728 x 90 Leaderboard

Nga Redi SHEHU: Tahiri mes arrestit dhe integrimit

Rekomandimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, pa vendosur ndonjë kusht kësaj rradhe, përbën një ngjarje politike e cila vjen në një mjedis gjeopolitik tepër dinamik të Ballkanit. Forca shtytëse politike e mjedisit dinamik ballkanik, ka ndërtuar një situatë emergjence në përceptimin e Brukselit se nëse ky organizëm nuk përparon më tej me proçedurat e integrimit, atëhere Ballkani Perëndimor do të përfshihet në një lojë të dyfishtë gjeopolitike sa do të sillte surpriza të pafundme. Pikërisht në këtë mjedis, vjen edhe lajmi që deputeti Tahiri, ish-Ministër i Brendshëm i akuzuar si njeri i lidhur me trafiqe për shkak të përgjimeve të bëra nga italianët, dorëzon mandatin e deputetit. Po në të njëjtën situate. Kryeprokurorja e përkohshme, zj. Marku shkarkon kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, z. Hajdarmataj i cili është edhe prokurori i çështjes “Tahiri”. Pak orë më vonë vjen edhe verdikti për “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Ramës.

Në pamje të parë duket sikur këto ngjarje nuk kanë lidhje më njëra-tjetrën dhe se dorëzimi i mandatit të një deputeti nuk ka të bëjë me proçeduart e integrimit. Situata është e tillë që pavarësisht rekomandimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, shtete anëtare dhe parlamentet e tyre kanë të tjera qasje dhe përceptime lidhur me vetë ekzistencën e BE-së. Vetë Bashkimi Evropian funksionon me dy kohë: njëra që është politike e stofit të zyrtarëve të Brukselit, e cila përshpejton drejt projektit evropian, dhe tjetra është po ashtu politike por që bazohet mbi projektet nacionale të vendeve anëtare. Në këtë kuadër, shtete si Gjermania, Franca dhe sigurisht e gjithmonshmja Hollandë, patën shprehur hapur skepticizmin e tyre në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Motivi, i cili është qarkulluar në sallonet e bluarjes dhe fabrikimit të politikës mediatike tonën, ka qenë korrupsioni ku specifikisht fokusi është nënkuptuar ish-minstri Tahiri. Pra, Tahiri dukej se ishte motivi me të cilët shtetet e lartpërmendura skeptike justifikojnë refuzimin e tyre. E në fakt Tahiri është një pikë e fortë, një portë që hipotetikisht të çon drejt kryeministrit Rama, e kështu tabloja e korrupsionit dhe kanabisit mbyllet me një çelës, që sipas gjermanëve kyç një herë e mirë Ramën dhe bashkë me të edhe ngrehinën e integrimit të shqiptarëve në BE.

Dorëzimi i mandatit të deputetit nga ana e z.Tahiri i hapi rrugë fillimit të proçedimit nga ana e prokurorisë për akuzat të cilat tashmë janë të ditura publikisht. Ky dorëzim mandati ngjau me një lëvizje shahu që maxhoranca bëri për të rrëzuar çdo pretendim të shteteve skeptike mbi mbrojtjen politike të politikanëve të inkriminuar në Shqipëri dhe për t’i hapur rrugë aprovimit të rekomandimit të Komisionit në qershor për Shqipërinë. Vetë fakti që z. Tahiri dorëzoi mandatin tani dhe jo më parë, duke ditur që ky veprim do të çonte në proçedimin e tij, implikon indirekt për një linjë kuptimi të ndërsejlltë që ai ka me kryeministrin e vendit. Alibia se dorëzimi i mandatit nga ana e tij vjen si pasojë e mospengimit të inegrimit, duket pak qesharake në kohën kur çëshja e tij kishte muaj që artikulohej në sallonet e politikës evropiane. Mirëpo ky dorëzim mandati që ish-ministri ndërmori, në një mënyrë apo tjetër e skualifikoi atë nga statusi i “peshkut të madh”, pra arresti shtëpiak për të dhe çdo proçes tjetër që do të pasojë mund të jetë drejtësi në raport me lidhjet e tij me krimin e organizuar nëse provohet, por ama nuk do plotësojë profecinë e ambasadorit amerikan, z.Lu mbi tipologjinë e “peshkut të madh”.

Duke e skualifikuar Tahirin nga kategoria e “peshkut të madh”, kryeministri Rama me dhelpëri arriti që me një gur të vrasë dy zogj. Së pari, të deklasifikojë iniciativën e amerikanëve në gjuetinë e “peshqve të mëdhenj”, duke i kënaqur me një “sardele” siç është edhe gjendja e z. Tahiri tani; dhe së dyti, me dorëzimin e këtij të fundit, rrëzoi armën e vetme me të cilën Berlini kishte mbushur  për ta vrarë politikisht Ramën.

Kjo në fakt duket një lojë e vogël, parë në kontekstin shqiptar, të një periferie urbane me gjithë problemet që e shoqërojnë, por nëse vendoset në kontekstin e gjeopolitikave sot në Ballkan, atëhere lëvizjet e fundit në Shqipëri dhe proçesi i hapjes së negociatave në qershor marrin një tjetër domethënie e cila nuk duket edhe aq naive.

Po përse Berlini kërkon ta vrasë politikisht Ramën duke u shprehur kundër hapjes së negociatave? A është vërtet Tahiri motivi si ikonë e korrupsionit dhe trafiqeve në Shqipëri? Përse Berlini zyrtar mban tani këtë qëndrim kur dihet se ka qenë një ndër mbështetëset e Shqipërisë në etapat e integrimit, edhe në kohën kur krimi i organizuar, korrupsioni pse jo dhe kanabisi ishin prezent në jetën shqiptare? Ku qëndron veçantia e z. Rama që e ka bërë këtë të fundit nga të përkëdhelurin e Merkelit dy vite më parë edhe kur Tahiri ishte ministër dhe shërbimet sekrete gjermane kishin info për përfshirjet e tij, në një pothuaj të huaj tani për të?

Mendoj se ajo që ka ndryshuar në marrëdhëniet e Berlinit e Parisit me Tiranën, nuk besoj së ka qenë çështja Tahiri, por një dualizim i kursit gjeopolitik të Tiranës drejt një forcimi marrëdhëniesh ekonomiko-politike me Ankaranë. Ky besoj që është edhe motivi kryesor i këtij presioni që i bëhet Tiranës zyrtare në proçeset finale të integrimit.

Nëse është kështu, atëhere këtu kemi dy probleme. Së pari, nuk është “fair play” nga ana e Brukselit të përdorë presione të dedikuara sipas situatave të ndryshme gjeopolitike. Së dyti, nëse vërtet lidhjet me Ankaranë përbëjnë merak, dhe nëse një aeroport apo një kompani ajrore përbëjnë shqetësim, atëherë Brukseli ka pasur dhe ka të gjithë kohën e duhur për të bërë të njëjtën gjë në Shqipëri dhe Kosovë duke u ofruar shqiptarëve vërtet plane dhe investime të besueshme rimëkëmbjeje, gjë që për hir të së vërtetës e ka bërë pa u kursyer me Beogradin, Podgoricën dhe pse jo edhe me Shkupin. /tesheshi.com/

 

Related posts