisin të përballen me faktin që ajo që po shohin sot nuk është një spazmë, por një drejtim i ri në politikën e jashtme amerikane, apo më mirë një rikthim tek traditat më të vjetra- të llojit që na mbajtën ne në aneks, ndërsa fashizmi dhe militarizimi pothuajse pushtuan botën.

*Robert Kagan, ekspert i lartë në Institutin Brookings, është autor i librit të fundit “Xhungla u rrit sërish: Amerika dhe Bota jonë e rrezikuar”. Opinioni është botuar në gazetën “New York Times”.

Përktheu: Juli Prifti -/tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts