Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Redi SHEHU: Shoqëri pa fajtorë

Shoqëria nuk është një abstraksion,është bashkësia e vullneteve të ndërgjeshme, e cila sot ndodhet në një fazë të përparuar të dekadencës. Për ta vërtetuar këtë përfundim, na duhet që të arrijmë në konkluzionin se dekadenca e saj është e tillë, bazuar në krahasimin me një model apo me një standart e cili përbën edhe referencën nga e cila ne mundtë përcaktojmë degradimin ose jo të saj. Në fakt, shoqëritë janë pasqyrime të njerëzve të cilët përbëjnë edhe vetë atë shoqëri. Janë pasqyrime të një galatike ndërgjegjesh njerëzore të cilat në formë ritmike i japin jetë kësaj bashkësie. Për ta parë se si është natyra e shoqërive të sotme, na duhet të shohim se si është natyra e ndërgjegjes njerëzore si thelbi i shoqërsisë, si palca e thurrjes sociale sot.

Për hir të së vërtetës, nuk ka ekzistuar kurrë më parë një shoqëri relativiste e cila të ishte e aftë të asgjesonte konsensualitetin e kuptimit të ligjeve morale. Jo vetëm kaq, por nuk ka ekzistuar kurrë më parë një shoqëri e cila të ishte e aftë të asgjesonte pendimin si proçes totalisht moral. Sot, nuk ka vetëm një shoqëri, sot ka një globalizim shoqërish të relativizmit moral, për rrjedhojë ka një globalizim të humbjes së ndjenjës së pendimit. Shumë mendimtarë kanë thënë se parimet morale kanë atribute solide të pandryshueshme, mirëpo relativizmi moral i shoqërive të sotme i asgjeson këto atribute solide, dhe eleminon kthjelltësine tek njerëzit dhe zhduk dritën me të cilën civilizimet janë ndërtuar. Por ama, drita e civilizimeve është bazuar mbi parime të pandryshueshme që do të thotë ka qenë e bazuar mbi parime morale. Që të gjallosh brenda këtyre parimeve morale do të thotë që të jetosh shpitërisht. Pa shpirt nuk mund të kuptohen e as të aplikohen principet morale.

Kohë më parë, Peter Maurin dhe Dorothy Day patën përkufizuar shoqërinë virtuoze si bazë e civilizimeve duke u mbështetur në postulatin se një shoqëri e mirë është ajo shoqëri që ta lehtëson punë për të qenë njeri i mirë. Një shoqëri e lirë është ajo shoqëri që ta lehtëson punën për të qenë njeri i lirë. Që të jesh i lirë dhe të jetosh i lirë do të thotë se duhet të jetosh shpirtërisht, sepse vetëm shpirti është i lirë. Ajo që po ndodh me shoqëritë relativiste sot, është se ata duke zhbërë kuptimin e ligjeve morale, duke atomizuar, thërrmijëzuar dhe subjektivizuar kuptimin e të qënurit i mirë dhe të qenurit i lirë, në fund të fundit kanë ekzekutuar shpirtin, e kanë futur brenda një burgu i cili rrethohet nga një liri aparenciale mashtruese. Është kjo natyrë e shoqërive të sotme, të cilën Hannah Arendt e përkufizonte si krizë autoriteti, një krizë e autoritetit moral që shpërfaqet si kaos. Krizë ndaj të kuptuarit se parimet morale që në thelb janë të pandryshueshme, janë objektive dhe mbi të gjitha, janë parime universale.

Ne sorollatemi brenda nesh për t‘i dhënë një kuptim gjërave që na ndodhin. Kërkojmë të jemi të qartë, por e shohim se gjithçka është e pamundur në këto shoqëritë tona pa fajtorë. Faji dhe ndjenja e fajësisë, ngelen jetime në shoqëritë pa rregulla, pa morale të qëndrueshme. Nëse nuk ka rregulla absolute por ka rregulla të relativizuara, atëhere përse duhet ndjenja e fajit? Përse duhet dhe mbi ç’bazë bëhet dënimi?

Dr. Peter Kreeft i Universitettit të Yale thotë se eksperienca na mëson se ne mund të krijojmë modele të ndryshme por nuk mund të krijojmë morale të ndryshme. Ne, nuk mund ta shndërrojmë vrasjen, vjedhjen, përdhunimin dhe tradhëtinë nga veprime imorale në veprime normale. Moralet janë një formë software-i i instaluar me njeriun që në lindje. Ne, nuk mund të krijojmë morale të reja, ashtu siç nuk mund të krijojmë ngjyra të reja, ashtu siç nuk mund të krijojmë një univers të ri. Ato janë të dhëna dhe ne vetëm se i përshtatemi atyre. Ne, si qënie nuk mund të krijojmë një rend të ri moral. Ajo që mund të bëjmë është refuzimi i këtij rendi por jo krijimi i një rendi të ri. Pra, mund të vendosim të vrasim, të përdhunojmë, të vjedhim e të tradhëtojmë, por nuk mund të sanksionojmë një rregull ku vjedhja, përdhunimi, vrasja dhe tradhëtia të janë obligime morale për të gjithë.

Moraliteti – thotë Alija Izetbegoviq- nuk është prodhim i mendjes as si parim. Mendja vetëm hulumton dhe përcakton marrëdhëniet ndërmjet sendeve. Pra, mendja edhe nëse orvatet për të përcaktuar teori të reja moderne të moralit, si subjektivizmi moral, relativizmi kulturor, egoizmi etik, utilitarianizmi apo teorinë e Kantit mbi  përcaktimin e të mirës dhe të keqes me anë të logjikës etj, është brenda përpjekjes së saj hulumtuese dhe jo krijuese të një koncepti të ri mbi moralin. Në këtë kuptim për të gjetur referencën nga e cila do të duhej të kuptonim dekadencën tonë, nuk ka rrugë tjetër vetëm se referenca bazuar mbi kritetin moral si entitet objektiv, trans-historik dhe trans-kulturor.

Tërmeti moral

Ekzistenca jonë, është e përbërë prej një orkestre çastesh të njëpasnjëshme, të cilat padyshim që kanë tingëllimën e vet. Të intonuara në një domethënie shkakësore, ku piramida e tyre shpesh vjen e renditet rrëmbyeshëm duke shkulur e marrë me vete aktualen, çasti është i vetmi element i cili jeton në të tashmen më shkurt se çdo gjë tjetër dhe është i vetmi element që kalon në të shkuarën më shpejt se çdo gjë tjetër. Çasti, është një mrekulli më vete i cili mbart domethënien e të qenurit tani, i cili shpërdorohet në mënyrën më makabre nga të gjithë ne, pothuaj siç bëjmë me çdo mrekulli tjetër që na rrethon, sepse, medoemos ne, qënia e epërme e ekzistencës, jemi velur nga mrekullitë. Për ne mrekullia është rutina e rradhës e cila pason tjetrën, bile atmosfera që na rrethon, jeta, natyra, thjesht kthehen në mrekulli të bezdisshme, të përditshme. Kështu ndodh edhe me çastin, mrekullinë e radhës që ikshëm zvenitet pa peshën e duhur.

Pesha e çastit tonë, sa vjen dhe bëhet më e lehtë duke e bërë atë gjithmonë e më të ikshëm, pikërisht prej paaftësisë dhe dëshirës për ta mbushur me gjëra plot sens, me vlera e virtyte që fuqishëm do ta rrisin peshën specifike të tij. Ankohemi se koha po na ikën shumë shpejt, se e tashmja është bërë e djeshme dhe se e nesërmja paska ikur tashmë. Jo vetëm kaq, por çasti tek ne edhe pse është specifikisht i lehtë, ai ndër të tjera është edhe i keq. E përditshme e mbushur me një pafundësi çastesh të ikshme të ngarkuara me vrasje, vjedhje, abuzime, mashtrime e kotësi. Ne, peshën specifike të çastit e kemi të rëndë në të keqen dhe të lehtë në të mirën. Prandaj, e përditshmja jonë, na rëndon në pesimizëm dhe nuk na gëzon në optimizëm, ngase çasti është i shpërdorur, i abuzuar dhe i deformuar.Ne, nuk e duam veten sepse nuk e duam dhe e vlerësojmë çastin, atë frazën tonë të famshme “një sekondë”, emblemën e të treguarit sa keq dimë për kohën. Ne, nuk e duam vendin sepse nuk e peshojmë politikisht çastin, nuk e duam familjen sepse nuk u japim të afërmëve çastin që u takon. Ne, e vrasim shoqërinë sepse jua grabisim të tjerëve çastin. Ne, nuk kemi sukses sepse për një çast mashtrojmë me çastin.

Edhe fatkeqësitë janë çaste që dalin nga statusi i të qënurit “i ikshëm” dhe ngulen në histori si stacion përkujtimi që trondit. Janë çaste kur dijet e avancuara shkencore dhe teknologjike, me gjithë kompleksitetin e tyre, nuk arritën që t’i bëjnë pikërisht këto çaste më pak të tmerrshme dhe më pak shkatërruese, me pak fjalë, ti bëjnë sa më të “ikshme”. Jo vetëm kaq, por nuk janë në gjendje të përcaktojnë çastin e tmerrshëm të radhës, në terma kohe dhe intensiteti. Tërmeti real, ai që ndodh për një çast nuk është i vetëm, ai është produkt i diçkaje, është konkluzioni i një proçesi të mëparshëm, ai nuk mundtë vijë kështu papritmas pa një sens logjik, pa një kuptim. Është naive të mendohet se në një botë ku gjithçka merr kuptim dhe çdo gjë realizohet bazuar në kuptimin e gjërave, të ndodhin çaste të emancipuara dhe të pavarësuara nga kuptimi. Nëse gjallojmë brenda një kuptimi të gjerave dhe përpiqemi gjithë jetës tonë t’i japim kuptim sjelljes tonë dhe ambjentit, atëhere nuk mund të pretendohet se ajo që na rrethon nuk ka fare pikë kuptimi.

Çasti i tërmetit, është moment jo vetëm fizik. Fizikja është ana e jashtme e ngjarjes, është ana e dukshme nga të gjithë. Çdo gjë që na rrethon përveç të jashtmes, fizikes, janë të përbëra nga një thelb metafizik përtej çdo gjëje të dukshme. Ky thelb e shoqëron edhe njeriun i cili edhe pse është qenie fizike në dukje dhe imazh, në esencën e tij ai është një qenie metafizike dhe dallon nga çdo gjë tjetër nga morali si tipar i posaçëm i tij. Prandaj, morali është një përkatësi i cili është përtej fizikes, ai është pjesë e transhenduar tek njeriu nga një dimension i jashtëm i vetëm dhe superior. Është program i instaluar që në lindje i cili bën dallimin e njeriut me qeniet e tjera, është morali ai i cili përcakton të mirën dhe të drejtën në një shoqëri. Është përmes moralit me anë të të cilit ne bëjmë krahasimin e vetes dhe të tjerëve brenda shoqërisë. Është morali nga i cili në mënyrë të vazhdueshme kërkohet të iket përditë në shoqëritë tona të hallakatura. Është një ikje nga njeriu drejt bustit, nga vlera drejt imazhit, nga thelbi drejt sipërfaqes.

Asgjë nuk ndodh rastësisht, ashtu siç edhe ekzistenca jonë nuk është e rastësishme. Rastësia është ekuivalenti i kaosit, e nëse pranojmë rastësinë atëhere ne duhet të pranojmë se ekzistojmë në një botë të kaosit. Por ama, secili prej nesh e di shumë mirë se kjo nuk është hiç e vërtetë. Ne jemi dëshmitarë të ekzistencës së preçizionit dhe mijëra mrekullive që na shoqërojnë përditë, të cilat na janë bërë rutinë. Mrekulli, që me preçizion administrohet toka e qielli në të cilat ne gjallojmë përditë. Atëhere, si mundet ta veçojmë çastin e tërmetit si një rastësi brënda një bote preçizioni? E nëse çasti i tërmetit nuk është rastësi, atëherë ai duhet të ketë një domethënie, dhe domethënia e tij nuk është veçse një kriter bazuar mbi logjikën e pasojës, si kurorëzimi shpagimit të tërmetit moral.

Tërmeti real është kuptimi, përmbledhja, konkluzioni i tërmetit moral i cili nuk ndodh vetëm për një çast. Tërmeti moral është një bashkësi dekadente çastesh të ikshme të cilat lënë gjurmë fluide në galaktikën e ndërgjegjeve njerëzore të cilën e quajmë shoqëri. Tërmeti moral nuk është një nocion abstrakt. Ai është një proçes konkret i cili zanafillon dhe zhvillohet në vazhdimësi duke modifikuar kuptimin e vet deri në atë pikë sa absurdja të duket normale, e keqja të duket reale dhe e liga të pushtojë ndërgjegjet njerëzore, derisa pllakat tektonike të shpirtit në botën moderne, të përplasen me njëra-tjetërn drejt një çasti vendimar. Një çasti, në të cilin papritmas e kupton mungesën e sensit të përkatësisë dhe çdo gjë që të rrethon të duket e pakuptimtë dhe e pashpresë. Një çast në të cilin e kupton se ke vdekur së brendshmi teksa gjallon përditë rrugëve të qytetit.

Ne kemi refuzuar përherë t’i japim një kuptim fenomeneve, sepse na është thënë dhe mësuar se ne jemi të rrethuar nga disa ngjarje krejt natyrore të cilat, ashtu thjesht ekzistojnë, ndërveprojnë krejt rastësisht. Kjo qasje, kjo arratisje nga transhendentja dhe metafizikja, e ka bërë njëriun e sotëm të mos ketë përgjigje për dilemat morale që parreshtur e shqetësojnë. Nëse pranojmë kaosin në ekzistencë, atëhere as tërmeti moral nuk ka kuptim dhe as tërmeti real po ashtu, sepse ndryshe nuk do t’i quanim “fatkeqësi”. Nëse ka rastësi atëherë çdo ngjarje që ndodh duhet të konsiderohet normale brenda idesë së kaosit dhe çrregullimit, brenda botës së ngushtë të atomeve dhe molekulave. Nuk duhet konsideruar si fat i keq sepse në botëkuptimin e kaosit çdo fenomen që ndodh është normal brenda efektit të probabilitetit që kaosi të sjell.

Por jo, ne i konsiderojmë fatkeqësi, sepse na del nga shpirti një term i tillë. Është fat i keq në raport me normalen që shtrihet brënda rregullit të përsosur dhe preçizionit akut. Është fatkeqësi si përjashtim ndaj stabilitetit dhe natyrshmërisë normale të jetës njerëzore. Prandaj konsiderohet si një çast i cili dallon nga çastet e tjera. Është pikërisht ky dallim që mbart kuptimin dhe domethënien në raport me momentet e tjera të përditshmërisë tonë, dhe prej kësaj domethënieje në kuptojmë se fatkeqësitë transformohen në mesazh. Por që një mesazh të arrijë qëllimin e vet ka nevojë për njerëz që dinë ta lexojnë, ta deshifrojnë dhe ta zbatojnë. Fakti që mesazhe të tilla po shtohen gjithnjë e më shumë dhe po bëhen gjithnjë e më tronditës, tregon për një bashkësi ndërgjegjesh të çinteresuara e të shpërfillura ndaj çasteve gjithnjë e më të ikshme. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts