Nga Redi SHEHU: Prepotencë kryeministrore përballë kompleksimit gazetaresk

Është diskutuar shumë këto ditët e fudit rreth një komunikimi të qëllimshëm që Kryeministri Rama pati me nje grup gazetarësh. Gjatë këtij komunikimi, secili prej nesh mund të vërente as më shumë e as më pak, por thjesht të gjithmonshmin Rama, i cili në të folmen publike paraqitet shpesh  në kostumin e atij që mbart mbi shpatulla një padrejtësi të madhe që në formë konstante, të pashkëputur, i bëhet atij dhe qeverisë së tij nga mediat, apo ndryshe “kazani” siç ai pëlqen ta etiketojë përherë. Në fakt, gjatë atij komunikimi me gazetarët, nuk kishte pothuaj asgjë të re me përballjet e mëparshme të z. Rama me median. Prepotenca, dhuna verbale dhe etika e harruar, ishin po ashtu prezente në këtë komunikim publik.

Ajo që të habit më shumë në këtë rast, nuk është vetë z. Rama. Habia më e madhe qëndron me gazetarët dhe sjelljet e tyrë përballë një kryeministri i cili ushtronte dhunë verbale ndaj tyre. Lirshmëria me të cilin z. Rama fyente gazetarët si dhe marrja nga ana e këtyre të fundit të  fyerjeve si fakt i mirëqenë, tregon në realitet se cilat janë marrëdhëniet e mediave tona me politikën. Gazetarë të kompleksuar të cilët nuk guxojnë të mbrojnë dinjitetin e tyre, jo se ata nuk e kanë, por se ai (dinjiteti) është i kapur nga thundra e medias dhe e pronarëve të saj, që mban shtypur profesionalizmin gazetaresk. Marrëdhënia e medias tonë me pushtetin është e të njëjtës natyrë që ka në përgjithësi media botërore me pushtetin politik. Vetëm se tek ne, kjo marrëdhënie karakterizohet nga kapërcimi i kufinjve të secilës palë, ku si politika ashtu edhe media, ndërthuren në një marrëdhënie të përbindshme pushteti, koston e së cilës e paguan informimi dhe e vërteta.

Media  është një, le të themi, gjymtyrë jetësore e çdo sistemi demokratik dhe me anë të saj politika komunikon me zgjedhesit. Nëse politika arrin të kontrollojë informacionin që prodhon media lidhur me veprimet apo mosveprimet e veta, sigurisht që do të jetë e aftë pastaj që kriterin e së vërtetëS ta modelojë dhe të influencojë qytetarët mbi produktet e veta politike. Duhet thënë se është e vështirë që të gjejmë një puritanizëm mediatik përsa i përket marrëdhieve të saja me politikën. Gjithsesi, dhënie-marrjet midis tyre janë faktikisht etapa të dukshme në pothuaj të gjitha vendet, për këtë arsye neutraliteti mediatik ngelet edhe sot e kësaj ditë një ëndërr e  cila akoma qëndon larg të bërit realitet. Sot, përveç faktit që media përçon lajmin, ajo në të njëjtën kohë përfaqëson edhe pikëpamjet e grupeve të caktuara sociale. Por ama, kapërcimi i kufinjve të marrëdhënies së ndërsjelltë mes tyre në realitetin shqiptar, shtrihet deri në ofendime të natyrës së rëndomtë. Është e vështirë në fakt të kuptohet thelbi i mediave pa kuptuar tipologjinë e vendit ku ajo media ushtron aktivitetin e saj, pa kuptuar sistemin politik, lidhjet ekonomiko-sociale, përbërjen e shoqërisë civile dhe kahjet e saj. Prandaj, në një mënyrë apo tjetër, ai lloj komunikimi mediatik i kreut të qeverisë, është në fakt edhe pasqyrë e realitetit në të cilin ne konsumojmë përditshmërinë tonë.

Politika përmes institucioneve të saja që rrjedhin si pasojë e vullnetit të popullit në shoqëritë demokratike, ka rolin e pazëvendësueshëm të rregullimit të mjedisit mediatik në shoqëri përmes kuadrit ligjor i cili saktëson marrëdhëniet e medias me politikën. Ky kuadër ligjor i cili është i detyrueshëm të zbatohet nga të dyja palët, përcakton principet dhe kufinjtë e veprimit dypalësh për të garantuar ushtrimin e lirë të informimit publik por edhe përgjigjen e kërkesës së audiencës për informim politik. Po pse atëhere Kryeministri ynë dukej aq i shpenguar në gjuhën e tij kompleksuese dhe steriotipizuese ndaj gazetarëve? Pse dukej ai aq komod?  Sepse presioni politik ndaj medias tek ne ka arritur në një nivel të atillë sa që ka këputur edhe ato pak filiza profesionalizmi e pavarësie.

Kur flasim për presion politik ndaj mediave, këtu bëjmë fjalë jo për një qasje ligjore, por për presion informal i cili realizohet nga aktorët politikë për të promovuar objektivat e veta. Presioni informal i cili në fakt është vështirë të formalizohet përmes provash apo aktesh të cilat do të përbënin thyerje të ligjit, fillon nga një sagë interesash , lidhjesh, lobimesh e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me pikën e dobët të cilat mediat kanë sot, që është, pronësia mbi mediat. William Melody e përshkruan tendencën e sipërmarrësve privatë për të monopolizuar tregun e ideve në emër të  përfitimit privat duke u lidhur me pushtetin , si rrezikun më të madh të lirisë së shprehjes, dhe si pasojë e kësaj, mundësia për t’u bërë pjesë e tregut të ideve është e kufizuar dhe privilegj i një pakice.

Pra, ka mospërputhje mes detyrës së medias për t’i shërbyer interesit publik dhe presionit ndaj saj për t’i shërbyer interesit politik. Por, kompanitë mediatike duket se në më të shumtën e rasteve kanë vendosur që t’i shërbejnë interesit publik përmes interesit politik. Këtë sepse janë rrugë të panumërta që vetë sistemi, ia imponon mediave që të hapë dyert për presionin politik ndaj saj deri në atë masë sa funksionari shtetëror të ndjehet i shpenguar, superior dhe i pakujdesshëm gjatë “punës” së tij shantazhuese. Kryeministri është i bindur se nuk mund të bojkotohet nga media se ai  është “buka e përditshme” për ta, sepse ai e di se media është kryesisht në varësi të institucioneve qeveritare të cilat mund t’i sigurojnë asaj burime lajmi nga më të ndryshmet dhe që mund t’i hapin dyert në mënyrë selektive për atë media e cila përkon me strategjinë e politikës, sepse politika ka tagrin t’i sigurojë medias subvencione nga më të ndryshmet private apo edhe publike, se politikanët janë të prirur të joshin ata gazetarë me emër të cilët kanë influencë direkte në opinionin publik, përmes dhjetëra formash “bashkëpunimi” apo edhe biznesi, sepse rrjedhjet e informacionit shpesh bëhen të studiuara nga qeveritarët dhe thirren ato media të cilat tashmë janë bindur presionit politik.

Për këtë arsye të vetmit jetimë në atë shaqje publike aspak të këndshme ishin gazetarët. Ata ishin aq të  braktisur nga vetë media dhe pronarët e saj, saqë nuk ishin në gjendje t’i impononin Kryeministrit të paktën etikën njerëzore në komunikim. /tesheshi.com/