728 x 90 Leaderboard

Nga Redi SHEHU/ Projektet e së ardhmes si shërim për problemet e së tashmes

Tirana, ose metropoli shqiptar ashtu siç shumë vetë duan ta quajnë duke i paraprirë një qyteti ideal që sorollatet në imagjinatën e banorëve të vet, ka qëndruar në të njëjtin pozicion kundruall problemeve që ajo ka. Ato që faktikisht kanë ndryshuar gjatë kësaj periudhe, janë sheshi Skenderbej dhe Tirana e imagjinatës e konkretizuar në makete prej materiali të riciklueshëm.

Sigurisht, që jemi të ndërgjegjshëm për faktin se çdo punë që duhet bërë, më së pari duhet të zanafillojë mbi bazën e projekteve dhe maketeve për t’u materializuar pastaj në terren. Ajo që e bën Tiranën të ndryshme nga kryeqytetet e tjera botërore, është situata e përhershme e emergjencës civile në të cilën ky qytet ndodhet si pasojë e mbivendosjes sistematike të paftësisë , dritshkurtësisë, pangopshmërisë e babëzisë të cilat kanë shoqëruar modelimin e këtij qyteti që pas Luftës së Dytë Botërore.

Në një situatë të tillë, ndryshe nga kryeqytetet evropiane ku maketet e projekteve të reja përfaqësojnë fytyrën e re të një qyteti  i cili vështron nga e ardhmja  nisur nga premisa stabiliteti shërbimesh dhe infrastrukture, kryeqyteti ynë gjatë kësaj dekade vështrimin e vet për nga e ardhmja e ka bërë duke  vendosur syze miopie me numrin e gabuar, të cilat qartësonin shikimin e interesit të së tashmes imediate dhe turbullonin vështrimin në perspektivë.

Duke u nisur nga kjo premisë, investimet publike në hapësirën kryeqytetase, përveç faktit se kanë ndryshuar në shkallë më të përmirësuar gjëndjen e mëparshe, nuk kanë arritur të miqësohen me të ardhmen duke ngelur thjesht prodhuese të problemeve të radhës. Kështu punimet në rrjetet infrastrukturore, sinjalistikë, shërbimet ndaj qytetarit apo dhjetra investime të tjera, kanë përbërë një risi pozitive për kohën në të cilën u realizuan por aspak për periudhën në vazhdim duke i shtuar kështu hartës së problemeve të qytetit edhe amortizimin e shpejtë të së resë së dikurshme.

Prandaj Tirana ndodhet vazhdimisht në mënyrë të përsëritur në një emergjencë civile pothuaj ciklike sepse zgjidhja e konceptuar më parë i rikthehet qytetit  në një problem tashmë të ri i cili kërkon po ashtu zgjidhje të reja dhe investime të reja.

Në këtë situatë era e re e bashkisë kryeqytetase pas zgjedhjeve te 2011-tës, do të duhej të sillte një frymë të re në të konceptuarit e zgjidhjes së problemeve dhe pikërisht të daljes  nga emergjenca civile  përmes fiksimit në perspektivë të problemeve të vjetra dhe njëkohësisht investimeve për vizionin e së ardhmes. Por ashtu siç është edhe bërë traditë, fokusi i administrimit të qytetit edhe kësaj radhe nuk i shpëtoi përdorjes së efekteve mahnitëse përmes projekteve të mëdha të së ardhmes për të qetësuar dhimbjet e problemeve të së tashmes.

A është kjo terapia më e mirë e mundshme ? Përgjigjen e kësaj pyetje besoj se mund ta jepte ­çdo qyetar i cili pret që pas ka vitesh semafori i tij të funksionojë pa ndërprerje, që linja e tij e shpifur e autobuzit të kalbur të zëvendësohet me një mjet fillimisht më modest se trami, por efektiv ama. Që qytetari të fshijë nga memoria e tij atë hartën e vjetër të gropave e pusetave pa kapak për të udhëtuar i qetë mbi një lustër ndoshta të re asfalti, që të fillojë të shohë atë gjelbërimin konkret masiv dhe kudo.

Që pluhuri të kthehet në një relike për qytetin dhe jo miku i paftuar i shtëpive dhe ambienteve tona . E kështu qindra probleme të vogla që në thelb bëjnë atë gjënë e madhe që është interesi dhe mirëqënia e qytetarëve, për të cilat marrin kuptim votat.

Kapja pas këtyre gjërave të mëdha, plani i madh urbanistik, bulevardi i madh, unaza e madhe, trami i madh, stadiumi i madh, parlamenti i madh etj, na fusin në botën e liliputëve saqë pothuaj na vjen keq të kërkojmë gjërat e përdishme të vogla nga frika se mos po na shemben mbi kokë projektet e mëdha. Besoj se nuk e pengon aspak ambicia për të bërë gjera të mëdha për kryeqyetin, punët e përditshme e të përhershme në rinovimin e jetës urbane të qytetarëve, pikërisht për të fiksuar së pari investimet e mëparshme në mënyrë që të mos risillen në përdishmërinë tonë si probleme të vazhdueshme dhe paralelisht të ndërtohet vizioni i së ardhmes.

Një problem tjetër që fatkeqësisht po rishfaqet edhe në erën e re të bashkisë është edhe ciklika elektorale e punëvë publike. Besnikëria e kalendarit elektoral, me të cilën adminstrata jonë në përgjithësi ndjek, është vërtet për t’u admiruar. E vetmja gjë që funksionon si duhet në këtë vend është agjenda elektorale e investimeve publike.

Llogaritjet gati gati astronomike bëjnë që shiriti të pritet pikërisht në kulmin e fushatave elektorale shoqëruar me një imazh pafajësie të liderëve politikë të cilët nuk harrojnë kurrë premtimet ndaj elektoratit. Futja e investimeve publike në qorrsokake proçeduariale të cilat në mënyrë të habitshme koinçidojnë të mbarojnë në provimet politike zgjedhore,  shkakton hipnozën e asfaltit drejtuar audiencës e cila tashmë me psikozën e bitumit përpiqet të seleksionojë  dhe të vendosë për të ardhmen e vet politike.

Kështu duket se llogaritja “astronomike” për investimet në Tiranë do të rezultojë me një bum realizimesh në punët publike pikërisht gjatë verës së 2015-tës, duke mahnitur për të pafundmen herë zgjedhësit përmes aktivizimit të memories afatshkurtër dhe lënien në harresë të së shkuarës. Produkti do të jetë po ai, nxitim për realizimin e afateve elektorale përzier me pak babëzi fondesh dhe punimet e reja të cilat janë të mira përsa kohë jemi në të tashmen, do të kthehen përsëri në problemet e së ardhmes. Dhe ciklika e emergjencës civile do të jetë përsëri tema e debatueshme në zgjedhjet e reja per kyetar bashkie në metropolin tonë në tentativë. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts